Senad Nikshiqi – Një vrasje me thikë ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Ura e Thive” në lagjen “Mark Lula”. Viktima është 54- vjeçari Prendush Fushaj. Ky shtetas ka marrë një goditje poshtë zemrës me thikë duke bërë që të mos arrijë ta përballojë dhe të humbasë jetën. Fushaj është sulmuar në afërsi të banesës së tij. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur një ambulancë e spitalit rajonal të Shkodrës duke bërë të mundur transportimin e 54-vjeçarit në urgjencën e spitalit.
Në pak minuta mjekët kanë konfirmuar ndarjen nga jeta të Prendush Fushaj duke qenë se goditjen me thikë e ka marrë në zemër dhe ka humbur sasi të konsiderueshme gjaku. Forcat e policisë menjëherë pas informacioneve të marra në rrugë operative në terren kanë arritur të bëjnë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar. Sipas efektivëve është 30-vjeçari Fredi Pllumi. Burimet policore bëjnë me dije se ditët e fundit në banesën e viktimës është vjedhur një shumë e konsiderueshme parash.
Pas kësaj ngjarje viktima Prendush Fushaj ka shkuar në policinë vendore të Shkodrës dhe ka bërë një padi duke përmendur si autor të mundshëm të vjedhjes pikërisht 30- vjeçarin Fredi Pllumi dhe disa persona të tjerë. Forcat e policisë kanë shoqëruar në ambientet e policisë shtetasin që 54- vjeçari e ka përmendur si autor të vjedhjes, por Fredi Pllumi ka deklaruar për oficerët se ai nuk është autori i vjedhjes dhe se nuk ka asnjë lidhje me atë ngjarje të ndodhur në banesën e Prendush Fushaj.
LEXO edhe: 54-vjeçari që u vra me thikë e kishte denoncuar një ditë më parë autorin, por policia e la të lirë