Propozimi i opozitës për vettingun e politikanëve do të shqyrtohet më 26 shtator nga parlamenti.
Ky është vendimi që është marrë nga mazhoranca pas letrës që PD i dërgoi një ditë më parë Kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.
Sipas vendimit të marrë, Ruçi ka vendosur të mbledhë në datën 26 shtator, në orën 12:00, Këshillin e Legjislacionit, për të diskutuar mbi nismën e PD në lidhje me vetingun e politikanëve.
Vendimi vjen një ditë pas “paralajmërimit” të Lulzim Bashës, i cili kërkoi që të mblidhte Këshillin e Legjislacionit, jo më larg sesa dita e premte.
Opozita kërkon veting për të pastruar politikën nga krimi, duke akuzuar këtë mazhorancë si të lidhur me grupet kriminale.
Ndërkohë, mazhoranca ka dhënë dakordësi, por pa cenuar institucionet e reja të sistemit të drejtësisë, të cilat do të ngrihen pikërisht për të hetuar politikanët.
Po ashtu, së fundmi, mazhoranca ka kërkuar që ky propozim të dërgohet në Komisionin e Venecias.