Kryesore

Pas teatrit, çfarë do të mbesë nga Tirana e vjetër?!

15:35 - 22.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Pamja e një qyteti është materializimi i vendimeve të qytetarëve të saj. Më saktë, verdikti i pak njerëzve që i përfaqësojnë. Dhe, vendimi i këtyre njerëzve, në shumicë kartonësh e ka shfuqizuar atë të dikurshëm për caktimin e Ansamblit Monument kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës, zonë që asokohe (lexo viti 2000) sanksiononte mosprekjen me ndërtime të reja të një hapësire që sot me vendimin nr. 325 quhet Zonë e Mbrojtur dhe Zonë Historike. Pikërisht, një vit më parë, në prill të vitit 2017 Këshilli i Ministrave miratoi Vendimin “Për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”, i cili përcakton kufij të rinj për zonën historike të kryeqytetit, njëkohësisht edhe për Zonën e ashtuquajtur të Mbrojtur. Në atë kohë, me tollovinë e lajmit te ne, askush nuk pati përshtypjen se çfarë do të thoshte ky vendim. Ata, që duhet të alarmonin të parët, as u ndjenë. Ndërkohë, Tirana u përgatit në heshtje për operacionin e ri, atë që do prodhojë në javët në vazhdim realisht trandje.




Zakonisht, ndërhyrjet në qytete dhe sidomos në pjesët historike bëhen në intervale shekullore ose të paktën shumë dekadike dhe jo si ndodh tek ne, ku çdokush do t’i japë fizionominë e vet qytetit, pa marrë parasysh në mënyrë primare interesat e grupimeve të interesit dhe dobishmërinë e prekshme për qytetarët.
…Tiranën e vjetër, sot, e përbëjnë dhe ia ruajnë zulmën Kompleksi i Ministrive (që edhe këto u modifikuan pak shëmtuar me shtesat në kohën e socializmit), kuartieri i Universitetit dhe struktura ku gjendet rektorati dhe Albanologjia, me Godinën përballë të Akademisë së Arteve të Bukura. Kaq mjafton. Po Teatri? Nuk po e përmendim, pasi duket se godina e teatrit ka marrë udhën për t’u prishur. Kohë më parë, në bazë të një ligji për zonën historike shpëtuan të gjitha ato gjëra, të cilat prekeshin nga qeveritarët e atëhershëm, që nuk po iu pëlqente Tirana. Por, gati i njëjti entourage, që asokohe këmbëngulte për qendrën historike, është bashkuar me lloj-lloj argumentash për ta prishur godinën e teatrit, pasi trualli është shndërruar nën juridiksion tjetër. E, me atë që po ndodh nuk kupton më sesa ka pasur pro-prishjes së teatrit, po aq dhe dyfishin mbase për të mos u prishur.

Kurrë më parë, artistët dhe individët e shumtë të jetës social-ekonomike-politike nuk kanë qenë kaq të ndarë, por edhe kaq hipokritë para ndjenjave të tyre. Ka pasur njerëz që kërkonin të prishej dikur Piramida, por tashmë e mbrojnë me patos mosprishjen e teatrit (!), si ka shumë njerëz, që dikur bërtisnin dhe ishin pjesë e fushatës të hiqeshin apo jo kangjellat e kryeministrisë dhe tani nuk flasin dot një fjalë. E tillë është jeta në Shqipëri. Sot, të përplas përballë pushtetit, por nesër duhet të kesh kujdes sepse është projeksioni yt i vërtetë. Dhe, ky projeksion, në varësi të asaj që ke bërë në kohën e një qeverie, të konsiderohet si kredit personal, kur ndërron pushteti. Jo më kot mes artistësh kanë gëluar jo pak herë dhe akuzat për përkatësitë dhe preferencat. Do jemi sërish në këtë qytet dhe do të shikojmë metamorfozat e tjera, por Tirana vallë, çfarë ka pësuar nga kjo kakofoni zërash dhe larmi interesash. Transformim të madh, por duke i humbur pak nga pak rrënjët e saj…

Nuk kemi më lagje të tëra, ku shtëpitë me vlera historike janë prishur dhe në një katalog të Ministrisë së Kulturës pak vite më parë, ku u listuan shumë vileta, sot, në terren, mungojnë disa syresh. Po ata, s’ka kush t’i mbrojë më. Ashtu si edhe për objekte me histori dhe ndërtime shumë specifike. Kinema “17 Nëntori” u prish kohë më parë dhe tashmë ajo është përmendur pak, e për fat të keq është thjesht kujtim i së shkuarës. Ashtu si kinema “Republika”, që përmendet gjithnjë e më pak. U prishën rezidenca të tëra qeveritare dhe me radhë, por askush nuk u ndje. Nuk po flasim për Pazarin, zhdukja e të cilit u bë vite më parë, ashtu si prishja e pamëshirë e godinës së Bashkisë së Tiranës, që vetë ishte ngritur mbi hapësirën e një objekti fetar, por edhe shumë nga këto të fundit, që u sakrifikuan për hir të modernizimit të Tiranës…

Në mes të kësaj hullie, Kalaja e Tiranës, struktura që mund ta lidhte të gjithë këtë kompleks (ku si objekt është dhe Teatri), ka qenë vetë pjesë e debateve të panumërta. Edhe atë se kanë falur lehtë. Në rehabilitimin e dikurshëm të rrugës pranë saj gërmimet u bënë me ekskavator duke dëmtuar monumentin. Projekti i financuar nga Këshilli i Evropës, që përfshin disa institucione si Ministrinë e Kulturës, Institutin e Arkeologjisë apo atë të monumenteve, u ideua një platformë xhami, solli vetëm pakënaqësi, por gjithsesi u zgjidh. Asokohe u thanë shumë gjëra për të, u akuzuan shumë persona, u eliminua një projekt që do ta evidentonte atë…Por, sërish asgjë.

Megjithatë, ja ku jemi sot dhe zona e trashëgimisë kulturore në kryeqytet, ku gjendet dhe teatri po modifikohet sërish. Nuk po flasim më për Kalanë dhe ndërtimet e shumta pa leje të kryer në të, që për ironi u kryen vetëm pak dhjetëra metra nga Bashkia, po flasim për faktin se ndryshimi i herë pas hershëm i rregullave ka prishur sensin e Tiranës së Vjetër.


Mu, në këtë vend, dikur mendohej se ishte një stacion i Via Egnatia. Me shumë gjasa ai do të modifikohet, duke i humbur Tiranës dhe një nga shenjat më të hershme të ekzistencës së saj. Ashtu, si kanë humbur struktura të tëra ndërtimore, objekte të tëra historike, institucione kulti etj. Çfarë po i mbet vallë Tiranës së shekullit XXI është një fizionomi pak kitsch, që po e largon qytetin nga shenjat më nostalgjike të saj. A do ta riparojmë dot, kur çdo gjë sot justifikohet me modernizimin?! Me shumë gjasa jo, duke ia shtuar plagët qytetit tonë, që i kemi hequr gjelbërimin dhe ia kemi marrë pak nga pak identitetin, qysh prej dekadash të tëra. Mu për këtë votojnë njerëzit tanë, që japin verdiktet shpesh në kurrizet tona…


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nje “mazhorance”qe doli nga zgjedhjet e fundit parlamentare e dhjere por “krenare”nuku ka mandatin te prishe me brutalitetin e injorances se saje Teatrin Kombetare dhe qendren historike te Saj.Ne kete konteks lind pyetja,a mundet qe kjo palomazhirance qe ka mare apo rrembyer 51 perqind te 49 perqindeshit qe moren pjese ne ato palo zgjedhje te fituara nga fuqia e ndyre lekut te piset dhe pushteteve brenda djallit te prishe Teatrin Kombetare e qendren hitorike te Tiranes?Une theme kurresesi jo,per qendrat historike as nje referendum i kontrolluar nga keta ujqer e cakej nuke do te ishte i ligjshem,per sa kohe qe Vettingu nuku eshte bere ndaj kesaje lukunije politikanesh te superkorruptuar e te binjakezuar me riciklimin e botes se krim-korrupsionit-ekstremist-mafjozo-imoralo-politik ne te tre pushtetet,nen moton nga i jati,tek i biri dhe nje djalle e gjysem pas.Dita e gjykimit per kete sere pushtetaresh eshte e afert por ata te marre sebashku nuku duan ta besojne,qe per krimet e superkorrupsionet e tyre nga fuqia e ndyre e pushteteve nuku do te kete leke te piset dhe pushtet brenda djallit qe ti shpetoje nga bange e akuzes.Beson e bindunii o mije kenetash e mizakali dhe reflektoni sa nuku eshte vone,qe Populli,SHBA,BE e Ligji dhe Zoti t’ju meshirojne.

    Përgjigju ↓