KULTURË

Agron Tufa nxjerr dokumentet: Kundërshtari im ka prejardhje kufomash

13:56 - 26.04.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Së fundmi Agron Tufa drejtues i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit ka pasur përplasje publike me deputetin Spartak Braho dhe ish-kuadrin e kampit të të burgosurve politikë nr.311 Qafë-Bari Pukë, Edmond Caja. Debatet kanë të bëjnë me rolet e këtyre dy personazheve në të kaluarën, pozicionet që kanë mbajtur gjatë komunizmit dhe së fundmi, Tufa ka nisur edhe procese gjyqësore për shkak të kërcënimeve që ka marrë pasi ka publikuar dëshmi e dokumente mbi këta dy emra. Në krah të Tufës në këtë debat kanë qenë edhe emra të tjerë ish-të përndjekur e ish-të burgosur që gjatë komunizmit i kanë njohur në kampe, burgje a përmes vendimesh këta emra. Gjatë ditës së djeshme, Tufa ka publikuar tri dokumente edhe për një tjetër emër, kundërshtar i tij. Tufa ka marrë përsipër të publikojë dokumentet që disponon për ata që kanë pasur poste në komunizëm dhe kanë ende në demokraci, e sidomos për ata që ende sulmojnë ish të përndjekurit. Kujtojmë se në Shqipëri pas rënies së regjimit nuk pati gjyqe që dënuan krimet e komunizmit.  




Nga Agron Tufa

Kundërshtari im qelbet erë. Se ka prejardhje kërmash. Kufomash. Dhe spiunllëqesh: shpifjesh, sajesash. Kur u bie kresë me dokument, ndodh reaksioni i pritshëm kimik: çlirojnë erë kërmash. Si Shaqir Bejto Faslia. Nuk është as një e dhjeta e bëmave të babait, të përlyer e zhyer me gjakun e shkodranëve dhe malësorëve të Kelmendit e krejt Malësisë së Madhe. I biri, Shaqo, ende pretendon se paska gëzuar respekt. Në realitet gëzon urrejtjen e krejt popullit të Shkodrës dhe Malësisë ku ka kryer krimet bashkë me Toger Babën e të tjerë gjaksorë. Edhe i biri, Shaqa, një komunist i zombifikuar, megjithëse qan vaktin e të atit, kryen “vrasje” të tjera me shpifje, gënjeshtra e përbaltje, të cilat ai ëndërron fort t’ia blejë ndokush. Sajon një situatë imagjinare, në gazetën Transheja e Kuqe, sikur më paska thirrur të më japë një mundësi përballjeje në një studio ruse, për t’ju përgjigjur kolegëve serbë dhe rusë! Dhe unë qenka trembur(!) O pika në b…! Dhe kush e thotë? Ai që i vuri tutiusin ambasadës sonë dhe u fsheh në sënduk. Le t’i lëmë lloqet se paskam shkuar keq me ish- bashkëstudentët e mi e sjellje të tjera jo të partishme. Kë ka si jallan shahit? Ia vë gishtin një të vdekuri, Jorgo Bllacit, bash atij që ishte relatori im i mbrojtjes së diplomës në Institutin e Letërsisë “Gorki” mbi krijimtarinë dhe përkthimin e poetit nobelist rus Josif Brodskij. Merr dëshmitar Jorgon, që rrinim bashkë, pinim e diskutonim. Shaqo e di se Jorgi i ndjerë, nuk ngrihet prej andej ku nuk kthehen, por prapë nuk e lë të qetë në prehjen e përjetshme. Ku i ra infarkt, për ditë me radhë Jorgo mua më pati te kryet dhe asnjë nga ambasada e Shaqës. Krenohet Shaqo ibriku se paska dhënë një a dy intervista. Ia kanë shkepur me zor, në gazeta të papërfillshme. Po ku qëndronte detyra e ambasadorit? Ku i ka deklaratat? Notat diplomatike? Zero! Gjithsesi e pranon Shaqa se shkrimi im është botuar (anipse në revistë “të qepur me tel”). Po Shaqa i vuri tutiusin ambasadës dhe u struk në benevrekë! Unë isha tek pullë, një djalosh që kërkoja një mundësi dhe arrita të botoj nga “Novoje vremja” (me pseudonim “Elez Isufi”) deri tek një revistë studentësh (ani pse e kapur me tel).

Tani ta presim shkurt: nga bërsitë e kalbura, nuk del raki e mirë. Kështu dhe Shaqir Bejto Faslia, vazhdoi rrugën e zombifikimit komunist, syri e veshi i Partisë, denonciator e spiun, për çka dëshmojnë dhe spiunimet e tij në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. T’ia nisim nga ky zell lejfenist prej vigjilenti që i raporton kryekriminelit torturues Shyqyri Çokut (në DPB të Shkodrës). Të tjerat, avash-avash.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.