KULTURË

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit: Duam rrëzimin e ligjit

18:00 - 09.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pas deklaratës që kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj bëri të premten për çështjen e ligjit për teatrot kombëtarë, ka reaguar edhe Aleanca për mbrojtjen e tyre. Në një deklaratë ajo thotë se njoftimi i shpërndarë nga zyra e shtypit e Bashkisë së Tiranës rikonfirmoi edhe njëherë qëllimin e drejtë të qëndresës së protestuesve. “Kryetari i Bashkisë dje ka njoftuar mediat dhe publikun se ‘besoj në një draft të dakordësuar me Komisionin Evropian. Ne shumë shpejt do të kemi bazën ligjore të nevojshme, procesin e nevojshëm transparent dhe të hapur për të gjithë’…”- thotë Aleanca.
Në mënyrë të tërthortë, me këtë njoftim, sipas Aleancës, Kryetari i Bashkisë ka konfirmuar se: • “Ligji special” aktual ishte një çmenduri, një kontratë vjedhjeje e mbrojtur në formë ligji, i cili shkelte qartësisht Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Prandaj ishte përherë e pamundur që Komisioni Evropian të mbyllte syrin ndaj një shkelje të tillë; • Duke rikërkuar hapjen e një diskutimi transparent e gjithëpërfshirës me artistët dhe qytetarët Kryetari i Bashkisë rikonfirmon se, në fakt, nuk ka pasur kurrë një debat të tillë më parë; • Çfarëdo që të ndodhë tashmë, ky ligj do të jetë përherë një njollë turpi për ata që e ideuan, nisën dhe mbështetën si akt. Vjedhja dhe abuzimi i pushtetit nëpërmjet këtij ligji janë tërësisht evidente. Precedenti që ai krijonte në shkeljen e barazisë, të drejtës së pronës, të drejtës së konkurrencës, do ishin të tmerrshme për çdo qytetar të Shqipërisë”.




Aleanca bën me dije se për këto arsye ka besuar përherë se kauza e Teatrit është kauza e gjithsecilit. Sipas saj, nëse qeveria mund të kryente një akt të tillë në mes të Tiranës, nuk do të kishte asnjë pronë apo të drejtë që nuk mund të rrezikohej në çdo cep të vendit.

Aleanca rikonfirmon për publikun se do të vazhdojë betejën e saj deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit. “Kjo do të thotë rrëzimin përfundimtar të ligjit dhe restaurimin e plotë të godinës së Teatrit Kombëtar. Vetëm në këtë mënyrë ideja për shembjen e saj do të mbyllet përfundimisht. Çdo zgjidhje më e pakët se kaq, duke mos e prekur godinën, por duke e lënë të degradojë, do të ishte thjesht një shtyrje e problemit për një kohë të mëvonshme. Aleanca është e gatshme të diskutojë dhe propozojë që sot të gjitha rrugët që çojnë në këtë përfundim”- e mbyll deklaratën grupi i protestuesve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.