EKONOMI

Bizneset gjermane: Përmirësohet klima e biznesit, por barra e taksave u shtua

14:00 - 08.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani  – Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) ka publikuar rezultatet e anketimit vjetor për klimën e biznesit dhe investimeve në Shqipëri, i cili u plotësua nga kompanitë anëtare të DIHA-s në fillim të vitit 2018. Pjesa më e madhe e të anketuarve e kanë vlerësuar pozitivisht situatën ekonomike aktuale, krahasuar me një vit më parë. Për sa u përket pritshmërive të ekonomisë shqiptare, kompanitë vërejnë përmirësim të situatës. Pjesa më e madhe e kompanive ka vlerësuar veçanërisht pritshmëritë mbi situatën ekonomike brenda sektorit si më mirë, krahasuar me një vit më parë. Rreth dy të tretat e të anketuarve i janë përgjigjur me “mirë” ose “kënaqshëm” pyetjes mbi situatën aktuale ekonomike në Shqipëri. Ky rezultat tregon një përmirësim krahasuar me vitin e mëparshëm. Në lidhje me situatën për vetë bizneset, më shumë se 30% e të anketuarve janë përgjigjur me “mirë” (me një rënie prej 8% krahasuar me një vit më parë), ndërsa për pothuajse gjysmën, situata mbetet e pandryshuar. Në krahasim me vitin e mëparshëm, të anketuarit kanë këndvështrime të ndryshme mbi pritshmëritë e situatës ekonomike brenda sektorit. Rreth 42% e të anketuarve presin përmirësim të situatës ekonomike në të ardhmen, vlerë kjo më e lartë se në vitet e shkuara (2017: 37%, 2016: 41%, 2015: 35%). Gjithsej, rreth 90% e të anketuarve kanë deklaruar se situata nuk është përkeqësuar. Pyetjes se sa tërheqëse është Shqipëria si vend për investime? Bizneset i janë përgjigjur se kushtet janë përmirësuar në krahasim me një vit më parë. Për vlerësimin e Shqipërisë si vend për investime, pjesëmarrësit në anketim u pyetën mbi 20 faktorë, të cilët këtë vit janë vlerësuar në pjesën më të madhe me nota më të larta krahasuar me një vit më parë. Vetëm pesë faktorë tregojnë një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë, të cilët janë: kostoja e punës, disiplina në pagesa, barra tatimore, sistemi dhe administrata tatimore dhe administrata publike. 13 faktorë u vlerësuan pozitivisht këtë vit dhe 2 faktorë nuk kanë ndryshuar. Faktorët e vlerësuar me notat më të larta janë: në vend të parë, kostoja e punës (2.54, me një përkeqësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar); në vend të dytë është, produktiviteti dhe motivimi i punonjësve (2.62, me një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar); në vend të tretë, kualifikimi i punonjësve (2.86, me një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar); në vend të katërt është fleksibiliteti në të drejtën e punës (3.09, me një përmirësim të dukshëm në krahasim me vitin e kaluar) dhe në vend të pestë është disponueshmëria e fuqisë punëtore të kualifikuar (2.92, me një përmirësim të lehtë në krahasim me vitin e kaluar). Si përfundim, vihet re përmirësim i faktorëve në krahasim me vitin e mëparshëm.
Barra tatimore është rritur
Në përgjithësi, të gjithë treguesit janë përmirësuar në krahasim me raportin e një viti më parë, me përjashtim të barrës tatimore, e cila vlerësohet e përkeqësuar. Edhe vlerësimi për sistemin dhe administratën tatimore rezulton i përkeqësuar. I njëjti vlerësim në përkeqësim është edhe për administratën publike. Ndërsa problemet më të mëdha për bizneset gjermane vijojnë të mbeten transparenca e prokurimeve publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pjesa më e madhe e investitorëve (50% e tyre) presin që investimet kapitale të rriten, niveli më i lartë i raportuar që kur ka filluar të matet indeksi. Pjesa më e madhe e bizneseve të investuara (47%) presin që numri i punonjësve të mbetet i pandryshuar. Vetëm 11% e bizneseve mendojnë se fuqia punëtore përgatitet mirë përmes arsimit për kërkesat e kompanive.
Bizneset
Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) është një shoqatë e pavarur, e krijuar nga kompani të ndryshme në përputhje me legjislacionin shqiptar, me seli në Tiranë. DIHA përfaqëson interesat e biznesit gjerman në Shqipëri. Ajo nxit marrëdhëniet bilaterale të biznesit dhe këshillon kompanitë gjermane dhe shqiptare në lidhje me bashkëpunime të mundshme dhe kërkime tregu. DIHA është e lidhur me rrjetin e Dhomave Gjermane të Tregtisë me Jashtë (AHK). AHK ka në të gjitha vendet, të cilat janë me interes për ekonominë gjermane. Deri më tani numërohen rreth 90 shtete me rreth 130 zyra përfaqësie në të gjithë botën.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.