MILOSAO

Poezi nga Rudolf Marku

14:00 - 25.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori i njohur vjen pas shumë kohësh te “Milosao” me një cikël që e ka përzgjedhur vetë. Kultura e ndih që të përshfaqë në shumë shtresëzime ndjenjën e tij…




VENDI IM

Emri yt ende nuk është shkruar.
Vazhdon ngjitjen tënde në drejtimin e kundërt të gravitacionit të dashnise
Në trajektoren e dhëmbshme të harreses.
E di se këtu kujtesa vret më tepër se Terrori
O Vendi im i braktisur nga gjuha.

Askush nuk na thotë vendin se ku jemi.

E prapë vazhdon të ngjitesh në malin mistik të teologjisë së dëshpërimit
Me formula të frikëshme honesh. Derisa arrijmë në atë piken mes Qiellit dhe Tokës,

Në vendin më të bukur të Dheut. Jo shumë lart, por jo dhe aq poshtë,
Në qoshkun e preferuar të engjëjve.
Vetë Engjëlli i Historisë të ka zënë pritë,
Me plagët e masakruara të Fatit;

Engjëlli i Historisë që nuk na thotë as vendin se ku jemi
O Vendi im !

PER E. B.

Ti më thua se Poezia është një gurë i lemuar
Që e marrim me vete pa u kujtuar kurrë.
Trishtimi është ulur në shkallët tona,
Me sytë e ftohtë na veshtron me këmbëngulje,
Trishtimi që nuk ka ku të shkojë, i përzënë nga të gjithë.

Perpiqemi të jemi njerëzor. Ecim vertikalisht,
Flasim për qyteterimin, për galaksitë dhe librat
Me një sintaksë rrethore;
Dhe koha që përserit vetveten!
Sa vite kaluan që kur e thyem buken bashkë?
Që kur endërrat i vumë në ca diagrame
Për të arritë labirinthet me hyrje falas?

Në stinen pritëse të marr me vete,
Drejt Betlehemit. Pa një yllë orientues
Vetem me at’ gurin e lëmuar që për pak e harrojmë.
Nisje nuk ka. Ka vetëm mbërritje.
Ti prek bashktingëlloret e dhëmbjes me gishtërinj delikatë
Për të shkruar strofen aleksandrine të vetëvrasjes.

Pa e kuptuar kemi arritë Oqeanin Paqesor.
Qenka e lehtë të shohesh se si koha ngrihet
Nga dallgë të stërmëdha për t’u mbytur prapë!

 

POETËT

Poetët mblidhen ne Ferr,
Mes squfurit djeges. Bisedojne te qete
A thua se jane ne shtepine e tyre.

Gjuha eshte nje tunel i pafundm;
Bashktingllore basesh. Zanore prej flauti.
Por zhurmat ne Ferr i mbysin bisedat e tyre.
Kush tha se do te donin t’i zhvendosnin yjet
Drejt Meshires? Drejt perdellimit?

Poetet jane qytetare te Ferrit,
I mbushin penat e tyre me squfur, me gjakun e vet,
Me enderrat e të panjohureve, me rrefime fantazmash,
Te denuar per shkak te tingujve, te ritmit, te fjaleve
Degjojne bisedat sekrete te sferave qiellore.

Poetet jane qytetare te Ferrit.
Ecin neper hone malesh, kunder gravitetit te dashurise
Per te arrite mekataret e brakstisur nga gjuha

 

KURRË NUK DO ARRIJË NË TIRANË

Shkapërcej male, lugina, hone të frikëshme,
I bie mespërmes Mesdheut, Adriatikut, Jonit,
Por nuk arrijë në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri.
Ne Heathrow, Gatwick, Stansted më qeshin,
Më thonë se nuk do shkosh asgjëkund,
As në Aldorado dhe as në Ferr,
E pastaj më thonë me takt, me kujdes,
Është më mirë të mos marrë as avion e as tren.

Sepse Trishtimi nuk qenka gjeografi,
Sepse Trishtimi nuk qenka Vend.

Zgjedh rruge të tjera. Me anije, tragete, nëndetëse,
Kaloj tunele sekrete të nëndheshme të mallit,
Përdor taktikat moderne të katapulteve të kujteses,
Teknologjinë më të fundit të shpejtësive të zemres;
Në Rinas më qeshin e pastaj më thonë
-E kupton dhe vetë se nuk ke mbërritë në Tiranë,
Dhe jo e jo në Shqipëri

Sepse Trishtimi nuk na qënka Vend,
Sepse Trishtimi nuk na qënka gjeografi.

 

ARGONAUTËT

Askush nuk i kujton më Argonautët.
Por ne, një grusht njerëzish disi të fantaksur
Vazhdojmë të presim në breg kthimin e tyre;
Herë pas here një pulëbardhë e gjakosur
Na thotë se i ka parë në vorbullat e Bermudës,
Atje ku dallgët janë më të larta se Olympi.

Dhe ne, me kokëfortësi vazhdojmë të presim.
Netëve shohim të njëjtën yje që shohin dhe ata,
Derisa ndjejmë etjen e tyre në buzët tona të thara.
Uria është kudo e njënjtë. Dhe vdekja po ashtu!

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre,
Një grusht njerëzish që bëhemi përherë e më të pakët.
Sa herë që një pritës nga rrradhët tona vdes,
E dimë se njëri nga marinarët e Jasonit ka vdekur,
Kufomën e hedhim në thellësitë e detit
Po ashtu siç bëjnë në largësi dhe Argonautët.

E gjithë jeta jonë është pritja e kthimit të tyre!
Tani gjithnjë e më tepër tregojmë për bëmat e Argonautëve,
Skicojmë harta vendesh të largëta,
Flasim për ishuj misteriozë, për vorbullat e Bermudës,
Lëkuren e kemi të rreshkur nga dielli, nga ernat dhe kripa e detit
Dhe jemi fare të pakët.

Dhe fëmijët e fëmijëve tanë do ngulin këmbë një ditë
Se Argonautët ishim ne, që kemi pritë!

 

DITËLINDJE

Veç një deshirë të lejohet në ditëlindjen tënde,
Pavarësisht sa qirinj ke mbi tortë,
Sigurohu mirë para se t’u frysh qirinjëve,
S’na lejohet t’i ruajmë dëshirat për më vonë.
Sa keq që nuk japim kredite dëshirash,
Mos kërko dëshira-shtesë për vitin tjeter,
Do e kuptosh vetë se një është mjaft,
Do e kuptosh vetë se s’ka vend për më tepër!

Ji realist! Dëshirat vijnë nga tre veç në përralla,
Por dhe kur vijnë, kërkojnë shpërblime mizore,
Pastaj njerëzit nuk dinë as se çfarë duan,
Pasataj njerëzit nuk dinë as çfarë kërkojnë!
Përgatitu për zhgënjimin, ose më mirë
Fillo të kursesh me kujdes për më vonë,
Që të jesh gati për një zjarr të papritur
Dhe me qindarkat të paguash shpresat që s’vijnë.

Veç një dëshirë na lejohet në ditëlindjen tonë!

 

EVA

Kur trupi im është me trupin tënd të çveshur,
Në ditët e Veres, më këngët monotone të gjinkallave,
Shoh pjesen tënde të bardhë tek ngjitet në qiej,
Sipër kambanareve, sipër deteve dhe maleve,

Në ca Parajsa që as emërin nuk ua dijmë.

Por gjysma tjetër e errët mbetet me mua, këtu poshtë,
Me gurët, me pluhurin dhe rrenëjt e bimëve a të pemëve,
Më terheq me forcë tek hijet e pasdrekes së vonë,
Në thellësirat e parajsave të verteta a të rreme,

Me rënkime që aq mirë kuptimin ua dijmë.

Strasbourg, France 2018

 

KËPUCTARI PLAK

Këpucët e vjetra nuk i ndreqin më;
Vonë në muzg i hedhim në qoshen ku nuk na sheh askush,
Sikur të ndjenim turp prej tyre.E kush nuk ndjen turp nga gjërat e vjetra?
Po këpuctari plak ku mund të jetë ? Ai që kërrusej
Për të arnuar shollin e ngrënë,lekuren tërë plasa, thumbat si dhëmbë të rënë?
Më thonë se ka vdekur,
Dhe unë nuk mund t’ia sjellë as emërin ndërmend.

Këpucët e vjera nuk i ndreqim më,
Këpucët që na çuan në takimin e parë,e më pas në varrezat e të dashurve tanë,,
Në rrugët e largëta të trajektores së dëlirë ;
Ka kohë që dhe letrat e dashurisë i grisim në fshehtësi,
Ka kohë që dhe emërat e të dashurëve i fshehim mirë e mirë .

Ka kohë që as Dashuritë e vjetra nuk i ndreqim më,
Dhe as puthjet e dikurshme të dalë mode,
Dhe as atë pagjumësinë e dashurisë nuk e riparojmë ,
Dhe as rrahjen e ankthshme të zemres që rënkonte.

Jetojmë në kohën kur nuk i riparojmë gjëra që deshëm dikur,
Jetojmë në kohën kur gjëra e vjetra i flakim në rrugë
Për t’u ndjerë më mirë e më të të sigurtë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.