MILOSAO

“Kronika e mjegullës” së një vendi

10:08 - 24.02.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Metafora, e cila vjen nga titulli, është gjetja më e bukur e autorit për librin e tij “Kronika e mjegullës”. Në një sens që të kap pak metodën e Realizmit Magjik, autori na sjell më së miri atë që ai mendon për vendin e tij, kurse romani si gjinia e zgjedhur është thjesht shtrati ku vendoset shtjella e idesë së tij, që duket se është tjerrur për shumë kohë. Por, në fakt, kush më mirë se letërsia mund të shpjegojë historinë e një vendi.
Bashkim Hoxha ka një korpus të tërë veprash në gjini të ndryshme, porse kjo vepër, sipas tij, i është dhimbsur. Kjo ka qenë Shqipëria dhe mendimi i tij i plazmuar për vendin e tij, sintezë e mendimeve, punëve të tij personale dhe një eksperience të dashur. Rrëfimi i autorit zgjidhet me disa regjistra, veçse narratori është zgjedhur në vetën e tretë për ta menaxhuar i qetë të gjithën.
Azis Beu, një nga personazhet kryesore, potenciali i tij kulturor dhe kamja do të kenë një fund të hidhur, ashtu si Hëna, që e nis nga hiçi kalon në apogje dhe na përcjell në pleqëri deri te brezi i tretë i saj, që e përfaqëson Kristela, mësuesja e historisë, e cila në fund dëgjon amanetin e padëgjuar të gjyshes, që donte të vdiste e virgjër!!!
Vetë virgjëria është një figuracion në këtë vepër dhe në një farë mënyre rrëfen se edhe me atë ne tallemi, ashtu si tallemi me çfarëdogjë tjetër. Autori e ka zgjedhur përmes një ligjërimi universal, por kuptohet me shumë trishtim që ia dedikon vendit të tij dhe e zbërthen me një personazh: “E përdhunon jeta njeriun, ia merr virgjërinë. E shkel me këmbë. I gjuan me shpulla. E shkërdhen me zor jeta njeriun. Njeriu vjen në jetë i bardhë si dëbora. Por edhe dëborën e shkelin me këmbë, vijnë njerëzit dhe ia prishin bardhësinë. Nuk flas pastaj se si e dhjesin qentë atë bardhësi”.





Linjat që ndërthuren janë të lexueshme, por fati i tyre është pak i beftë nga autori, që e shtrin talentin e tij qartë sa i përket sensit të masës në kompozicion. I vetmi shqetësim është momenti i fundit, kur autori me një ngut jo të natyrshëm mbyll veprën e tij. Kjo është edhe pjesa që ndoshta mund të zgjidhej me një epilog, por që autori e zgjidh me figuracionin e mjegullës. Nguti e lë pak pezull vijën që i bashkon të gjitha, por që gjithsesi është përsëri zgjidhja e autorit, e cila duhet thënë se duhet të vlerësohet më së miri.
Shikimi klasik, mbështetur në kanonet e letërsisë, i jep një vend të mirë romanit në atë tematikë që i kushtohet historisë së letrarizuar të vendit, por që duhet shtuar se autori kishte mundësi ta trajtonte që në fillim me atë sens akuareli që ka hapur romanin dhe përcjell metamorfozën e Hënës.
Bashkim Hoxha është një rrëfimtar i këndshëm dhe një njeri që e njeh mrekullisht dialogun. Kjo i jep lehtësinë që çdo temë mund ta zbërthej fare lehtësisht. Kështu ka ndodhur dhe këtë herë me gdhendjet interesante në vepër të personazheve por edhe metamorfozat e çuditshme. Evolucioni i personazheve duket se i paraprin kohëve, por në fakt janë këto të fundit, që autori i ndjell përpara. Dhe, koha e re që vjen nga fillimi i veprës dhe përkon me Lindjen e Shqipërisë së Pavarur “i bën vend” Cubit, që ekzekuton burrin e parë të Hënës. Është ajo çka e pret Azis Beun dhe të birin nga ardhja e gjermanëve, ashtu si bijtë e Hënës, përfshihen në luftë dhe përfaqësojnë tashmë një komunitet, që do të ndikojë shumë për protagonizëm në veprat tona të historisë. Dhe, në fund çvirgjërimi dikur i lejuar nga vetë Hëna rikthehet por kur kjo e fundit në moshë të madhe “çvirgjëron” publikisht Azis beun, tashmë pjesë e klasave të përmbysura dhe në fund, i përjetësuar te shkolla ku jep mësim mbesa e presë së tij!!!
Pjesa e fundit, që lidh një metamorfozë të bukur të vlerësimit të historisë, është ironia e bukur dhe ideja e autorit për historinë tonë dhe jo vetëm, një mesazh që Bashkim Hoxha e ka zgjidhur qysh më parë, sërish përmes personazheve të veta: “Historia nuk do të shkruhej po të mos ishte e dobishme: E dobishme për çfarë? Për të sotmen. Kur shkruajmë historinë, ne korrigjojmë disa gjëra ose u japim kuptim të ndryshëm gjërave që kanë ndodhur në varësi të asaj që jetojmë sot. Ja, për shembull: heqim Masarin dhe vëmë Harunin. Me këtë rast themi dy fjalë më shumë për mbretin dhe familjen e tij në histori. Dhe kjo e bën më të mbështetur historikisht mbretin në veprimet e tij në dobi të përparimit…”. Kjo është ironia e bukur e autorit por edhe një qortim për të gjithë atë që ka ndodhur me historinë dhe zhgënjimin tonë permanent të gati 110 viteve.
E fundit, duhet cilësuar një element i bukur dhe shumë teknik që i lidh të gjitha kapitujt, dhe që bëhet gati përmes një elementi montazhi, ku momenti i fundit, i paraprin fillimit të kapitullit të ri. Mjeshtëria e autorit, është se duket që ai e bën veprën që ta shijosh gati dhe si skenar. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.