Ndërkohë që ditën e djeshme mediat shtetërore të Koresë së Veriut njoftuan për takimin e presidentit rus Vladimir Putin me liderin Kim Jong-un, ky i fundit ka mbërritur sot në qytetin e Vladivostok.
Kreu i Koresë së Veriut mbërriti në Vladivostok pasi udhëtoi me trenin e tij privat dhe u takua me zyrtarët rusë.
Në shenjë mikpritjeje, atij iu ofrua bukë dhe kripë, traditë e Rusisë për të ftuarit.
“Shpresoj që kjo vizitë të jetë e suksesshme dhe e dobishme. Shpresoj që gjatë bisedimeve me Presidentin e respektuar Putin, unë do të jem në gjendje të diskutoj në mënyrë konkrete çështjet lidhur me zgjidhjen e situatës në gadishullin Korean dhe zhvillimin e marrëdhënieve tona bilaterale”, tha Kim Jong-un për televizionin rus “Rossiya 24”.
Kremlini thotë se udhëheqësit do të flasin për “problemin bërthamor” të gadishullit Korean.
Kim Jong-un po kërkon mbështetje pasi bisedimet me Presidentin e SHBA Donald Trump dështuan, thonë analistët.
Trump dhe Kim u takuan në Hanoi më parë këtë vit për të diskutuar programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, por samiti – i dyti i tyre përfundoi pa marrëveshje.