MILOSAO

Bijtë e Adamit, mes dashurisë dhe mallkimit

12:30 - 06.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Josif Papagjoni – …Dhe rrjedh koha thuajse tinëzisht, vitet i këput vjeshta e artë si gjethet, borë e zheg jeta të falë, dhe shumë zhgënjime, dhe shumë dëshpërim e trishtim, por diku një shkëndijëz zjarri nuk shuhet. S’do! Është shkëndija e tërëkohshme e jetës dhe njeriut: Dashuria. Përtej apo bri saj syri sheh relieve të shpirtit që thërrmohen, shkretohen, bëhen gri, pa ngjyrë, teksa pesha e viteve të ka falur përvojën, pra arsye më shumë, kthjelltësi më shumë, por dhe mpakjen dhe plakjen, pra trishtim më shumë, kotësi e absurd më shumë. Në këtë rrokapjekthi vërtitet një shumicë poetësh me pallton e rëndë të mërzive, dëshpërimeve e zhgënjimeve përsipër vargjeve të tyre. Është një ndjeshmëri e natyrshme që as Besnik Mustafai s’ka se si t’i shpëtonte kësaj gracke. Kur e mbarova librin e tij poetik “Biri i Adamit”, pash dhe veten time atje. Sepse dhe unë, si shumëkush lexues, jam një sivëllai i ndjeshmërive të poetit. Poezia i ikën “fluturës”, “hënës”, “qiellit”, bëhet më e zymtë, graviteti i plagëve rritet, përsiatja dhe meditimi kthehen në qenësi për të shpjeguar a riparo se ç’ke hequr e ç‘ke bërë në këtë jetë sa të shkurtër, aq dhe të gjatë. E megjithatë, për dreq a për fat, ajo “shkëndijëza” që thamë pak më sipër, rri ndezur atje, në vatrën poetike, në tru e në zemër.




Vëllimi poetik “Biri i Adamit” përbëhet nga tri cikle: Zbulimi i burrit me 24 poezi, Jashtë orbitës me 23 poezi dhe Plagë në përfytyrim me 17 poezi. Ka shumë tema që u pranëvihen vargjeve: Dashuria e para, kujtesat e vrara si trupa të kapitur të një kohe pa ton e ngjyrë, më tutje atdheu, kombi dhe bota (të lodhur e të tjetërsuar), dhe pas tyre njerëz të fshehur në akte martirësh apo fisnikësh të pabëzajtë. Shkojnë e vijnë imazhe, dje dhe sot, ndërsa koha shndërrohet në apokrif të vetvetes, diç që përsëritet dhe gëlltit po aq vetveten. Dhe mendja e poetit rreket drejt metaforave biblike, zgjedh aty Adamin dhe brinjën e tij, Evën: njëjtësim dhe ndryshim, bashkim dhe tjetërsim, dashuri dhe mallkim, ëmbëlsi dhe hidhërim. Adami është kudo, si dhe Eva. Janë të Njëjtët tanë. Dhe ndërsa koha rrjedh dhe njeriu (mendja e tij) sfidon kozmosin, vetë Zotin, qenia habitshëm ka mbetur po ajo, në kurthin e dikotomive dhe antinomive të saj të përjetshme, një simbiozë në shenja, ndjeshmëri dhe qenësi të kundërta. Edeni, Eva, Adami, rrëfenja ku ftillëzohet njëherazi dashuria, e papritura, lumturia dhe ankthi, poeti i risjellë nëpër vargje herë pas here. Pikërisht në trajtesa të tilla lind te të menduarit poetik të Mustafait, filozofia.

Qysh në vjershën hyrëse Zbulimi i burrit poeti vrapon në zanafillën biblike, për të zbuluar të pazbuluarën, dashurinë, përmes heshtjes prej “guri të kuq”, ku gjaku ngrihet përpjetë nga zemra te gjuha, në një puthje… Jo vetëm te kjo vjershë, por në disa syresh poeti ndjek njëjtësimin me metaforat biblike, për të rindërtuar ciklet e përjetshme të qenies, e përmbi to dashurinë, ku fjala është e pamjaftueshme, pra, pa puthjen, pa buzët, pa lagështinë, të cilat, të tria së bashku, hedhin dritë mbi misterin e dashurisë që buis mbi e nën lëkurë dhe i jep ngjyrë e kuptim fjalës. Prandaj dhe ulërima e ndrydhur poetizohet si një aht shpirti, ose në një lot, në një psherëtimë malli. Sepse “dhimbja do zërin tonë prej njeriu për pohimin e vet”, atje te bota e madhe, heshtane, e kthyer në kufomë nga pamundësia e solidaritetit njerëzor dhe përtypja e mundimshme e vetmisë sonë, aq trishtuese e plot pezëm…

Poezia bëhet ironike, si e veshur me gjemba lëkurës së saj, prej nga pikon një helm vetëvrasës e një shpoti që të zhvesh lakuriq, kur dashuritë e dikurshme, le t’i quajmë “komuniste”, u thanë nga diejt e rremë të moralitetit puritan, të “detyrimeve familjare”, të radhëve nëpër dyqane, të aksioneve e zboreve, si dhe gjithë idiotësive të kohës që e kalbnin dhe e vrisnin aventurën e bukur të saj. Dhe dashuria kthehej kësodore në një rit thuajse social, në stërmundim mbijetese, teksa të lodhur nga përbindëshi i ditës burrat shtriheshin natën bri grave të tyre të rrudhosura e mishravarur që të ngroheshin disi në atë rrokapjekth absurd, kur aventura e bukur vdiste e vdiste pambarim (poezia Kush tha se vdiqën ëndërrimtarët e dashurisë së marrë). Ose kur në monotoninë e ditëve, të stinëve që këmbehen pa gjurmë, në thellësi të ankesës, diçka e madhe pritej të lindëte, paçka se adresë të qartë ajo nuk kish (Ars Poetika). Dhe dashuritë plaken e rrudhen dëshpërimisht, dashuritë e pakallura si kufomat e braktisura, ky vrer i gjelbëremë në buzët mavi të kafshuara nga djalli (Poemë politike). Filozofia e vdekjes, iluzioni i prekjes së qiellit pa skaj, shpalosen butësisht te vjersha Poemë e shkruar në avion në lartësinë 10 mijë metra, e ndarë në pesë pjesë, ku varka e Noes si një cak, shpresë dhe ardhmëri sfidohet nga teknologjia e re e fluturimeve, ku Dante, Mozarti, letrat e Don Kishotit drejtuar Dylqinjës dhe Bethoveni janë mbytur nga të tjera zhurma e tinguj dhe ku malli për të dashurën, këtë grimëz të ngrohtë, ashtu sikundër edhe zogjtë, edhe fëmijëria, dhe shtëpia ku u shkrua alfabeti i shqipes në Manastir, gjer tek ajo grimëza tjetër e tokës që quhet Atdhe, habitshëm kanë gravitetin kozmik më të madh në mallin e poetit.
Dashuria, në optikën e Mustafait, është edhe prania e bukurisë që frymëzon e tundon. Por kur ajo mbetet thjesht dhe vetëm te bukuria dhe tundimi, humbet përmasën e papërsëritshme të shpirtit, atë mistikë që e mban gjallë, ngrohtë e të bukur, humbet “aventurën e Don Kishotit” (Si lind dhe si mund të vdesë një poezi!). Ajo, dashuria, shpesh është e fshehtë, ashtu edhe padurimi i saj ngjan si rrahja e zemrës, si kërmilli nën shi. Mundimi i Sizifit është një lodër para mundimit të zemrës, kur dashuria s’është veçse një pëllëmbë larg e ti s’e prek dot!… Dashuria është dhe si përgjumja e pemës dhe frytit që flenë dimrit dhe presin të zgjohen e të harlisen, kur toka ngrohet dhe ujërat vërshojnë. Dhe Mustafai luan me alogjizmat dhe kontrapunktet, kur thotë se “Dashuria është e bukur vetëm kur nuk dashuron”, duke nënkuptuar se ajo ta plagos zemrën e të bën të vuash, të presësh.

Qasjet poetike janë të larme, veçse aty, sipas meje, ka gjithmonë një njeri të zhgënjyer ose të dëshpëruar. Dhe lexuesi sheh e ndjen se si rrjedha e viteve sjell ndryshimin e relievit të shpirtit, kur dyshimi, arsyeja dhe mosha zhvlerësojnë utopitë e djeshme, vetë pafajësinë e poezisë, gjithçka të ngritur mbi një pirg gënjeshtrash të “bukura” (Fotografitë e vjetra), apo kur fjala, atje ku buis zanafilla, mbytet nga llafazanët a llapaqenët, qofshin politikanë a qofshin policë, dhe të duhet ta rigjesh atë në tisin e kohës, sepse “fundi vjen kur harrohet fillimi” (Fjala). Poeti vuan labirintin e të vërtetës së fshehur, kur gojë statujash mbirë dikur shesheve nuk mundnin dot që të tregonin se ku ishte rruga dhe drita, kur mitet e njëhershme politike nuk e shpjegonin ferrin e kohës, atje ku e shkuara dhe e ardhmja plekseshin në stërmundim, si kuaj ecur në terr dhe ku poeti-njeri gjendej në mes: Atij që e kishin gënjyer dhe atij që kishte gënjyer (Në kërkim të kohës së humbur).
Heroi poetik vjen si natyrë e butë, pa poza. Nëpër përqafime të dashurash ai ndjehet i mbrojtur, i lirë, ndjehet vetvetja. Dashurinë nuk e kthen në rit, në zakon, por frikën e ka përherë aty pranë si kërcënim, si mungesë, si pamundësi, si vdekje. Ky Njeri jam edhe unë, edhe ti, të gjithë ne. Sepse ai është i vërtetë. Ai rreket që në botën e mbushur me kërcënimin atomik, “në zemrën e njerëzimit të zgjojë një gëzim të brishtë”. Dashuria e superon kozmosin, yjet e zjarrtë që digjen hapësirës, të paasgjësueshmen dhe të pariciklueshmen gjithësi, sepse dashuria është vetë gjithësia, zjarri që djeg dhe ngroh shpirtrat, trupat njerëzorë. Vetëm në dy vargje “Veten nuk e shoh dot ndryshe veçse me përbuzje/ si një imoral” në vjershën “Një ditë si shumë të tjera”, zvogëlimi dhe shpërfillja gjer në përbuzje e vetes krijon lartësinë dhe madhështinë e tjetrit si kontraste, në rastin tonë figurën e papërlyer, fisnike e të madhërishme të Ibrahim Rugovës. Kam ndjerë trishtim në vargjet e shkëputura nga vjersha Vij të të shoh, ku ti s’i bishtnon dot këtij kontrapunkti: “qerpikë përcëlluar e shkrepëtima rrufesh si qershi. Por më shumë, vetë poezia është një sfidë ndaj rrokullimës njerëzore, në kërkim të vetvetes:

Midis nesh s’ka bosh. S’ka pushim midis nesh.
Jashtë s’bie shi. S’ka as diell. S’ka hënë.
As qiell thjesht s’ka.
Në botën e pabanueshme të ëndrrës endemi,
pa një pikënisje, pa një pikëmbërritje.

Në libër shquan pa vështirësi figura që të godasin, të befta, më një paradoks kredhur përbrenda, çka kësisoj e krijon letërsia e guximit, si p.sh. “kam një plagë në përfytyrim”… Poezitë e shkruara në letra të zgjyrta Made in Albania, rikthehen si kujtesa të shtypura në kërkim të një kohe tjetër që rrjedh, e cila diku në harresë është zhytur, por fjalën e nënës e mbajnë si shkëndijë kraharorit. Diku poeti të huton me imazhin e përzhitur të fluturës që shkon verbërisht drejt dritës, pra drejt vdekjes, çka i ngjan epimit të gruas drejt burrit dhe anasjelltas, domethënë dashurisë. Në vjershën Në Athinë ka një demitizim ironik të kohëve heroike të Greqisë së lashtë, kontrasti mes burrit të hershëm që rrëmbente shpatën, shalonte kalin dhe bënte luftëra për një grua të bukur (Helenën), tanimë tkurret e bjerret te burri modern, gjysmë i hutuar, që vrapon në hotel të komunikojë virtualisht në facebuk. E gjitha kjo është shndërruar në një farë requiemi. Dhe përtej ironisë, ti shquan rëndomtësinë e njeriut dhe të vetë dashurisë. Përmasa e heroikes dhe të madhërishmes ka rënë. Rëndomtësia dhe përditshmëria kanë triumfuar. E një kahu tjetër, në kontrovers, është poezia për malësorët si përralltarë të shkëlqyer, ushqyer nga mitet, epet dhe baladat, por që i kënduan mashtrimit të shtatoreve të bronzta (nënkupto heronjve të mitizuar të komunizmit), duke ua vrarë njerëzve ëndrrën e vjetër të Lirisë. Tramundanën e kohës si një ijë e ligur tej mase, e mbushur me shqota lufte të pritshme dhe ankthesh, e bëjnë poetin të klith nga nevoja për tjetrin, të tejkalojë vetminë, qiellin e ftohtë e të mbarsur me cinizëm, dhe si shpëtim të kërkojë një puthje, një psherëtimë: I dashur, e dashur – ky kod i pandryshueshëm që mban jetën dhe njeriun gjallë e ngrohtë. (Nevojë për pak dashuri).
Ka shumë sinqeritet vjersha Tri motive me një fillesë. Fantoma dhe hiri i vdekjes e çon poetin në meditime e përmbysje mitesh të lashta, nga djegia e Trojës gjer te klithma e Odisesë kur ia vranë dinakërinë, e më pas poeti sikur bën një meaculpa, ikën nga përgjërimi i gruas në situatën e vështirë të sëmundjes dhe e dimensionon atë me vetë jetën që pjell “fëmijë”, që krijon jetë, gëzimi i gëzimit, ani pse faji a mëkati mbeten përherë të largët. Dhe ai e sheh në bebëz të syrit gjithë kohën e rrejshme mbushur me mite të rrejshme. Mustafai këndellet kështu nëpër metaforat e tij, prandaj dhe gruan e humbet nën sqetull me gishtat që prekin erërat dhe horizontet, tokën, qiejt dhe zogjtë, sikundër martirët e shekujve kanë sfiduar dikur vdekjen e tmerrshme. Mirëpo ai nuk është assesi martiri i djeshëm. Përkundrazi, është njeriu i thjeshtë. Edhe ai, si të gjithë, ia mbathin vrapit duke u strukur në dashuritë e grave dhe të dashurave të tyre të ëmbla. Ja, ky është dallimi, kjo është pikërisht njerëzorja, është ajo që e kemi përditë, e zakonshmja jonë, e cila krijon tërësinë dhe arsyen pse jetojmë. Dhe duhet thënë se kjo vjershë është shkruar në vitin 1987, diçka pra kundër mitologjive dhe asaj se si shkruhej asohere.

Fati në të menduarit poetik është një tjetër temë e hasur rëndom vargjeve, herë kryejashtë e herë kredhur në nënkuptime. Ai shfaqet si grua e hollë “qëndisur në ajër prej armikut tim” (figurë brilante), si lepuri i zënë në kurth, me epimin për të vrapuar diku, por mbetur aty, i ngërthyer fatalisht. Kështu luan në fakt fati me ne të gjithë, duam të vrapojmë për diku, kah një ëndrre, një drite, një horizonti, por mbetemi këmbëmbërthyer nga kurthet e jetës. Ka trishtim pafund në këto dy vargje: “Ti je hija ime,/ Trupi im i shtrirë përdhe që s’e ngre askush”. Dhe kjo brengë e hershme kur jeta kishte shumë blerim, kur klorofila e saj nis e ikën trupit e shpirtit, mendoni se sa rritet përmasa e trishtimit! Është “ikja në jerm” dhe “rrugë pa rrugë që s’më çojnë kurrkund!” (S’kam më kohë për harrim). Poeti ecejaket mes dyshimesh, një surrealiteti a jermi, le ta quajmë të bukur e pikëllues, kur nuk e di e as e rrok dot të vërtetën e ngatërruar të dashurisë: është apo s’është e tilla?! Sepse ajo vetë, njeriu dhe jeta janë e tëra një kontradiktë e pazgjidhshme shoqëruar nga pasiguria, ankthi, e panjohura. “Ku jam?/ Kush jam?/ Pa ty dhe me ty./ Pezull si një qiell vjeshte në muzg./ Edhe mbrëmja ka rënë, edhe dita nuk ka perënduar.” Udhëkryqet e fatit të lodhin, të kapitin, janë si Najadat apo Gorgonat që të ngrijnë me sy, sikurse e ndjen këtë në poezinë e vitit 1987. Vjen këtu një përjetim tjetërfarë, ka një zhgënjim nga tam-tamet e Revolucionit Botëror, nga utopitë komuniste, duke e kërkuar strehën te njerëzorja, tek e thjeshtën, ku ka një diell të freskët (Jashtë orbitës). Fati vjen nga larg apo lart, nga diku e diçka përtej teje, e parrokshme dhe e pakomanduar prej teje. Diku poeti e koncepton atë si një Eol, Perëndia e erërave që shkulmon fate, njerëz, jetë, përherë në dilemën e madhe a ishte vallë dashuria tek ai forcë apo dobësi?! Më tutje misteri i dashurisë sërish kërkon të mbështillet nën lëkurën e mitit biblik të zanafillës, ku e ëmbla e mollës së kafshuar dhe e hidhura e kafshimit të gjarprit krijojnë koreografinë e ndërlikuar e përplot hare-vuajtje të vetë jetës (Një histori romantike për shekullin XXI). Më në fund, poeti tundohet nga filozofia dhe misteret që jeta, sidomos dashuria, ndryn në bulën e saj duke shkrirë kohërat, tipologjitë, zakonet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.