KULTURË

Protesta per teatrin/ Balerina italiane dhe Irma Libohova i bashkohen kauzës

14:00 - 08.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Dita e 85-të e protestës për mbrojtjen e dy teatrove kombëtare, që një ligj i kthyer me dekret nga presidenti iu kanos të ardhmen, ka ngjitur në skenë tri balerina italiane dhe këngëtaren shqiptare, Irma Libohova. Ndonëse dekreti pritet të diskutohet në Kuvend, artistët që i kanë nisur protestat në muajin shkurt me takime të përjavshme e prej 85 ditësh përditë kanë vendosur të mos dorëzohen. Fjalime e performanca artistike u kanë zënë vendin artistë që në këta muaj u tërhoqën nga mbrojtja e godinave historike.




NË MBËSHTETJE TË KOSOVËS
Alert Çeloaliaj në fillim të protestës së djeshme tha se vijmë prapë këtu për ndërgjegjësim e për të mbrojtur çka është e jona dhe e të gjithëve ne.
“Çështjet që na takojnë kërkojnë një kohezion të përgjithshëm. Është hera e parë që një protestë zgjat 85 ditë pas 13 javësh takimesh një herë në javë. Një element i rëndësishëm për vrasjen e frikës në një vend me liri shprehjeje. Duhet të mësojmë nga Kosova se si luftojnë së bashku për atë që është e të gjithëve”. Me të thënë këtë, Çeloaliaj lexon letrën që artistët grevistë kosovarë- të gjitha artet skenike- i dërgojnë ministrit kosovar Kujtim Gashi, ku kërkohej mbrojtje institucionale e ligjore, ngritje e pagës bazë, për çka është gënjyer për muaj e muaj me radhë. Këshilli grevist i sindikatave të artit ka shpallur grevë të përgjithshme duke pezulluar çdo aktivitet artistik deri në plotësimin e kërkesave.

PERFORMANCAT
Paraditen e djeshme u bë me dije se trupa e baletit modern italian “ResExtensa” dhe Irma Libohova do të jenë në shesh në mbrojtje të teatrove kombëtare
“Jam këtu në shenjë respekti për bashkëshortin, për të gjithë artistët e kauzën e tyre”,-tha Irma Libohova me t’u ngjitur në skenë. Ajo shtoi se erdhi “në mbështetje të kauzës së artistëve duke qenë se im shoq ka qenë aktor. Jam në mbrojtje të kauzës, në mbrojtje të institucioneve tona dhe jashtë çdo kornize politike”.

Më herët tri balerinat e “ResExtensa”, interpretuan një pjesë kontemporane. Pjesa zgjati pothuaj një orë me një koncept kushtuar femrës si qenie që jep jetë. E nisur në terr, tri balerinat italiane dhanë mesazhe për mbrojtjen e jetës dhe në fund u mbyll me tekstin “Shpëtoni artin dhe bukurinë dhe ji i ëmbël” nën dritat që zbeheshin. “Jeta ka nevojë për një trup, por ju mbrojini e duajini edhe trupat e tjerë”, tha Elisa Barucchieri që ishte edhe koreografe e baletit “Prospekti i dritës”, nën konceptin se krijesa e parë qe drita.

Ditën e enjte, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë me dije se solidarizohet dhe i bashkohet thirrjes së banorëve të Kukësit për të protestuar në 17 shtator kundra taksës së padrejtë në Rrugën e Kombit.
“Qytetarë të Tiranës e gjithë Shqipërisë, është jetike të mbështesim njëri-tjetrin në kauza të tilla të drejta. Vetëm të bashkuar do mund të detyrojmë qeveritë e këtij vendi të sprapsen nga vendime të tilla.

Bashkohuni me qytetarët e Kukësit për të mbrojtur edhe të drejtat tuaja!”,-shkroi në faqen e saj Aleanca.
Po të enjten në takimin e përnatshëm, Aleanca bëri thirrje që askush të mos frikësohet nga investimet në art e kulturë, qoftë edhe kur kryhen me fonde publike. Robert Budina tregoi se si këto investime jo vetëm që mund të kthejnë mbrapsht fondet e investuara, por të krijojnë fitim për artistët dhe komunitetet e përfshira në xhirimet e filmave. “Ama, si në çdo fushë, ka një kusht: menaxhim i lirë dhe i pavarur – diçka që qeveria aktuale e përbuz teksa po përpiqet të kontrollojë çdo aktivitet që ndodh sot në vend”,-vërejti Aleanca duke shtuar se për të justifikuar shembjen e Teatrit, qeveria përdorte rëndom justifikim se nuk kishte fonde dhe se ky ishte një investim tepër i madh.
Kastriot Çipi shpjegoi në prezantimin e tij, se Shqipëria nuk harxhon për artin as aq sa harxhon Maqedonia – një vend me popullsi dhe GDP më të ulëta se ne. Akoma më tej, Maqedonia po hap salla të reja në zonat e banuara nga shqiptarët. Në Shqipëri po i mbyllim. “Kur as standardet e Maqedonisë nuk kapim dot, është e qartë që mungesa e fondeve është justifikim e jo problem”,-u tha atë mbrëmje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.