MILOSAO

Edhe në kulturë/E megjithatë, njerëzit votojnë ata që i mashtrojnë më shumë

14:00 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Komuniteti artistik i vendit kishte shumë shpresë se mbyllja e mandatit të qeverisë Berisha do të sillte ndryshimin e pritur. Para pesë vitesh, qeverisja e lodhshme dhe shumë populiste e tij i kishte bërë qytetarët shqiptarë të mendonin se kushdo që do të vinte më pas, sido që të ishte, do të punonte më mirë. Në këtë terren erdhën Socialistët dhe për hir të së vërtetës u munduan ta fusin disi në hulli mes të tjerave edhe kulturën shqiptare, një strukturë të madhe dhe shumë konglomerate, që i mungojnë pa fund fondet. Ndryshe nga paraardhësit e tyre të PD-së, deri më tani zyrtarët e PS-së janë treguar shumë më besnikë me emrat që kanë zgjedhur por edhe përgjegjësinë. Dhe, në lëmin tonë, Ministria e Kulturës nuk ka bërë zgjidhje tjetër veç një ministre, që po bën mandatin e dytë, një nga më të gjatët në krye të këtij dikasteri në vitet e demokracisë.
Nëse kujtojmë se premtimet ishin aq shumë të mëdha, realizimet nuk duken aq të mëdha në këtë dikaster dhe pothuaj në të gjithë të tjerët. Përveç disi maturimit të institucionit dhe punëve më shumë me karakter populist. Duke u nisur nga ngjarja e fundit me teatrin: Nuk pritej kurrsesi të ndërtoheshin kullat në zonën historike, për të cilin ky institucion duhet të bënte avokati të fortë. Ashtu si nuk i falet mungesa e transparencës, fakt që gjithsesi bie përveç saj edhe mbi një Ekzekutiv, që pothuaj ka vetëm një emër. Kryeministri i vendit Edi Rama është aq i sigurt në hapat dhe masat që merr saqë ka harruar se transparenca është një nga elementët kryesorë të demokracisë. Në një akt të pashembullt, njerëzit e tij, jo vetëm e nxorën në pozicion të keq ministren, që u prononcua se nuk kishte projekte për teatrin, porse po tregon se gjithçka nis dhe varet vetëm e vetëm prej tij.
Po janë kaq të paditur artistët? A është kaq i panevojshëm mendimi i qytetarëve të Tiranës dhe i gjithë Republikës për kulturën që duan, p.sh për një godinë teatri? Janë vallë kaq të keqinformuar edhe vetë drejtuesit e kulturës, të cilat kanë ardhur falë mandateve të tyre. Ne, shqiptarët, ja shkaktojmë vetë të keqen vetes sonë. Kjo që nga alternativat që bëjmë, por edhe mungesën e kulturës për ta kërkuar transparencën e duhur.




Për fat të keq, njerëzit duken kaq shumë e thellësisht të polarizuar në mendimet dhe gjykimet, saqë çdo projekt paragjykohet. Dhe, me të drejtë, kur mungon transparenca edhe anatemohet keqazi. Shqipëria në çdo hap tregon diferencat kulturore, por edhe mënyrën sesi manifestohen këto ndryshime në fasha shoqërore. E nëse votojmë për njerëz që duhet të na përfaqësojnë, pse vallë çdo grup politik na përcjell në qerthuj më të rrezikshëm. Për këtë s’ka aq përgjigje.
Në botë gjykohet se një arsim civil dhe më cilësor mund të ndihmonte që të prisheshin këto barriera, që krijojnë ndryshimet kulturore, porse realiteti shqiptar po na përshfaq sesi shkolla po e ndih këtë kaos. Dhe, sa më të mëdha që po bëhen diferencat kulturore, aq më keq po shkojnë të gjitha senset e duhura të zhvillimit përfshirë edhe kulturën.
Ndaj u prish pa asnjë llogari pjesa e qytetit antik zejtar në Durrës, ndër gjetjet më të jashtëzakonshme arkeologjike të 50-viteve të fundit, u mbulua kështjella mesjetare në Elbasan dhe kështu me radhë dhe kërcënohen lloj-lloj objektesh ngado.

E megjithatë njerëzit votojnë ata që bëjnë më shumë zhurmë dhe realisht ata që dukshëm nuk punojnë por shesin vlerën e një pune boshe. Shqipëria është në një qerthull, që shumëkush e kupton, por pakkush mund ta ndryshojë, sepse sërish vota shkon dhe do të delegohet tek njerëzit e gabuar.


Shfaq Komentet (3)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Perse mos te shkrihen skulpturat e bronzit te realizuara nga skulptori Kristaq Rama dhe me bronzin e perfituar te realizohet nje monument nga skulptori Thomas Schütte?

    Përgjigju ↓
  2. Fuckers…

    Përse mos të shkrihet Monumenti i Pavarësisë ne Vlorë i realizuar nga skulptoret Muntas Dhrami dhe Kristaq Rama dhe me bronzin e përfituar të realizohet një monument nga Ai Weiwei dhe Anish Kapoor?

    Përgjigju ↓