DOSSIER

Ekskluzive/ Raporti sekret, Koleka: Ja 21 pyetjet që më bënë në Pogradec për Mehmetin e Kadriun

15:48 - 30.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Vetëm pak javë pas ngjarjes së 18 dhjetorit të largët vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu u gjet i vdekur në dhomën e tij të gjumit nga plumb-a pistolete në rrethana tepër misterioze për të cilat dhe sot pas 37 vjetësh vazhdohet të diskutohe ende, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të gjitha organizatat bazë të Partisë, në mbarë vendin, u mbajtën dhe u zhvilluan mbledhje të shumta, ku diskutohej; “nën frymën e fjalës së shokut Enver Hoxha, për armikun Mehmet Shehu”, të cilat do t’i shërbenin më pas Enverit për të shkruar “Tablonë Sinoptike për poliagjentin Mehmet Shehu”?!




Në të gjitha këto mbledhje, veç të tjerash, ashtu siç bëhet e ditur edhe nga një mori dokumentesh me siglën “Tepër sekret”, që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit, Arkivin e Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes, pjesëmarrës e diskutantë të shumtë që kanë marrë fjalën aty, kanë hedhur lloj-lloj akuzash, me të vërteta dhe të pavërteta, denoncime, spiunime, shpifje, trillime, thashetheme, intriga, sajesa e gjithfarë u kanë ardhur për shtat, të gjitha këto në drejtim dhe kundër ishkryeministrit të vdekur, Mehmet Shehu, familjes së tij dhe atyre që u konsideruan bashkëpunëtorë të tyre, duke përmendur me dhjetëra emra, ushtarakë, funksionarë të lartë, etj. etj. Po kështu, këto mbledhje u intensifikuan së tepërmi, sidomos pas tetorit të vitit 1982, kur u arrestua dhe ministri i Mbrojtjes Kadri Hazbiu, (i cili për gati tri dekada me radhë kishte mbajtur postin delikat të ministrit të Brendshëm), ku dhe ndaj tij, u përsërit e njëjta tablo, si me ish kryeministri Mehmet Shehu.

Dhe pas zhvillimit të këtyr mbledhjeve, komitetet e partisë të rretheve përkatëse, kanë hartuar një sërë raportesh me përmbledhje nga “problemet më kryesore”, të cilat më pas ia kanë dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së. Për të gjitha këto mbledhje, gazeta “Panorama” disponon një numër të madh dokumentesh të nxjerra nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret”, ku ish-anëtarë të Byrosë Politike, sekretarë të Komitetit Qendror të asaj kohe, si Spiro Koleka, Enver Halili, Vangjel Çerrava etj., etj., informojnë Komitetin Qendror për mbledhjet ku kanë marrë pjesë, duke dhënë me detaje dhe hollësira gjithçka është thënë dhe diskutuar aty.

Po kështu përveç këtyre raporteve, në dosjen në fjalë, gjenden edhe një sërë raportesh të hartuara nga funksionarë të rangjeve më të ulta që nga Komiteti Qendror e më poshtë, apo dhe raporte kolegjiale të Degëve të Punëve të Brendshme në rrethe, shtabeve, komandave dhe komiteteve të partisë së Korpusve ushtarake, që ishin edhe njësitë më të mëdha që kishte Ushtria shqiptare asokohe. Nga kjo dosje voluminoze që “Gazeta Shqiptare” e disponon të plotë, në numrin e sotëm fillimisht po publikojmë raport-informacionin e ish-anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Spiro Koleka, dërguar Komitetit Qendror, lidhur me aktivin e partisë të rrethit të Pogradecit, ku ai ka marrë pjesë si i deleguar, më 25 shtator të vitit 1982.

Për të vazhduar në numrat në vijim, (në tre shkrime radhazi) me raport-informacionin “Tepër sekret” të sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të Korçës, Enver Halili, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së (personalisht Enver Hoxhës) lidhur me punën dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit në rrethin e Korçës si dhe “implikimin” e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj, me punonjës të Sigurimit dhe persona të tjerë në atë rreth dhe më gjerë.

PARTIA E PUNES SHQIPERISE Tepër Sekret KOMITETI I PARTISE RRETHIT Ekz. Nr. 1 Nr. 675 Pogradec, më 28.9.1982

Lënda: Informacion “Mbi punimin e vendimit të Pleniumit të KQ të PPSH”

KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHQIPERISE GRUPIT TE INSTRUKTOREVE TIRANE

Më datën 25 shtator 1982 sipas orientimeve të Komitetit Qendror të PPShsë, u mbajt aktivi i partisë së rrethit, ku u punua vendimi i Pleniumit të 4-të të KQ të Partisë dhe fjala e shokut Enver “Tabllo Sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”. Aktivi i Partisë në rreth u solidarizua plotësisht me materialet e këtij Pleniumi dhe me indinjatë dhe urrejtje të thellë dënoi veprimtarinë agjenturore e komplotiste të armikut Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorëve bashkëpunëtorëve të tij.

Nga aktivi i komunistëve u miratua një rezolutë drejtuar Komitetit Qëndror të PPSH-së ku shprehet dashuria e pakufijshme për partinë tonë tonë sokoleshë dhe udhëheqësin tonë të dashur shokun Enver Hoxha, i cili me guxim dhe zgjuarsi zbuloi dhe dënoi veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu e bandës së tij kriminale. Më 26 dhe 27 shtator 1982, në të gjitha organizatat bazë të partisë të rrethit u punuan materialet e Pleniumit të 4-të të KQ të Partisë ku asistuan të deleguar të Komitetit të Partisë të rrethit.

Nga organizatat-bazë të partisë janë dërguar për Komitetin Qëndror të Partisë, e Komitetin e Partisë të rrethit 41 letra e rezoluta. Në të gjithë organizatat- bazë të Partisë, komunistët u solidarizuan unanimisht me vendimin e Komitetin Qendror të Partisë dhe fjalimin e shokut Enver në këtë Plenium. Kudo u tregua dashuria e zjarrtë për Partinë, Komitetin e saj Qëndror me shokun Enver Hoxha në krye, besimi i patundur tek udhëheqja e ndritur e partisë në rrugën e lavdishme të socializmit. “Jam shumë e lumtur – tha ndërmjet të tjerave një komuniste – që jam anëtare e PPSH-së dhe ushtare e shokut Enver. Mbasi dëgjova fjalimin u mbusha me gëzim dhe krenari që kemi një Parti e udhëheqës si shoku Enver, i cili gjithmonë me vigjëlencë revolucionare e drejtësi të patundur ndaj Marksizëm-Leninizmit ecën në rrugën e ndritur të socializmit”.

Një komunist tjetër shprehet: “Ne kemi  fatin e madh që në krye kemi shokun Enver Hoxha. Për Partinë dhe shokun Enver nuk do të kursejmë asgjë dhe do të jemi me të sa të jetë jeta”. Një komuniste, nënë me shumë fëmijë, kur dëgjoi se agjenti Mehmet Shehu kishte si qëllim që agjenti e banditi Mehmet Shehu kishte si qëllim të asgjësonte shokun Enver, u trondit dhe filloj të qajë. Shprehje e qëndrime të tilla që tregojnë dashurinë e thellë për Partinë dhe shokun Enver ka pasur nga shumë komunistë. Si nga aktivi i Partisë në rreth, ashtu dhe nga organizatat bazë të Partisë i propozohet Komitetit Qendror të Partisë, që për merita të shquara e revolucionar i madh, shokut Enver t’i jepet edhe njëherë titulli “Hero i Popullit”, ose një tjetër më i lartë.

Aktivi dhe gjithë komunistët e rrethit tonë dënuan ashpër veprimtarinë agjenturore të armikut të përbindshëm Mehmet Shehu dhe komplotistëve të urryer, bashkëpunëtorëve të tij. Një komunist i moshur duke folur me urrejtje për tradhëtarin dhe kriminelin e pabesë Mehmet Shehu, tha: “Haram i qoftë buka që ka ngrënë nga populli ky armik i betuar i Partisë”. Nga organizatat bazë të partisë është propozuar që mbi bashkëpunëtorët komplotistë të Mehmet Shehut e lakejtë e tij, të godasë shpata e drejtësisë sonë popullore duke dhënë dënimet më të rënda.

Kudo, komunistët u zotuan se do të studjojnë e thellohen pa rreshur në dokumentat e Partisë dhe vepra e shokut Enver, do të zhvillojnë drejt luftën e klasave dhe duke vlerësuar me seriozitet çdo dukuri negative, do të jenë kurdoherë në ballë të punës e të luftës për realizimin e tejkalimin e detyrave, do të luftojnë e punojnë pa u lodhur për forcimin e çelnikosjen e mëtejshme të unitetit Parti-Popull, do të jenë vazhdimisht revolucionarë të vendosur për mbrojtjen e vijës së Partisë. Gjatë punimit të fjalës së shokut Enver në pleniumin e 4-të të Komitetit Qendror të Partisë, në disa organizata bazë partie dualën këto pyetje të cilat u sqaruan:

1) Si i ka bërë bashkëpunëtorë armiku Mehmet Shehu pjestarët e familjes së tij?

2) Si do ta realizonte likuidimin e shokut Enver nëpërmjet helmimit? 3) Llambi Ziçishti e të tjerë ku ndodhen tani?

4) Për çfarë pune shkoi në Francë Fiqret Shehu, kur morri helmin? A u shoqërua kjo nga personeli i ambasadës?

5) Si do të veprohet me masën për t’u njohur me këto materiale?

6) Partia e dinte këtë gjë dhe a kishte dyshime për ta si armiq?

7) Pse është vendosur Feçor Shehu Ministër i Punve të Brendshme?

8) Çfarë dëme ka shkaktuar ky grup armiqësor në ekonomi? 9) Në ç’kohë erdhi Ivanovi këtu?

10) A dihej nga partia që kur u arrestua grupi i Beqir Ballukut se Mehmet Shehu ishte i lidhur me të?

11) Si e kishte siguruar radion Mehmet Shehu?

12) Ku punonte Llambi Peçini?

Janë bërë edhe këto pyetje, të cilat kanë nevojë për sqarime të plota:

1) Si do të konsiderohet Nako Spiro?

2) Si është sjellë me kuadrot e shkollës së partisë armikja Fiqrete Shehu?

3) Shoku Kadri Hazbiu a bie në fis me armikun Mehmet Shehu?

4) Çfarë lidhje kanë Mehmet Shehu dhe Feçor Shehu?

5) A kishte ndonjë farë dyshimi Partia në kohën kur Nexhip Vinçani kërkonte me këmbëngulje që armiku Mehmet Shehu të vinte përsëri në ushtri?

6) Mos ka ndikuar ky grup agjenturor në vdekjen e parakohëshme të shokëve Hysni Kapo dhe Gogo Nushi?

7) Shtetet e huaja a kanë bërë komente të tjera për vetëvrasjen e Mehmet Shehut?

8) Grupet e tjera armiqësore a kanë deponuar ndonjë gjë për Mehmet Shehun?

9) Si është e mundur që Avni Vërçuni erdhi në Pogradec si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të k.p. të rrethit mbas Konferencës së Tiranës më 1956, kur ai kishte marrë masë partie për pjesëmarrje në këtë veprimtari? Në organizatën bazë të shtabit të Kufirit u ngrit: a) Të dalë përgjegjësia e shokëve Kadri Hazbiu, Raqi Iftica dhe Rexhep Kolli, si punonjës të MPB, që kanë punuar për një kohë të gjatë në këtë Ministri? b) Edhe pas dënimit të Mehmet Shehut, shoku Raqi Iftica ka shfaqje të arrogancës dhe të “unit” në dhënien e urdhrave.

Ai është shprehur: “Unë do t’ju çoj te Ministri, të shihni kush do të fitojë, etj, ose mblidhni shokët e t’ju japë një vllagë që të kryejnë detyrat”. Organizata bazë e Partisë e Sigurimit në Degën e Punve të Brendshme ngriti këto probleme: a) Armiku Feçorr Shehu, Llambi Peçini dhe Elham Gjika, në një rast para një viti, kur nga ana e Degës së punve të Brendshme Pogradec u kapën 4 shkelës kufiri dhe nga verifikimi që u bë doli se ishin nga Vlora dhe kishin tendencë arratisje, me urdhër të këtyre armiqve u lanë të lirë, duke thënë se u këshilluan. b) U dhanë mendime nga organizata-bazë e partisë se duhet thelluar kritika dhe të dalë përgjegjësia e zëvendësministrave të Punëve të Brendshme që ishin me punë pranë aktivitetit të armikut Feçorr Shehu. c) U ngrit se në dosjen hetimore të agjentit Marko Koli Laçka nga qyteti i Pogradecit, aktualisht i ridënuar nga gjykata e rreshtit Krujë, dhe vuan dënimin në repartin 313 Tiranë, rezulton se ai ka deponuar…?! Vijon…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.