KULTURË

Nga Amsterdami në Shkodër, dinastia Marubi shfaq historinë

18:00 - 14.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një ekspozitë me fotografi të përzgjedhura nga viti 1856 deri 1959, nga periudha osmane në atë komuniste, pa lënë jashtë fokusit as mbretërinë. Burra, gra, fëmijë, artistë, të burgosur, politikanë, njerëz të thjeshtë, peizazhe, zakone, rite, veshje, tradita.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” çel ekspozitën “Dinastia Marubi: Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” e kuruar nga Kim Knoppers.
Ekspozita do të paraqesë një përzgjedhje imazhesh nga arkiva e Marubëve (1856- 1959) që kanë qenë pjesë e ekspozitës me të njëjtin titull të hapur në Muzeun e Fotografisë FOAM Amsterdam, më 2016.
Kjo ekspozitë vjen si një bashkëpunim me Muzeun e Fotografisë FOAM në Amsterdam, Holandë. Tanimë do të ekspozohen imazhe nga të gjitha trevat shqiptare. “Tre breza fotografësh kanë bërë portrete në studio të një shumëllojshmërie të gjerë njerëzish, duke filluar nga borgjezia urbane, te barinjtë, imazhe nga koha e Perandorisë Osmane dhe nga Mbreti Zog, te kriminelët, aktorët e artistët e famshëm dhe piktorët”, raportohej atë kohë në sajtin e Muzeut të Fotografisë në Amsterdam. I pyetur për fotografitë e të burgosurve, Luçjan Bedeni pati thënë se “të burgosurit janë fotografuar ose në burgje, ose në studio e disa të tjerë kur është bërë regjistrimi i popullsisë”. Në ekspozitë shfaqen imazhe artistësh si Tefta Tashko, Prek Jakova, Marie Kraja, bandat muzikore etj.
“Ishte një kohë, diçka më pak se një shekull më parë, kur në Shqipërinë pa rrugë, pa transport, pa teatër, pa ekspozita, kishte shqiptarë që merrnin rrugën nga qoshe të tjera të vendit për të bërë një foto në studion ‘Marubi’ – këtë më rrëfente gjyshja ime nga Gjirokastra, tek më tregonte me krenari foton e saj e të gjyshit tim në fillim të viteve ’30?, qe shprehur ish-ministrja Mirela Kumbaro në përurimin e muzeut, duke shtuar se: “Sot është koha kur duhet marrë avioni, trageti, apo makina, për të vizituar muzeun më të bukur të Fotografisë në Ballkan pa dyshim, por edhe me krenari do të thosha, një muze dinjitoz europian”.




KURATORJA
Kim KNOPPERS është një historiane arti dhe kuratore në Muzeun e Fotografisë FOAM, Amsterdam. Që nga viti 2011, ajo ka punuan me ekspozitat personale të Melanie Bonajo, Adam Broomberg & Oliver Chanarin, Anne de Vries, JH Engström dhe Taiyo Onorato & Nico Krebs dhe ekspozita në grup si “RE-Search: Alumni Rijksakademie”, “Collaborate: On Artists’ Collectives” dhe “Back to the Future. The 19th century in the 21st Century”. Ajo është e interesuar në zhvillime të ndryshme në fushën e fotografisë: që nga fotografia konceptuale tek artistët që punojnë me fotografinë dokumentare, nga materialet arkivore tek fotografia si mjet kërkimi. Në FOAM, ajo ka kuruar një sërë ekspozita mbi fotografinë historike në studio dhe vlerën e saj shoqërore dhe artistike. Knoppers është edhe themeluese e “Artists’ Recipes”, e cila eksploron lidhjen mes artit dhe ushqimit. Shkruan rregullisht për Foam Magazine si dhe për katalogë e libra artistësh. Jeton dhe punon në Amsterdam dhe fusha e saj studimore lidhet kryesisht me zonat e ish Perandorisë Osmane.

MARUBËT
“Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi arriti në Shkodër, pjesa veriore e asaj që sot është Shqipëri. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon. Pas vdekjes së Pietros, asistenti i tij, Keli mori mbiemrin Marubi edhe si nderim për të. Ai e mbajti studion hapur dhe ia kaloi të birit, Gegë Marubit”,-shkruhet në sajtin e muzeut holandez. Po aty, shënohet se “koleksioni me 150.000 xhama negativësh është interesant nga ana historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike e po ashtu nga ana artistike. Ngjarje nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga periudha otomane te periudha komuniste, ritet sociale, kostumet folklorike dhe portrete grupesh të rëndësishme sociologjike mund të gjenden të gjitha në koleksion. Ekspozita është një prezantim i pasur i historisë së fotografisë të një vendi të izoluar europian”. Pas çeljes së muzeut, një sërë sajtesh të huaja i kanë kushtuar vëmendje. Një artikull për muzeun “Marubi” është publikuar nga “Architizer”, databaza më e madhe e arkitekturës dhe shtëpia e “A+Awards” – programi çmime globale për arkitektët më të mirë sot. Një tjetër artikull është bërë nga revista italiane e arkitekturës ‘DIVISARE’, si edhe nga Agjencia Ndërkombëtare të Lajmeve spanjolle EFE, nga revista e rëndësishme e arkitekturës “gooood.hk”, si edhe një publikim nga prestigjiozja e arkitekturës në botë, revista “Dezeen”, e cila është përqendruar te projekti arkitektonik i “Marubit”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.