KULTURË

“Bëjmë poezi ngushëllimi me porosi që të mbijetojmë”

14:00 - 30.03.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli- Si të mbijetosh në një botë ku të jesh artist është luks? Si të mbijetosh në një vend kur arti shitet për tre grosh?
“Bëjmë poezi me porosi”, ngjan si lajmërimet “pranojmë porosi për torta a kostume” a “qepim me porosi”, por duket se nuk ka kurrfarë diference as me të shkruarin, në një kohë kur sekush kërkon që të shkruhet për të, sipas midesë së porositësit. Nga strukturat e propagandës te qokat mediokre, shpesh duket se jetojmë mes një mashtrimi të madh, ku të gjithë bëjmë sikur, pa e kuptuar se cila është fytyra e cili është mendimi; pas maskash e qëndrimesh që nuk dihet të kujt janë dhe në mullinë e kujt e çojnë ujin.
Ndonëse ideja e skenaristit Ylljet Aliçka ka qenë mbijetesa e artistit në një kohë kur arti nuk paguhet e nuk çmohet, duket se të jetuarit me “art të porositur” përfshin një horizont më të gjerë se poezitë e ngushëllimit a skulpturat e vdekjes. A nuk bëjmë të gjithë punë me porosi? A nuk ndryshojmë veçse nga porositësi? A është vallë e mundur të ruash ‘nderin e dinjitetin’ në paç fatin të kesh gjetur porositës të mirë-përndryshe ke humbur gjithçka? A është e mundur të bësh art, të përcjellësh ide, të ngresh çështje, të bësh debate konstruktive, në një shoqëri ku zor se e gjen ku fshihet lepuri?
Vështirë t’ia dalësh ndryshe: këngëtarët mbijetojnë me dasmat e tallavatë, skulptorët e piktorët me portrete të atyre që nuk janë kërkuar prej atyre që kanë mundësi të paguajnë; ‘poetët’ me tekst kur arti s’vlen një grosh? Analiza, opinione, argumente e shkrime me porosi, i bëjmë të gjitha, pa mundur të kuptojmë se ku fillon mendimi e ku mbaron porosia.




FILMI
Filmi me metrazh të shkurtër “Poeti” ka për subjekt fatin e një poeti të talentuar, i cili, përballë vështirësive ekonomike në kushtet e reja të ekonomisë së tregut ka gjetur si mënyrë mbijetese të shkruajë poezi ngushëllimi dhe lajmërime poetike vdekjesh.
Filmi merret me peripecitë dhe aventurat e poetit në gjetjen e klientelës, pra rasteve të vdekjes. Në ballafaqimin me sfidat që i ofron ky realitet i ri ai provon histori suksesi dhe histori dështimesh. Për të qenë më i suksesshëm me punën e re, poetit, i duhet të përfitojë nga përvoja popullore e këngëve të vdekjes e të konsultohet me poezitë e shkruara në pllakat e gurët e varreve.
Gjithçka nis me takimin e poetit të njohur Beniamin N me botuesen e tij për të verifikuar nëse ka ndonjë shitje nga libri i tij i fundit. Pasi dëshmohet gjendja e vështirë financiare, poeti i pafat këshillohet të shkruajë më porosi.
Është botuesja që ia propozon punën e re, e pas zhgënjimit fillestar, poeti i dorëzohet fatit të tij. Ai zbulon më tej, se ka edhe të tjerë si veten. Mëson se nëse ai shkruan poezi ngushëllimi e shënime për pllaka varresh, ka skulptorë që tanimë i kanë kushtuar gjithë krijimtarinë skulpturave të varreve. Prej tyre, mëson se klientela sigurohet përmes zyrave të funeraleve, pavioneve të spitaleve.
Filmi “Poeti”, mbështetur në tregimin “Historia e një poeti” të autorit Ylljet Aliçka, në një plan më të gjerë synon që nëpërmjet përvojës së poetit të diagnostikohet tipologjia e urbanizmit frenetik modern, në një kohë shndërrimesh vlerash shpirtërore dhe orientimesh të reja morale, të një shoqërie ku gjithçka i nënshtrohet ligjeve të ftohta të tregut, përfshi dhe krijimtarinë artistike.
Koncepti regjisorial i Atina Laços, tregon se në një realitet ku zëri i individit mbytet nga zhurma e modernizmit fals, fati përcakton ndjeshmëritë e jetëve tona, në kërkim të një balance më të mirë shpirtërore mes vetmisë dhe tregut të ftohtë të vlerave.
Dialogët e kursyer, gati-gati një film i heshtur, montazhi i lehtë dhe linear mundëson daljen në sipërfaqe të zhgënjimeve të brendshme të heshtura të poetit, duke vënë theksin në gjendjen e tij emocionale.
Nën një ndriçim të ftohtë, ku sundon grija, përcillet zhgënjimi i një gjenerate.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.