KULTURË

Për Maxim Osipov

18:00 - 09.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Miranda Haxhia – Ishte një kohë jo shumë e largët kur bënte mjekun kardiolog, por kjo lloj zeje qe e pamjaftueshme për talentin e dijet e Osipovit. Mënyra si i sheh njerëzit, ngjarjet dhe epokat tranzitore të Rusisë kanë vlejtur që të ndërtojë një galeri personazhesh që mbeten gjatë në kujtesë dhe të përshfaqë tregime të mrekullueshme.
Libri i botuar së fundmi në shqip ‘ Klithma e zogut të shtëpisë’ është një botim mjaft cilësor i një shtëpie të re e në dukje të parëndësishme- Fenix- por që ka ditur të fillojë historinë e saj me botime të rangut europian, pikërisht me emrin më të kërkuar të çastit në libraritë Europiane- Maxim Osipovin.
Duke marrë parasysh letargjinë shqiptare të leximtarisë, kohën aspak të përshtatshme për të shijuar luksin e kësaj letërsie unike, si dhe verën hallakatëse me pushime dhe vetëm pushime, libri ka shënuar shitje të ndjeshme. Nuk është ai tip libri që shitet i gjithi brenda tre ditëve, por përhapja e tij i ngjan lumit që gufmon e ngop ugaret e thata.
Karakteristika të letërsisë së re ruse që dalin si filizë të rinj prej trungut të letërsisë së traditës ruse janë gjallesat që ngrenë lart, aq lart sa ta bëjnë të bukur rrefimin e Osipovit, saqë mjaft kritikë e kanë krahasuar me Çehovin.




***
Një pjesë nga tregimi ‘Klithma e zogut të shtëpisë’ e Maxim Osipov.
‘….Një mëngjes në spital. Në shtrat dergjet një shofer, njeri i dobët, që nuk është zog shtëpie e që ka thithur gjithë tymin e cigareve, ai ka infarkt. Tmerri i sëmundjes i kaloi, dhe ai tashmë vëzhgon si e mjekojnë fqinjin, plakun endacak pa strehë, që te kyçi i dorës ka tatuazh diellin blu, tregues se ka qenë roje kampi. Shoku elektrik e ktheu në normë ritmin e zemrës. “Gjyshi ndihet më mirë, dhe filloi të marrë frymë më rrallë”, – shqiptoi shoferi mbas perdes. Ne këmbejmë shikimet me të. A do ta lejojnë, vallë, të drejtojë autobusin? Dhe çështja më e rëndësishme e ditës: çfarë duhet bërë, që mos të ndeshen në dhomën e tij gruaja e vet dhe një grua tjetër, – dashnorja, ajo që e ushqen atë me shishqebap. Edhe shoferi kupton diçka për mua, kupton shumë: zogjtë e egër janë mjaft të mprehtë. Synimi është i qartë – të duash jo vetëm të afërmit, ata të shtëpisë, por më gjerë – njerëzit dhe vendin. Për këtë lipset t’i rikujtosh, t’i sjellësh në mendje, të vëzhgosh me vëmendje, të shpikësh. Ja, diçka nga fëmijëria: unë me babanë po shkonim diku larg, nëpër vapë. Arritëm në një fshat, vdiqëm për të pirë. Babai troket në një shtëpi të panjohur, dhe kërkon ujë. E zonja e shtëpisë thotë, ‘nuk ka ujë’, por na nxjerr qumësht të ftohtë. Ne pimë shumë, ndoshta, nja një litër e gjysmë, babai i propozon të zonjës së shtëpisë pare. Ajo mbledh supet, dhe shqipton pa ndonjë shprehje të fytyrës, që do t’i pasqyronte gjendjen e brendshme: ‘I dashur, mos u çmende?!’….’

***
A mund të tregohet një histori ruse pa Moskën? A mundet ndonjëherë? Me tërbim tregimtar djallëzor, Maksim Ossipov na udhëheq përmes Tarussa-s së bukur dhe deri në Rrethin Arktik. Ai tregon për epokën post-sovjetike të drejtuar nga kryeqyteti, temat e së cilës rrallë duken spektakolare. Ajo që është spektakolare është gjuha në të cilën janë shkruar, gjallëria e kësaj proze, gatishmëria e saj, ritmi i saj………..
Pa e lexuar librin me tregime KLITHMA E ZOGUT TË SHTËPISË të Maxim Osipov, e ke të pamundur të përfytyrosh një vend ku jetojnë pasardhës të personazheve të Çehovit.
Shkrimtari në profesion është mjek kardiolog, por, po ngre një erë të re në fushën e letërsisë botërore si tregimtar fuqishëm. Ngjashmëritë me Anton Çehovin, nuk janë vetëm në profesionin e mjekut, por mënyrën si e përdor ‘bisturinë’ e zejes tjetër, shkrimtarisë.
Prozat e tij të fuqishme janë pamje të shpirtit aventurier, dialogut thukës, fabulave që nisin si ngjarje të zakonta, por që përfundojnë me një kulm epik apo tragjik më së shumti.
Duke i lexuar një për një të gjitha këto tregime, jam ndeshur me një tragjizëm të thellë dhe elegant që përfshin situata, por mbi të gjitha personazhet në botën e tyre.
Kjo lloj shkrimtarie është pak a shumë një kirurgji e jetës, e botës së brendshme dhe e pasionit të spikatur të personazheve si Bela te ‘Njerëz të mirë’; Andrej Georgevic te ‘Fantazia’, jo Beti, por Elsa te ‘Në lumin Shpree’ – është një skaj i përsosmërisë së portretit të një personazhi me aq pak mjete shprehëse.

Ka edhe dy kulme, krejt të ndryshme: udhëtimi në ‘Moskë- Petrozavodsk’ që na njeh me botën ku jeton shkrimtari, copëza të prera ngatërruar të një figure të ‘shtrirë nga Lindja në Perëndim’- Rusia e sotme. Ndonjëherë të krijohet ideja se ngjarjet ndodhin këtu, në ndonjë copë rruge të Shqipërisë. I kemi të gjitha elementet e kësaj novele, përposh hekurudhës dhe trenave.
Dhe ‘Klithma e zogut të shtëpisë’, që, i vendosur në fillim të librit të turbullon me kthesat e rafinuara, të shpie jo larg, por brenda botës së njeriut. Provinca, spitali, gratë, shoferi, milicët, koloneli, babai, prona private, besimi –rënia ekonomike, frika, shpirti – zogjtë e egër e qiellorë – të gjitha sikur janë tinguj të klithmës së zogut të shtëpisë, ose më thjesht: meraku i përbotshëm i shkrimtarit të mirë, në këtë rast i Maxim Osipov për të shfaqur jetën jo në fotokopje, por sikur të ishte vetë ajo.
Një novelë e shkëlqyer që më mbeti në mendje është PËRJETËSIA. Për disa arsye:

Mënyra se si fillon kjo lloj narrative; shënimet e harruara në sirtarin e një mjeku, vendi më I padenjë për të arkivuar shpirtin dhe jetën e një njeriu të humbur.
Teatri si ndërtesë, fundi i tij tragjik dhe fati i personazheve që kapërcen edhe vetë fatin e tragjedive të mëdha, të cilat aktorët përpiqen t’i vënë në skenë.
Aleksandër Ivanoviç, i ngjashëm me bukinistin e Cvajgut, po aq ëndërrimtar dhe një lloj eremit i dashurisë për teatrin nuk më hiqet më nga mendja.
Duket sikur autori merret me gjera të vogla, të parëndësishme. Kjo përshtypje e parë të mbetet e papërfillshme përballë botës së fuqishme shprehëse, formës së një dialogu plot kthesa dhe kthime, +një lloj labirinti psikologjik; E pamundur të mos e shpiesh deri në fund një tregim a novelë që nis, sepse kërkon, hamëndëson, por kurrsesi nuk parashikon dot si është fundi.
Nëse ndonjë artist e ka merak fatin dhe lidhjen me të, të lexojë ‘Njeriu i epokës së Rilindjes’, duket sikur e shpërfill tragjizmin e fatit të tyre, por krejt e kundërta ndodh: autori novela është një therje e ndërgjegjësimit qytetar: vëmendja ndaj njeriut. Deformimi i natyrës njerëzore. Aventura e madhe e rusëve. Shpirti që digjet mbi hirin e lavdisë së humbur.
“Rusia, – (thotë një udhëtar në novelën ‘Moske- Petrozavodsk) – i ngjan një vemjeje. Udhëtojnë nëpër të vetëm nga lindja në perëndim dhe nga perëndimi në lindje, duke përjashtuar trupin e vemjes, të populluar mjaft dendur, në të mund të zhvendosesh nga veriu në jug dhe nga jugu në veri.”


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Z. Miranda!
    Përsosmëria nuk ka fund, por për rastin konkret analizën tuaj do ta quaja, pa komplimente, të përsosur.
    Vetëm diçka, sa thelbësore, aq edhe njerëzore, nuk e di sesi i ka shpëtuar vëmendjes suaj.
    Si ka mundësi ta keni anashkaluar atë që e ka jetësuar në gjuhën e bukur shqipe këtë vepër, Profesoreshën e mirënjohur, njerën nga përkthyeset më në zë të brezit të kaluar dhe të atij të sotëm, z. Myzejen Shapllo?
    Me respekt,
    Nikolla Sudar,
    përkthyes dhe historian.

    Përgjigju ↓