KULTURË

Ardian Ndreca: Arti i bindjes, kur flitej për fenë, kanunin e sheriatin si një trup të vetëm

14:49 - 15.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Ndjehet qartë arti i bindjes, madje ka edhe efekt. Ndër skenat e para që shfaqet në dokumentar, është mitingu. Dhe ne e dimë se mitingu është vendi tipik ku avullon personaliteti i njeriut. Njeriu humb personalitetin dhe përgjegjësinë. Në taktikën e komunikimit ka një konfuzion të vazhdueshëm. Konfuzioni është i dëshiruar nga personat që duan të mashtrojnë. Konfuzioni bën që të pranohet diçka jo e vërtetë si diçka e vërtetë. Flitet për fenë, kanunin, sheriatin, patriarkalizmin, frikërat, supersticionet, zakone prapanike që janë gjëra krejtësisht heterogjene. Nuk mund të trajtohen të gjitha sikur të ishin një trup i vetëm. Ka dhunë të vazhdueshme. Feja trajtohet si ideologji, por nuk është ideologji…”.




Ardian Ndreca analizon imazhin që përcjell një film për të treguar truket e përdorura gjatë regjimit komunist. Shkas bëhet filmi dokumentar i realizuar më 1967 “Në flakët e revolucionit”. Ai tregon se si Shqipëria e mbyllur nga bota, shpallet vend ateist, duke iu veshur feve gjithfarë epitetesh që do të justifikonin ndalimin e besimit, shembjen e objekteve të kultit dhe eliminimin e klerit që ishte ndër kundërshtarët e parë të komunizmit.

Gjithë kjo, do të forconte kultin e individit e do të shquante më shumë qoftë edhe në pavetëdije imazhin i diktatorit, si “zoti” i ri, tanimë kur të vjetrin e vranë.

Duke krijuar një zot të ri që i veshën tiparet e të plotfuqishmit në tokë, si një njeri të prekshëm që kishte çliruar vendin, ata i drejtuan turmat kundër besimit. E vranë ndërgjegjen e një besimtari, vranë njeriun që besonte në të mirën dhe në të keqen, për të krijuar njeriun që besonte në komunizmin dhe ateizmin. Ata e vranë njeriun dhe krijuan armikun, vranë njeriun dhe krijuan kundërshtarin që mund të ishte kudo, ndaj sekush ishte në luftë me këdo- duke treguar vigjilencë.

Por si u arrit të bëhej Shqipëria vendi i parë ateist në botë?

Ardian Ndreca tha se “fryma revolucionare nis me celulat dhe mbaron tek celuloidi. Fitoret e propagandës komuniste janë fitore celuloze, jo fitore që ndodhin në të vërtetë…Vetë zëri i folësit është i njëtrajtshëm, nuk ka emocion edhe nuk shihet, por nuk ka asnjë lloj problemi. Filtri është folësi”. Për Ndrecën “ligjërimi është i përsosur, por ne nuk e dimë atë që thonë në të vërtetë ata… Një formulë pagëzimi e re, një zë, një identikit i ri që mundohet që të krijohet”.

Studiuesi Ndreca ndalet edhe te mistifikimi që në këtë film, paraqitet në mënyrë të pastër.

“Është e pamundur që të bësh një film të tillë edhe mos të mistifikosh. Nuk mund të ketë një vërtetë që paraqitet në formë kaq të pastër. Manastiret. Frika e xhindeve në manastir. Traktatet e para kundër magjive janë shkruar nga njerëzit e fesë. Feja e krishterë e trajton si armikun e vet supersticionin ose magjinë. Thuhet se Pal Doda, Gjon Shllaku kanë pas qëllime terroriste. Françeskanët në mënyrë të veçantë kanë qenë antifashistë edhe antiitalianë”.

Sipas tij, realiteti nëse nuk u bindet parimeve të ideologjisë do të shkatërrohet. “Në këtë rast ideologjia komuniste përballet me fenë, që trajtohet si opium. Duhet gjetur një drogë më e fortë, që të fitojë vetëm njëra. Këtu ka një injeksion të fortë droge. Mos kujtoni se ka mbaruar aty lufta e 1967, vazhdon edhe sot, njerëzit i kemi edhe sot në politikë në të gjitha fushat e jetës, ata njerëz që janë formuar me atë lloj ideologjie”, tha Ndreca duke kujtuar se aksioni i 6 shkurtit në vitin 1967 ka qenë i paligjshëm.

“Aksioni i 6 shkurtit 1967 nga pikëpamja ligjore është i paligjshëm. Flas nga pikëpamja ligjore, në atë kohë ata janë huliganë që hyjnë ashtu nuk ka një bazë ligjore. Vetëm në 1976 me kushtetutën e re do të legalizohet gjithçka. Ligji, durimi, bindja janë fjalë boshe”- shtypi ai.

Studiuesi Adrian Ndreca analizoi se si e përcillte propaganda komuniste mbi fenë, kanunin, frikërat, supersticionet dhe zakonet prapanike në këtë film.

Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesor Ardian Ndreca, folën në detaje punën e bërë, që ideologjia komuniste të injektohej në çdo qelizë të njeriut të ri. Dokumentari tregoi se si vendi ynë kopjoi revolucionin kinez, të rinjtë nga zonat urbane shkuan në zonat rurale për të bindur njerëzit që të hiqnin dorë nga besimi i tyre.

Ata vunë re se përmes artit të bindjes, propaganda jepte efekt e kjo bëhej edhe më e lehtë nëpërmjet konfuzionit. Ndërsa, në fund të referimit profesor Ndreca tha se ai që humbi ishte njeriu e fjalën njeri duhet që të dimë ta theksojmë mirë. Ndryshe i humbasim sensin, humbasim edhe sensin e ekzistencës sonë.

SHFAQJA

Viti 1967 ishte ndër më vendimtarët për diktaturën komuniste. Udhëheqësi Enver Hoxha shpalli Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë dhe ndaloi të gjitha praktikat fetare. Pasi vuajtën për dy dekada, edhe ato pak kisha, xhami dhe teqe të mbetura u mbyllën ose u shndërruan në kinema apo qendra sportive. Priftërinjtë dhe imamët u vunë përballë gjyqeve publike. Duke kopjuar Revolucionin Kulturor Kinez, komunistët e rinj shkuan në të gjithë Shqipërinë që të shkatërronin ndërtesat fetare dhe të bindnin njerëzit të hiqnin dorë nga besimi i tyre. Gjatë kësaj fushate të dhunshme, katër murgj të moshuar vdiqën kur u dogj Kuvendi Françeskan i Shkodrës. Për këto ngjarje të rëndësishme u prodhua një dokumentar kontroversal i titulluar NË FLAKËT E REVOLUCIONIT (1967), me regjisor kamera operatorin e talentuar, Endri Keko. I xhiruar nga mjeshtrit Ilia Terpini dhe Niko Theodhosi, ky dokumentar bardhë e zi, i shfaqur shumë rrallë, sjell në vëmendje këtë moment kyç të historisë së vendit tonë. Drejtuesja e AQSHF, Iris Elezi, së bashku me profesor Ardian Ndrecën, hodhën dritë mbi këtë kohë traumatike të Shqipërisë. Takimi u mbajt të mërkurën në mbrëmje në “Kinema Agimi”. Filmi do të shfaqet në 35mm me titra në anglisht. *P.S. Kurimi i filmit, si dhe kumtesa e Prof. Ardian Ndreca ofrohen falas. Për të përballuar kostot e sallës dhe të projektimit, hyrja kushton 300 L. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka rifilluar ciklin “Thesaret e Arkivit” – program i kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor.

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.