EKONOMI

Çmimet e biletave ajrore-Kuvendi, AAC-së: Jepini fund abuzimit

15:45 - 03.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani – Pavarësisht se shqetësimi mbi çmimin e lartë të biletave të transportit ajror është ngritur shpesh, asnjëherë nuk është kryer një analizë e detajuar mbi shkaqet e kësaj situate. Nisur nga kjo situatë, teksa nisi diskutimi mbi Kodin e ri Ajror, kreu i Komisionit parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, kërkoi nga Autoriteti i Aviacionit Civil të ndërmarrë këtë proces, për të parë më pas mundësitë e rishikimit të çmimeve. “Le që nuk ka ndodhur ndonjëherë, ka qenë një analizë e detajuar e përgjegjësive, një krahasim adekuat i çmimeve të biletave. Na duhet t’i kërkojmë Autoritetit të Aviacionit Civil, autoriteteve përkatëse, një analizë krahasimore të biletave në rajon.




E dyta, komponentët e çmimit të biletës dhe ku ndryshojnë tarifat e këtyre komponentëve për vendet e rajonit. Edhe fakti që ne do të kemi shumë shpejt dy aeroporte, kemi lançimin e aeroportit të Vlorës, kemi dhe vënien e aeroportit të Kukësit në përdorim, do jetë konkurrenca ajo që do të ulë çmimet, do të jetë heqja e monopolit, apo do të jetë ndërhyrja jonë tek disa komponentë të shtrenjtë brenda çmimit të biletës”,-tha Shalsi. Kërkesa erdhi pas prezantimit të dokumentit të ri nga kreu i Aviacionit Civil, Krislen Keri, i cili po shpjegonte një mekanizëm të ri për të mbrojtur kompanitë nga konkurrenca e pandershme nga ato kompani që aplikojnë çmime më të ulëta për udhëtarët. Por, kjo hasi në kundërshtimet e deputetëve, të cilët theksuan se problem janë çmimet e larta dhe jo ato të ulëta. “Në rast se konstatohet dhe ka indicie që në një linjë të caktuar, një kompani e caktuar është duke përdorur çmime përkohësisht të ulëta në mënyrë që të eliminojë konkurrencën tjetër, atëherë kjo është një praktikë që bie nën subjektin e pikës katër”,-u shpreh Keri. Deputeti Dritan Bici reagoi duke thënë se: “Popullit shqiptar po i nxihet jeta nga biletat e avionëve dhe unë për vete jam për ta denoncuar këtë lloj veprimtarie që shqiptarët po persekutohen nga aeroporti civil i Rinasit. Jam për të mbajtur një qëndrim si komision, në qoftë se është bërë një koncesion i gabuar, ne ta denoncojmë dhe të fillojnë hetimet për atë koncesion të gabuar që mund të jetë bërë, por jo populli shqiptar të vazhdojë të vuajë”. Në përfundim të mbledhjes Shalsi e cilësoi Autoritetin e Aviacionit Civil si një nga institucionet më të politizuar, duke kërkuar marrjen fund të punësimeve partiake dhe duke e çliruar nga punonjësit e paaftë dhe jo specialistë të fushës.

Hetimi
Autoriteti i Konkurrencës në një hetim paraprak të kryer pak ditë më parë ka dalë në konkluzionin se një e katërta e çmimit të një bilete në Shqipëri përbëhet nga taksat që vendos koncesionari i aeroportit të Tiranës. Në një vendim të datës 14 qershor, Komisioni i Konkurrencës ka kërkuar nga autoritetet që të marrin masa nga abuzimet që janë duke bërë edhe kompanitë e fluturimit ajror me çmimin e biletave që tregtojnë në Shqipëri. Për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon Autoritetit të Aviacionit Civil që brenda 90 ditëve të kryejë analizën e çmimeve që vendosin linjat ajrore dhe të parandalojë abuzimin me çmimet e larta se rezultat i pozitës dominuese që kanë shumë kompani.

Në vendim zbulohet se Aviacioni Civil nuk ka një rregullore ose metodologji për vendosjen e tarifave të biletave. Konkurrenca tregon se në monitorimin që i ka bërë një linje ajrore, Albanian Airlines, ka rezultuar se nga viti 2016 deri në 2017-ën çmimet e biletave janë rritur vetëm si arsye e rritjes së kërkesës për fluturime dhe jo e kostove të kompanisë. Abuzime të shumta janë gjetur edhe me shumë pasagjerë, të cilëve iu është anuluar fluturimi pa arsye dhe nuk kanë marrë kompensim, ndërsa vetë institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë masa për të rregulluar këtë situatë. Në pikën e fundit të vendimit, Komisioni i Konkurrencës kërkon që edhe koncesionari i Rinasit duhet të marrë masat që të shfaqë në vende të dukshme brenda aeroportit informacionin mbi të drejtat e udhëtarëve dhe informimin e tyre për anulimet e fluturimeve. Vetëm në rastin e linjës Tiranë-Vjenë është evidentuar se çmimi mesatar i biletave është 190 euro, 7.7% më i lartë se mesatarja e rajonit.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ju gjithmone e gjeni kohen per te hapur kete muhabet ne kohen qe emigrantet vijne per ne Shqiperi dhe asgje nuk ndryshoni. Me sa duket kete e beni per politike,qe te na mbushni mendjen qe po punoni. Pashe nje bilete nga data 4_19 gusht 427 €. A nuk eshte turp? Per te shkuar nga Verona. per Prage A-R + 2 net hotel 68 €,A-R France+2 net ne ostelo75€.Ebullient vete diferencen ose diskriminimin.

    Përgjigju ↓