AKTUALITET

Dosja e plotë/ Rrëfehet vrasësi i Artan Cukut: Më premtuan 20 mijë euro

10:00 - 06.06.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ina Allkanjari – Rreth një vit pas ekzekutimit të komisarit në lirim, Artan Cuku, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të sigurojë dosjen e plotë të vrasjes, ku tregohen motivet që e shtynë të pandehurit Mikel Shallarin të merrte përsipër krimin. Në dosje përshkruhet me detaje se si u identifikua Mikel Shallari falë gjurmëve të ADN-së dhe detajet e dhëna prej tij përpara grupit hetimor. Kujtojmë se më datë 12.06.2017 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me drejtësinë, falë së cilës Shallari fitoi statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë”. 25-vjeçari tregoi me detaje krimin dhe emrat e bashkëpunëtorëve. Siç thuhet edhe në dosje, organizatori dhe porositësi i vrasjes është Bledar Jambelli (Rikardo Muho) i arrestuar tashmë dhe bashkëpunëtori është Gerti Kaji (Kristaq Leci), ky i fundit, djali i dajës së të pandehurit. Ndërkohë, ditën e djeshme Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e prokurorit Henrik Ligori për ligjërimin e aktmarrëveshjes për të dënuar me 10 vite burg Mikel Shallarin.




Kronologjia e krimit
Më datë 8.04.2017, rreth orës 20:10, në hyrjen e pallatit “Melrose”, që ndodhet në kryqëzimin e Rrugës së Kosovarëve me rrugën “Ndreko Rino”, në Tiranë, u vra me armë zjarri viktima Artan Cuku, oficer në lirim i Policisë së Shtetit. Nga hetimet e para të kryera menjëherë pas vendngjarjes, duke studiuar filmimet spontane të kamerave të sigurisë së disa subjekteve private, u bë i mundur përcaktimi i itinerarit të largimit të autorit nga vendngjarja deri në afërsi të sheshit “Wilson”. Mësohet se në atë pikë gjurmët humbnin dhe për hetuesit ishte i paqartë itinerari i largimit të mëtejshëm të tij nga vendngjarja. “Akti i ekspertimit mjekoligjor të kufomës së viktimës Artan Cuku konfirmoi se në trupin e tij u konstatuan 4 plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri. Autori e priti viktimën i pozicionuar tek shkallët përballë derës së hyrjes. Pas goditjeve të para, viktima ka tentuar të shpëtojë duke hyrë në ashensor, por ai u ndoq nga autori dhe u qëllua teksa ndodhej brenda tij. Goditjen fatale në kokë viktima e mori pasi ridoli nga ashensori, duke tentuar të përleshet me autorin”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Më tej bëhet me dije se pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar hoqi pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes sportive dhe i hodhi në një kazan plehrash, i cili ndodhej në cepin e rrugës “Zef Jubani”. Rrobat u gjetën dhe u sekuestruan, si dhe iu nënshtruan ekspertimeve teknike. I dyshuari u fiksua të largohej duke mbajtur duart në xhepat e pjesës së sipërme të buzës sportive me zinxhir, me ngjyrë blu dhe bojëqielli. Pikërisht nisur nga gjurmët biologjike të lëna në xhepat e saj u arrit të ndërtohej profili gjenetik i ADN-së së një personi mashkull. “Profili gjenetik i ADN-së së personit mashkull, i përfituar nga akti i ekspertimit biologjik u shpërnda nga ZK Interpol Tirana në zyrat homologe evropiane për të bërë krahasimin me të dhënat e bankave të tyre të ADN-së të personave të skeduar me precedentë penalë. Interpol Berna (Zvicër) konfirmoi se ky profil gjenetik ADN-je përputhej me atë të një personi të regjistruar në Zvicër me të dhënat: Mikel Shallari, lindur më 6. 11.1993 në Skrapar. Në këto rrethana, si i dyshuar në rolin e ekzekutorit të krimit u identifikua Mikel Shallari dhe prokuroria urdhëroi vëzhgimin e tij në vende publike. Më datë 10.06.2017 u urdhërua ndalimi i tij i menjëhershëm, si person i dyshuar për vrasjen e Artan Cukut, në rolin e ekzekutorit material të krimit. Urdhri i ndalimit u ekzekutua në orën 23:10 të së njëjtës datë. Ndërsa më datë 13.06.2017 gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda, Tiranë caktoi ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg”. Por akti kriminal i të arrestuarit Mikel Shallari nuk mbështetej nga ndonjë motiv, për këtë arsye u dyshua se pas tij mund të qëndronin persona të tjerë, në rolin e organizatorit dhe shtytësit”, thuhet në dosjen e prokurorisë. Ndërkohë, bëhet me dije se Mikel Shallari u mor në pyetje nga organi i akuzës. Ai fillimisht e mohoi përfshirjen e tij në krim. Më datë 12.06.2017, Shallari shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit me prokurorin. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje ai dha deklarime të hollësishme lidhur me krimin e kryer prej tij dhe bashkëpunëtorit të tij, në rolin e organizatorit, të cilët i identifikoi përkatësisht si Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci (Genti Kajo). Përsa u përket rrethanave dhe motivit të ngjarjes, Shallari dha shpjegime të hollësishme përpara grupit hetimor.

Ai pranoi se për kryerjen e krimit ishin premtuar 20.000 euro nga personi i interesuar, të cilin ai e pati njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës së tij, të pandehurit Kristaq Leci (Genti Kajo), i cili e konsideronte atë person të rëndësishëm dhe e quante “i madhi” ose “Shefi”. Ky person u identifikua më pas prej tij si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipërm të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani atje ku banonin ata. I pandehuri pranoi se ai nuk e njihte viktimën Artan Cuku. Atë ia pati treguar porositësi i krimit, duke shkarkuar një foto të tij nga interneti dhe duke i bërë të ditura automjetet me të cilat lëvizte viktima dhe vendin ku i parkonte para se të hynte në banesë. I pandehuri Bledar Jambelli pati siguruar edhe armët e krimit. Ndërsa mësohet se plani i vrasjes u thur nga mesi i dhjetëditëshit të tretë të marsit dhe fillimi i prillit 2017, me porosi të organizatorit Bedar Jambelli. I pandehuri me ndihmën e Kristaq Lecit e vëzhguan territorin rreth banesës së viktimës dhe e ruajtën atë për të gjetur rastin e volitshëm. “Një tentativë u synua të kryhej pasditen e datës 7.04.2017, ku roli e ekzekutorit e pati marrë përsipër djali i dajës së tij, Kristaq Leci, i veshur me të njëjtat rroba që të nesërmen i veshi i pandehuri. Të dy u pozicionuan tek hapësira me bar përbri parkimit, përballë godinës së një universiteti privat, ku mbanin të fshehura dhe armët. E identifikuan viktimën, i cili u ul tek një kafe aty pranë. I pandehur Leci me një armë në brez e ndoqi nga pas, por nuk e kreu aktin nga frika e identifikimit, për shkak të lëvizjeve të shumta të njerëzve në atë orë”, thuhet në dosje. Më tej thuhet se i pandehuri Shallari shpjegoi sesi ata vëzhgoheshin nga organizatori Jambelli, i cili i nxiti të qëllonin. Në mbrëmje vonë, tre të pandehurit u takuan tek një lokal, ku organizatori me tone fyese shprehu pakënaqësinë ndaj tyre dhe i nxiti që krimin ta kryenin të nesërmen. I vënë përball presionit dhe i detyruar për shkak të faktit se kishte pranuar pra nga Jambelli, i pandehuri Shallari mori përsipër ta kryente ai ekzekutimin. “I pandehuri ishte orientuar që të ndërronte numrat telefonikë një herë në dy ditë. Shallari komunikonte vetëm me të pandehurin Leci, me Bledar Jambellin nuk ka komunikuar asnjëherë dhe nuk i dinte numrat telefonikë që ai përdorte. Ditën e ngjarjes, më 8.04.2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë, i pandehuri Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje ai shoqërohej nga i pandehuri Kristaq Leci, i cili e priste tek fusha me bar aty pranë dhe e orientonte në distancë me anën e SMS-ve. Pasi viktima u shfaq dhe u fut në një minimarket pranë hyrjes së pallatit, i pandehuri u pozicionua tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes dhe me t’u shfaqur viktima, e qëlloi me të dyja armët njëherësh. Viktima mbijetoi dhe tentoi të hynte në ashensor, por i pandehuri iu vu pas dhe e qëlloi edhe aty. Më pas provohet se viktima doli nga ashensori duke tentuar të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke u dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës”, thuhet më tej në dosjen e prokurorisë. Sakaq, përpara grupit hetimor i pandehuri Shallari shpjegoi edhe motivin e krimit. Ai mësoi nga Bledar Jambelli dhe bashkëpunëtori i tij, Kristaq Leci, se viktima e pati arrestuar Jambellin, si të dyshuar për vrasjen e shtetasit Amarildo Delaj. Ky fakt provohet se ka ndodhur në kohën kur viktima kryente detyrën e drejtorit të Policisë Vlorë. Jambelli, arrestimin e tij e quante të padrejtë, të nxitur nga persona të tjerë dhe ky ishte motivi që ai kishte vendosur që ta vriste viktimën Artan Cukku, duke u shprehur me fjalë fyese për të. Në përfundim të hetimeve, Mikel Shallari u akuzua se në rolin e ekzekutorit material, kundrejt një pagese prej 20,000 eurosh dhe përfitimeve të tjera të premtuara nga organizatori Bledar Jambelli dhe ndërmjetësi Kristaq Leci, në bashkëpunim me këta të fundit, ka vrarë për shkak të detyrës oficerin në lirim të Policisë së Shtetit, viktimën Artan Cuku.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.