KULTURË

Si u formua dhe u censurua elita, shkencëtarët nën hyqmin komunist

13:55 - 23.05.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Mëvetësimi i Shqipërisë dhe konsolidimi i saj si shtet, u ndoq njëherit edhe nga çelja e një sërë shkollash të mira që mbaheshin nën kujdesin e financimeve franceze, amerikane, angleze a italiane në Shqipëri. Si të tilla, ato vinin si formate të gatshme e me traditë. Duke marrë formimin e parë në to, dolën breza studentësh të arsimuar me standarde të larta. Më tej, një pjesë e mirë e familjeve të pasura shqiptare i dërguan fëmijët për studime në universitetet më të mira evropiane prej Francës në Vjenë, Itali, Britani e gjetkë.
Prej andej, do të ktheheshin në Shqipëri me një formim cilësor e kulturë perëndimore, pinjollë familjesh të mëdha si Selahudin Toto, Kujtim Beqiri, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Aleks Buda e Eqrem Çabej. Mbarimi i dy luftërave, shkatërrimi që lanë pas dhe rrekja e vendit për t’u bërë shtet me të gjitha institucionet, do të kishte doemos nevojën e madhe për resurset intelektuale të këtyre studentëve, përvojën e tyre perëndimore dhe qasjen ndaj atdheut të zhuritur për dije.





Me mbarimin e luftës, nevoja për ngritjen a ringritjen e institucioneve ishte e dukshme. Kësisoj u ripa domosdoshmëria e një institucioni të kërkimit shkencor, për çka më 1946 u ngrit Instituti i Studimeve e më 1948 u riorganizua si Institut i Shkencave, për kërkime dhe veprimtari shkencore të organizuara. Krahas punonjësve nga instituti i paraluftës, u përfshinë edhe të rinj nën drejtimin e Selahudin Toto. Më vonë, pjesë e tij u bënë edhe themelues të Akademisë, shkencëtarët e shquar Eqrem Çabej, Mahir Domi, Kolë Popa, etj. Pas themelimit të institucionit gjithë ç’duhej bërë ishte kërkimi në lami të ndryshme, aty ku deri atëherë studimet kishin qenë sporadike, të copëzuara e nga të huaj.
70 vjet më vonë, mund të numërojmë disa emra që spikatën me punën që bënë. Ka mes tyre që mundën vetëm ta nisin punën, sepse ardhja e regjimit komunist elitat që qenë formuar jashtë vendit, i ndrydhi dhe i censuroi, duke kërkuar t’i jepte kahjen që dëshironte, deri edhe shkencës.
Kush qenë figurat e Gjergj Kokoshit, Eqrem Çabejt, Sabiha Kasimatit, Arshi Pipës, Odhise Paskalit, Aleks Budës, Ollga Plumbit, Petraq Pepos, Gjovalin Gjadrit dhe Petraq Qafokut? Ku u shkolluan, profilet e tyre, kërkimet shkencore që nisën a mbaruan, si u sosën jetët e tyre, dhe si u mykën në dosje punët e tyre? Kush mund t’i mbijetonte presioneve, përgjimeve a shantazheve, në një epokë ku çdo gjë kontrollohej?
Për pyetje mbi këto e jo vetëm, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit ka tanimë gati një nismë. Ajo do të synojë të hedhë dritë mbi jetët që u lanë në errësirë, duke nxjerrë në pah thyerjen që ndeshën të rinjtë shqiptarë të ardhur nga jashtë. Pasi kishin studiuar në vendet ku universitetet e studimet kishin krijuar traditë, pasi kishin njohur shtetet e së drejtës, demokracinë, mendimin e lirë ata erdhën në vendin e sapodalë nga lufta, duke dashur që me punën e tyre të imitonin perëndimin- por qe e pamundur. Nga liria e paskaj, ata mbërritën në shtetin që po bëhej burgu më i skajshëm i Europës. Njohën shumë shpejt, tabu, pengesa e censurë në një sistem autoritar e totalitar. Disa u bënë barrierë për komunizmin, por duke paguar shtrenjtë mendimin e tyre të lirë. Pas përplasjeve të para, nisën edhe goditjet e para. Gjyqet kundër katolikëve, gjyqi kundër organizatës Bashkimi Demokratik (1946), gjyqi kundër inxhinierëve për tharjen e kënetës së Maliqit (1946), gjyqet e deputetëve (1947) apo gjyqi që pasoi vendosjen e bombës në ambasadën sovjetike në Tiranë në shkurt 1951 i kushtuan kombit zhdukjen e dhjetëra njerëzve nga më të shkolluarit, të një elite intelektuale shumë të domosdoshme për vendin. Kalvari nuk mbaroi me kaq, intelektualët që i shpëtuan


përndjekjes së drejtpërdrejtë u vendosën nën kontrollin e rreptë të Sigurimit të Shtetit. Ata më fatlumët arritën të largoheshin nga vendi për të vazhduar karrierën e tyre intelektuale në Europë e SHBA, duke krijuar një emër të mirë për vete dhe për kombin shqiptar. Ndërkohë në Shqipëri, regjimi po hidhte bazat e një elite të re intelektuale. Kriteri ideologjik u bë parësor në përzgjedhjen e kësaj elite të re.
STUDIMI
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Projekti PERFORM – Shkenca Sociale Aktive dhe të Përgjegjshme nënshkruan pak ditë më parë marrëveshjen e bashkëpunimit “Mbi rolin e shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954).
Bashkëpunimi synon të kontribuojë në ndërtimin e një narrative mbi rolin e shkencës, elitave intelektuale dhe kërkimit shkencor në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Një prezantim i projektit të AIDISSH u bë në Akademinë e Shkencave, në përvjetorin e Selahudin Totos, i pari titullar i Institutit të Shkencës, dënuar më 1947. I dënuar në 1947 me Grupin e Deputetëve, titullari i parë i Institutit të Shkencës ende sot nuk shfaqet në historikun e këtij institucioni.
Qëllimi i projektit është hulumtimi në pikëpamje studimore i ndikimit të ish-Sigurimit të Shtetit si arma më e fuqishme e ruajtjes së pushtetit të partisë-shtet mbi shkencën dhe përfaqësuesit më në zë të saj. Njëherësh, në studim do të tentohet që nëpërmjet hulumtimit në dosjet e Sigurimit të Shtetit të studiohen në mënyrë shkencore roli, mënyrat, diktimet si edhe përndjekja e shkencëtareve shqiptare, në gjithë fazat e jetës dhe punës së tyre.
Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit tha se nisma që rishqyrton mbi baza profesionale figura e personalitete. “Duke analizuar me imtësi punën, kontributin e shkencëtarëve dhe raportet që krijoi sistemi me ta, studiuesit arrijnë të hedhin dritë mbi sfidat me të cilat ata u përballën”. Projekti mbi kujtesën ka gjetur mbështetjen e Christoph Graf, ambasador i Zvicrës në Shqipëri, ndërsa Martin Dietz i projektit PERFORM theksoi se “Qëllimi ynë kryesor është fuqizimi i komunitetit të shkencave sociale dhe mbështetja e iniciativave të ndërmarra nga grupet e studiuesve të këtyre shkencave me aktorët e tjerë në shoqëri, përfshirë sektorin publik, privat, shoqërinë civile dhe median”.
Historiania Sonila Boçi do të drejtojë grupin e studiuesve që do të punojnë. Studimi i rolit të shkencës në zhvillimin e shoqërisë gjatë viteve të para të vendosjes së regjimit komunist (1945-1954) lidh punën kërkimore arkivore me misionin e Autoritetit për informimin e publikut dhe ruajtjen e kujtesës historike, për nisjen e një dialogu publik mbi këtë temë. Rezultati përfundimtar i bashkëpunimit do të jetë krijimi i një platforme interaktive komunikimi, e arritshme në mënyrë elektronike nga publiku i gjerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.