Një ngjarje e rëndë është shënuar në Tiranë, ku një apartament është përfshirë nga zjarri e për pasojë një person ka humbur jetën. Gazeta Shqiptare mëson se rreth orës 04:40, afër shkollës “Besnik Sykja”, ka rënë zjarr në katin e tretë të një apartamenti.
Ndërkaq, me t’u njoftuar policia e zjarrfikësja kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku dhe kanë bërë evakuimin e banorëve. Në këtë apartament ndodhej dhe një invalid 60-vjeçari i identifikuar si Lulëzim Canaj , ku nga kërkimet e kryera nga shërbimet e policisë dhe zjarrfikësve është gjetur pa shenja jete.
Nga sa mësohet, flakët kanë nisur nga banesa e tij. 60-vjeçari jetonte i vetëm dhe vuante nga një sëmundje e rëndë, e për shkak të mjekimeve kishte pamundësi fizike për të lëvizur.
Policia u ka dhënë ndihmë dy personave të këtij pallati, pasi ishin asfiksuar nga tymi.
Njoftimi i policisë
Më datë 25.09.2018, rreth orës 04:40, në rrugën “Ramazan Demneri”, në një apartament në katin e tretë ka rënë zjarr.
Policia dhe zjarrfikësit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Policia ka bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve, ku dy prej tyre u është dhënë ndihmë mjekësore pasi ishin asfiksuar nga tymi.
Zjarrfikësit kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.
Nga zjarri i rënë si pasojë e asfiksisë dhe djegies ka ndërruar jetë shtetasi L. C., rreth 60 vjeç i cili jetonte i vetëm në banesën ku ra zjarri.
Paraprakisht rënia e zjarrit dyshohet nga shkaqe aksidentale.