MILOSAO

Nata me katër hëna

18:00 - 09.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Poezia e Moikom Zeqos vjen e përkthyer në greqisht nga Petro Çerkezi. Në një traditë që kemi krijuar po e botojmë në dy gjuhë, në shenjë nderimi për gjuhët dhe përkthyesin, por edhe si nderim për kulturat tona –




Nga Moikom Zeqo*

I PADUKSHËM

Tunden në horizont erërat, me pranga rrufesh, – s’dalin nga burgu i natës!

Unë jam i padukshëm, – radioaktivitet mendor, – tek të gjithë ju, dhe nëse jeni në gjumë, ose të zgjuar!

Ç’janë këto mite, maska semantike të fjalëve të mia?

Në breg të Durrësit, është thyer dhe ka mbetur anija e agimit, të Ditës së Re!
2008-2009

 

MBRETËRESHË E ZEZË SHAHU

Më tërheqin ngjyrat e largësive si instinktin e langoit turtujt!

Ah, t’i hapja dhe t’i mbyllja sytë, si buzët e Mona Lizës, që s’e tha kurrë, rrëfimin e saj, të fshehtë!

Tri Parajsa jap, veç për nallanet prej druri, me të cilat ecja, duke trokëllitur, mbi plloçat prej guri, të oborrit, të fëminisë së harruar!

Ikën koha, pastaj e plotfuqishme zotëron gjithçka Nata, si Mbretëreshë e Zezë shahu!
2004-2009

MBISHKRIM SEKRET

Vera kalbet, plot re mizash!

Ç’janë këto figura femrash, të ulura, në relievet e stelave antike, sikur dëgjojnë një muzikë të largët?

E kthej Hënën së prapthi, për të lexuar një mbishkrim sekret, që ende askush nuk e di!

Gjaku im!

Gjaku, “sangium martirium”.

Ëndërra e një kali plak e rrit vrullshëm barin e pllajave!
2004-2009

 

ËNDËRRA MARSIANESH

Si ta kungoj këtë horizont me kupën e mbushur me Arin Blu të detit?

Ç’ëndërra marsianësh, më sulmojnë trurin?

Dhe djajtë biznesmenë e blejnë Meshën Elektronike të Mediave!

Lëkurën time e var në kremastar si një rrobë të vjetër!

Tërë letrat e mia, i nënshkruaj, me një meteor!
2004-2009

 

 

MANDORLA E SHENJTËVE

Horizontet varen mbi mua si pemë yjesh!

Ç’është kjo dedakofoni, që e dëgjoj, si një fuqi kozmike?

Diku, u vetëvra një shkrimtar, jo me revole, a prerje venash, por nga mungesa e fjalëve fatale, ah, u vetëvra, u vetëvra!

Anija e Dehur, e Artur Rembosë, u përmbys në ujin e një vaske banjoje, plot gjak menstruacionesh, të një prostitute, të droguar!

I mbështjellë me ethet, unë tani, shfaqem, si me Mandorlën e Shenjtëve!
2004-2009

 

 

ZOTI TEPDIL SI GAZETASHITËS I VJETËR

Dëborat e shekujve më kanë mbuluar, si me shtresa gjeologjike!

Ah, ky popull i plogët, që s’lëviz, si një kaçube mishi!

Mos u trishto, Buzuku im, i harruar, me shkrimin tënd e kam bërë një armaturë hekuri, të shkëlqyeshme, më e mrekullueshme se e Akilit të Trojës!

 

 

NATA ME KATËR HËNA

Kjo tufë me ishuj është gati të fluturojë!

Zgjatet trupi i këtij kali dhe përfundon në derdhje, si një lumë i çuditshëm, misteri!

Dhe horizonti është tek këmbët e mia, si një send i thyer!

A mund të jetosh, natën e pafund, nën katër Hëna?

Dhe kur vetë Vetëvrasja bëhet një akt metafizik?

Sa fjalë, që vdesin, në virgjëri, se s’u konsumuan kurrë!
2004-2009

 

 

PËRPARA E KAM NJË PËRJETËSI

Përpara e kam një Përjetësi, ngjyrë vjollcë, ose okër!

Internacionalja e të Vdekurve s’ka pse të shpiket!

Dhe fjalët ikin, refugjojnë që nga Logosi.

Njeriu e lë trupin, ku të mundet, po Shpirtin, me vehte e merr!

Zosima, historian bizantin, thotë, se kur Alariku, me gotët e tij, në 395 sulmoi Athinën, u zmbraps, se mbi bedena, u shfaqën fytyrat e ndritshme, të Athinasë dhe të Akilit! Ah!

Kore zërash, më rrethojnë, si pyje të magjepsur!
2004-2009

 

 

LATINISHTJA E RINGJALLUR

Në det, më rrethojnë peshqit me gjak blu, në pllaja më vështrojnë kuaj me gjak të gjelbër, ajme, sa i trishtuar jam!

Vjeshta shton squfurin, fosforeshent të gjetheve!

Dhe ja ky agim është si latinishtja e ringjallur, për të komunikuar tërë peizazhet, deti, zogjtë, planetet!

Lëvoret e drurëve, – ç’garderrobë prej Princi!
2004-2009

 

DUNA FLORIR

Tik- taku i cilës orë, i përshkon të tërë imazhet?

O, zogj bohemë, në labirinte ajri!

Ç’është kjo erë, që krijon duna floriri?

Bredh opti im, nëpër hapësirat, si në multimedia!

Dhe fusha, u, kohë më parë, qe një rrap, është si truri, që ka ëndërruar dikur!

I marr tërë gjurmët, e arta, të Princit të Vogël, të Exyperisë, dhe me to, e bëj pullazin tim!
2004-2009

 

Përktheu nga origjinali Petro Çerkezi


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.