Intervista

Nisin regjistrimet në gjimnaze, fluks kërkesash te “Sami Frashëri”

11:50 - 03.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej disa ditësh kanë nisur regjistrimet në gjimnaze për të gjithë nxënësit që kanë përfunduar arsimin 9-vjeçar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, drejtoresha e një prej gjimnazeve më të kërkuara në kryeqytet, Teuta Dobi tregon se numri i kërkesave i ka tejkaluar pritshmëritë. Deri më tani numri i nxënësve që nuk vijnë nga 3 shkollat e përcaktuara, ka arritur në 550, në një kohë që kuotat në këtë gjimnaz janë mesatarisht 500. Por drejtoresha sqaron se kanë përparësi për t’u regjistruar nxënësit që sipas MASR vijnë nga shkollat 9 vjeçare “Fan Noli”; “Servete Maçi” dhe “Lidhja e Prizrenit”. Regjistrimet do të vijojnë deri në fillimin e shkollës, ndërkohë që për t’u bërë pjesë e gjimnazeve mjafton vetëm dëftesa e lirimit. Ndërkaq Dobi bën me dije, se sipas kurrikulës së re, në vitin e parë 28 orë janë bërthamë, ndërsa 2- 4 orë janë në dispozicion të lëndëve me zgjedhje ku përfshihen gjuhë e huaj e dytë; në një kohë që nxënësi ka të drejtë të zgjedhë edhe artet apo ndonjë modul kurrikular sipas mundësive që ofron shkolla.




Si po vijon procesi i regjistrimeve në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet? A ka shumë kërkesa krahasuar me një vit më parë?
Nga eksperienca e viteve të kaluara në gjimnazin “Sami Frashëri” në kryeqytet, ka kërkesa shumë të larta për t’u regjistruar. Normalisht që për këtë arsye, ne e kemi filluar procesin e regjistrimit pak më herët se gjimnazet e tjera, që në datën 27 gusht. Sipas udhëzimit të DAR-it, mësuesit e kanë filluar punën në 30 gusht dhe regjistrimet sipas këtij udhëzimi fillojnë në 1 shtator. Sipas specifikave që ka gjimnazi dhe duke qenë se ka 15 paralele, duhet që paraprakisht të bëhet një ndarje e klasave dhe kjo kërkon kohë, kështu ngrihet një komision që bën studimin.

Sa janë kapacitetet që do të ofrojë ky gjimnaz për vitin e parë? Sa nxënës mund të regjistrohen në total?
Sipas parashikimit, në gjimnazin “Sami Frashëri”, për vitin e ri mësimor 2018-2019, do të regjistrohen rreth 500 nxënës. Vlen të theksoj se sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, fillimisht duhet të bëhet regjistrimi i nxënësve që vijnë nga shkollat 9-vjeçare që iu takon, përkatësisht bëhet fjalë për 9-vjeçaren “Fan Noli”; “Servete Maçi” dhe “Lidhja e Prizrenit”. Numri i regjistrimeve nga shkollat që iu takon të vijnë në këtë gjimnaz në ditët e para ka qenë paksa e ulët, e kjo besoj për faktin se ata e kanë të qartë që do të jenë pjesë e “Sami Frashërit”.

A mund të regjistrohen nxënës në “Sami Frashëri”, të cilët nuk kanë qenë pjesë e një prej tre shkollave 9-vjeçare të sipërpërmendura?
Hapësira për të marrë nxënës jashtë kritereve që përmenda më sipër, është shumë e kufizuar. Por mund të pranohen nxënës që vijnë nga po e njëjta njësi bashkiake dhe mesatarja. Duke qenë se jemi një shkollë elitare, ne mund të zgjedhim dhe kërkojmë që të arrijmë rezultate të shkëlqyera. Pra, nëse nxënësi është banor i lagjes, dhe i ka notat të gjitha 10-ta, mund të pranohet në Sami Frashëri. Është mirë që t’iu japim mundësinë ekselentëve. Kështu që kërkoj mirëkuptimin e të gjithë prindërve pasi nuk mund të plotësohen kërkesat e tyre gjithmonë.

Sa është numri i nxënësve që kanë aplikuar në këtë gjimnaz, por që nuk i plotësojnë kriteret për t’u bërë pjesë e tij?
Deri më tani, numri i nxënësve, që kanë kërkuar të regjistrohen në “Sami Frashëri” edhe pse nuk i plotësojnë kriteret (nuk vijnë nga shkollat e përcaktuara) ka arritur në 550. Por normalisht do të zbatohet me përpikëri udhëzimi i MASR dhe i vetë ministres Nikolla, ku theksohet se numri i nxënësve në klasa nuk duhet të jetë më shumë se 35. Kuptohet se në një klasë me 45 nxënës ngarkesa për mësuesin është shumë më e madhe, nuk mund të realizohet një proces normal mësimor pasi nuk iu bie as radha nxënësve që të pyeten.

Kur është afati i fundit i regjistrimeve në gjimnaze?
Regjistrimet do të vijojnë deri në fillimin e shkollës, por nëse plotësohen kuotat nuk ka kuptim që procesi të vazhdojë më tej. Deri më tani kanë kaluar pritshmëritë e kërkesave e aplikimeve për t’u bërë pjesë e këtij gjimnazi.

Cilat janë disa prej lëndëve me zgjedhje që mund të zgjedhin nxënësit e vitit të parë për vitin e ri mësimor 2018-2019?
Sipas kurrikulës së re, në vitin e parë 28 orë janë bërthamë, ndërsa 2-4 orë janë në dispozicion të lëndëve me zgjedhje ku përfshihen gjuhë e huaj e dytë; por nxënësi ka të drejtë të zgjedhë edhe artet apo ndonjë modul kurrikular sipas mundësive që ofron shkolla. Sipas meje, më fitimprurëse dhe më me interes për nxënësit, është që të dalin me dy gjuhë të huaja nga shkolla e për këtë arsye, në 13 paralele, ndahen me gjuhë të parë (anglisht) dhe gjuhë të dytë (gjermanisht, frëngjisht apo italisht). Ndërkohë është edhe një klasë tjetër që ka gjuhë të parë frëngjishten.

Në gjimnazin “Sami Frashëri” janë edhe 2 klasa që mësojnë sipas një projekti gjerman. Cilat janë kriteret për t’u bërë pjesë e këtij projekti për të gjithë të interesuarit?
Projekti gjerman në Sami Frashëri merr 2 klasa, 2 paralele në çdo vit, por ky projekt fillon që në klasën e pestë fillore përkatësisht në shkollat 9-vjeçare “Fan Noli”, “Avni Rustemi” dhe “Jeronim de Rada”, që shkojnë rreth 90 nxënës. Këta të fundit në klasën e nëntë në muajin mars i nënshtrohen një testimi, DSD1. Nga praktika e këtyre viteve, rreth 50% e nxënësve arrijnë ta kalojnë provimin për të vazhduar shkollën te projekti gjerman në gjimnazin tonë. Aktualisht për vitin e ri mësimor 2018-2019 kanë fituar 44 nxënës, pra me 22 nxënës çdo klasë. Vlen të theksoj se nxënësit duhet të kenë një nivel shumë të mirë të gjuhës gjermane pasi ka lëndë që zhvillohen në gjermanisht.

Si po e pret gjimnazi juaj vitin e ri shkollor? A janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të pritur nxënësit?
Gjimnazi “Sami Frashëri” po e pret vitin e ri shkollor me shumë ndryshime infrastrukturore, pra është punuar natë e ditë. Dyert u ndryshuan, ambientet e brendshme të shkollës po lyhen, fasada e jashtme është gati, terreni sportiv u rehabilitua po ashtu. Ndërkohë po bëhet izolimi i tarracës. Shkolla është gati për të pritur nxënësit, si nga ana infrastrukturore dhe ajo e stafit pedagogjik. Planet mësimore janë të ndara, çdo nxënës e di ku do të orientohet. Kemi bërë dhe planin për provimet e vjeshtës (për nxënësit mbetës në klasat e X dhe XI).


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.