KULTURË

Ema Andrea: Kullat do “i marrin frymën” teatrit, politika të mos na vijë në funeral

14:00 - 28.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Teatri Kombëtar për mua: një dashuri e dhimbshme për të cilën do vazhdoj të jetoj e të punoj sa të mundem, pa kërkuar lapidarë sakrificash apo viktimash. Uroj të jem gjallë e të dëgjoj një ‘më fal’ nga politika për artistët. Nëse nuk do e dëgjoj, uroj të mos kenë kurajë të vijnë në funeralin tim, apo të asnjë artisti! Për momentin dëgjojmë ‘plasje’. Për sa të mundem, për këtë do punoj e luftoj, qoftë edhe e vetme dhe e paragjykuar”. Kjo është deklarata e aktores dhe regjisores Ema Andrea, e angazhuar në protestën e artistëve kundër shpërnguljes së trupës së Teatrit Kombëtar te “Turbina” dhe një prej kandidateve për postin e drejtuesit të TK-së, post ende vakanat zyrtarisht.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Andrea thotë se me Ministrinë e Kulturë raportet kanë qenë gjithëherë institucionale dhe se “nëse nuk jam dakord me një vendim që më përket, do t’i bëj gjithmonë nder ministrisë duke u shprehur. Se si do reagojë ministria, është çështje e tyre, jo imja! Kanë për detyrë të më dëgjojnë. Në këtë botë secili duhet të mbajë kryqin e vet, ashtu si mundet”!




Sipas saj, artistët i quajnë yje sa herë u intereson por asnjëherë nuk janë trajtuar si të tillë. Shton mandej se ministritë shkojnë e vijën sipas politikës, ndërsa ajo mbetet Ema Andrea. Sa i takon projektit të teatrit, Andrea shton se nuk u ftua në takimin e prezantimit, sepse listabërësit e dinin që nuk do të ishte dekor, por se për të, “projekti u ofrua prej presionit që bënë artistët”.
A do të jetë ajo në krye të TK-së si drejtoreshë? Andrea është evazive në përgjigje, por në fund intervista e saj, që ka numëruar një sërë problemesh të teatrit, mbyllet me këto fjalë: “KM deklaroi që është i kënaqur me shitjen e biletave, a thua se Teatri Kombëtar është ndërmarrja që i sjell të ardhura buxhetit të shtetit. Si thua ti, ç’do të ndodhë?”

– Ema në shkurt ishit shumë aktive për çështjen e Teatrit Kombëtar. Ishit edhe në përfaqësinë e aktorëve që SASE dërgoi në takim me ministren. Çfarë ndodhi pas atij takimi?
Unë kam qenë dhe jam aktive për çështjet e teatrit dhe artistit prej vitesh, shpesh me reagime personale e këtë radhë në krah të kolegëve. Unë nuk përfaqësoj SASE, nuk jam anëtare e kësaj sindikate, por ishim së bashku për çështjen e ligjit dhe godinës së teatrit. Pavarësisht tymnajave për të shkaktuar keqkuptime apo ‘scoop’ pas një fjalë, ne ishim të qartë për çfarë kërkonim. Të ishim të konsideruar si komunitet në vendimet për teatrin. Ky besoj do të ish fillimi i një bashkëbisedimi të barabartë dhe të drejtë. Besoj diçka u mbërrit, pasi shqetësimi për teatrin mori përmasa më të gjera. Politika, edhe pse jo plotësisht, u detyrua të dëgjojë, pavarësisht reagimit të ngadaltë apo ironik ndonjëherë. Në takimin në MK, ne ishim përfaqësues të artisteve të mbledhur në sallën e TK, të cilët kërkonin një axhendë takimesh me përfaqësues të komunitetit mbi ligjin, transparencë për godinën e TK dhe disa kërkesa të artisteve të Cirkut Kombëtar.
Pas atij takimi, axhenda e takimeve, në dijeninë time, nuk është bërë ende, theksoj, në dijeninë time. Ndërsa për sa i përket godinës, ju e dini prezantimin që i bëri kryeministri si dhe reagimet e mëpasshme jo vetëm të artistëve, por edhe arkitektëve apo shoqërisë civile dhe individëve.

– Ju nuk ishit në prezantimin e projektit të TK-së? Keni një mendim pse nuk u ftuat?
Shqipëria e vogël, me listabërës të vegjël! Për më tepër ka që dinë që nuk kam figurë për dekor dhe as për duartrokitje. Uroj të ketë qenë takim i frytshëm, edhe pse s’kam pasur mundësi të dëgjoj reagimet e kolegëve që ishin aty.
Për aq sa kam parë nga fotot, pra vetëm nga jashtë, mund të them që më pëlqen në vetvete (çështje shijesh), por më intereson të di më shumë për teatrin nga brenda, kushtet, nivelin teknologjik etj. Këto nuk i kam parë dhe pres t’i shoh në një prezantim të dytë, ndoshta. Kullat duket sikur do t’i ‘marrin frymën’ ndërtesës dhe s’do ketë hapësirën që meriton një teatër i së ardhmes, por natyrisht që ky është një diskutim i gjerë dhe me ekspertë të fushës.

– Si ju është dukur projekti? A jeni dakord me mënyrën si erdhi ai projekt?
Projekti u afrua besoj prej presionit që bënë artistët. Pas deklaratash të ndryshme e të pavendosura të ministres, erdhi presioni i artistëve e më pas prezantimi i shpejtë. Kështu si është panorama nuk besoj se ka nevojë për shumë koment, veçse artistët duhet të kishin reaguar më shpesh e më herët për problemet e tyre.

– E kishit parë më herët projektin?
Ashtu si të thashë, më është prezantuar nga kryetari i bashkisë dhe kam të njëjtin mendim.

– Ka shumë aktorë që janë kundër shembjes së TK-së, duan të ruajnë edhe godinën aktuale, për shkak të historisë së saj. Ju në atë godinë keni qenë si aktore e si regjisore. Ç’është ajo godinë për ju?
Në skenën e Teatrit Kombëtar kam hipur shumë e re. Nuk kam pasur lidhje të gjata me atë institucion për arsye mbylljeje, mospranimi dhe organizimi. Ndoshta, prej mendimeve të ndryshme për artin dhe teatrin apo mënyrën, a shijet e drejtorëve. Por, edhe për zgjedhjen time në këtë pikë mospërputhjeje. Çfarë më ka shqetësuar dhe më shqetëson është niveli artistik e kulturor që meriton një institucion i tillë, i cili nuk duhej të katandisej në ndërmarrje prodhimi, por në një qendër që gjeneron mendim të ri, shije e identitet. Dikur, për mua ishte e vetmja sfidë, sepse mendoja që duhej merituar skena ku kishin krijuar Kadri Roshi, Roland Trebicka, Naim Frashëri, Pirro Mani, Yllka Mujo etj. Por, pas shumë pak vitesh, doja të rrija larg, e sot do të doja t’i rrija në krah që të rigjeja fytyrën e dinjitetit të humbur për shumë faktorë e fajtorë.
Një institucion i lënë pas dore nga politikat e gjithë këtyre viteve, injorim që u pranua në heshtje të dhimbshme çdo ditë nga i gjithë komuniteti. E sot nuk di nga t’i nisësh problematikat e thëna e të pathëna të teatrit e komunitetit. Duhej dhe duhet vullnet për ta ringritur aty ku meriton ky institucion, të cilin pa doganë e quajnë tempull, por nuk e trajtojnë në asnjë moment si të tillë. Artistët i quajnë yje sa herë u intereson, por asnjëherë nuk janë trajtuar si të tillë.
Ja çfarë është Teatri Kombëtar për mua: një dashuri e dhimbshme për të cilën do vazhdoj të jetoj e të punoj sa të mundem, pa kërkuar lapidarë sakrificash apo viktimash. Uroj të jem gjallë, ditën që politika do të përulet para artistit e do heshtë kur ai të flasë, të kundërshtojë, të provokojë apo të bërtasë për shqetësimet sociale e historike. Uroj që artistët të mos jenë pjesë e kujtesës patetike e keqardhëse, por mendimi ndriçues për shoqërinë e së ardhmes.
Uroj që ata që e krijuan me sakrificë e pasion teatrin shqiptar të mos mbeten një foto e varur në mur, që e përdorin në përkujtimore, por të kthehen në çfarë janë, e çfarë meritojnë, shembull për shoqërinë, frymëzim për të rinjtë, etalon i respektit dhe vlerës. Artistët janë vepra e tyre, historia e teatrit, jo ndërtesa. Teatri Kombëtar janë veprat dhe artistët! Gjithkush që ngjitet në atë skenë duhet së pari të mendojë për peshën e përgjegjësisë së historisë që mban mbi shpinë e pastaj të numërojë suksesin personal apo shfaqjen e radhës. Uroj të jem gjallë e të dëgjoj një “më fal” nga politika për artistët. Nëse nuk do e dëgjoj, uroj të mos kenë kurajë të vijnë në funeralin tim apo të asnjë artisti. Për momentin dëgjojmë “plasje”. Për sa të mundem, për këtë do punoj e luftoj qoftë edhe e vetme dhe e paragjykuar.

– A kanë ndryshuar raportet tuaja me Ministrinë e Kulturës prej ditës kur ju dolët kundra zhvendosjes së TK-së te “Turbina”?
Raportet e mia me MK? Kanë qenë gjithmonë institucionale. Kam thënë mendimin tim pozitiv apo kundërshtitë e mia, qoftë edhe në nivel personal. “Turbina” në vetvete për mua ishte kënaqësi e madhe. Ka qenë dhe është një godinë ku fillova të ëndërroj një hapësirë alternative, ku më në fund mund të punohej e krijohej përtej institucioneve shtetërore. Pas një shekulli që e bën bota, më në fund do e kishim edhe ne. Por tani, kjo ndërtesë, statusi i së cilës është ende i padeklaruar dhe askush nuk pyet e askush nuk përgjigjet, do t’i përkasë, prej hallit, sërish mainstream-it! Boh! Në këtë ditë u katandisëm dhe nuk kemi çfarë të themi. Nuk e di çfarë mendimi ka Ministria e Kulturës për mua pas kundërshtisë sime, por kjo nuk ndryshon as investimin tim si artiste, as talentin tim, as vlerat e mia edhe pse projektet e mia do varen nga Ministria e Kulturës. Unë kam pozicionin tim në këtë shoqëri dhe nëse nuk jam dakord me një vendim që më përket, do t’i bëj gjithmonë nder ministrisë duke u shprehur. Se si do reagojë ministria, është çështje e tyre, jo imja! Kanë për detyrë të më dëgjojnë. Në këtë botë secili duhet të mbajë kryqin e vet ashtu si mundet! Ministritë shkojnë e vijnë sipas politikës, unë mbetem Ema Andrea.

– Çfarë po ndodh me konkursin për drejtor?
KM deklaroi që është i kënaqur me shitjen e biletave, a thua se Teatri Kombëtar është ndërmarrja që i sjell të ardhura buxhetit të shtetit. Si thua ti, ç’do të ndodhë?
Shkrimtari Rudi Erebara ka organizuar dje protestë qytetare për teatrin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Teatrit. Më herët, ai pretendonte se artistët janë kërcënuar të mos dalin në protestë. 27 marsi është Dita Botërore e Teatrit, por e gjeti Teatrin tonë Kombëtar ende pa një zgjidhje për të ardhmen e tij. Artistët vijojnë që prej 1 muaji e gjysmë të protestojnë për shembjen e godinës histori.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.