BLUETOOTH

Altin Sulku: Leku nuk është gjithçka, ju tregoj momentin kur humbëm avionin me Noizyn

17:10 - 31.05.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të rikthehesh me energji të reja dhe të jesh një ndër këngëtarët më IN të momentit. Altin Sulku një ndër zërat më të veçantë të tregut muzikor shqiptarë do lërë gjurmë të patjetërsueshme nga pluhuri i kohës edhe kur të kenë kaluar shumë vite. Numërojmë shumë hite në repertorin e tij, për t’u ndalur më gjatë tek ai i fundit që duket se u ka rrëmbyer zemrat gjithë shqiptarëve. Kënga “Lulija” po bën namin në gëzimet familjare e jo vetëm. “Muzika është ushqim për shpirtin”-thotë këngëtari, në fakt, ashtu siç janë produksionet e tij për të gjithë fansat. Një rrëfim krejt ndryshe i artistit për “Gazeta shqiptare” na njeh me suksesin e këngës së fundit, me pritjen që i është bërë nga dëgjuesit e muzikës së tij në koncerte e në ambiente familjare, me raportin e veçantë që ka me Noizyn si dhe me pjesën përtej ekranit, familjen. Mbështetja e fansave e ka bërë që të punoj fortë, për të mos harruar dhe krahun e tij të djathtë Noizyn. Ishte ai që u bë shkaku kryesor i kthimit të tij nga muzika. Kur dibranët bëhen bashkë nuk ka fuqi t’i ndalë njeri. Dy kushërinj që kanë pasur bashkëpunime të suksesshme në muzikë e që kanë qenë kurdoherë suport për njëri-tjetrin. Altini mes të qeshurash na tregon dhe momentin e sikletshëm kur Noizy kishte harruar pasaportën e kështu kishin humbur avionin. Edhe këtë herë Sulku nuk rresht së falënderuari reperin. Më tej, artisti na zbulon detaje për familjen. Zoti e ka bekuar me një djalë. Një shpirt i bukur si i Altinit ecën me parimin: Bëj mirë, se çdo gjë që del nga zemra shkruhet atje lart! Sulku ka kënduar edhe pa pasur përfitime monetare, thjeshtë për të kënaqur fansin e tij. Ndoshta pas një kohe jo shumë të gjatë artistit do i kthehet gjithçka mbrapsht. Fundja për sa kohë ai është ndër këngëtarët më të suksesshëm dhe ka një familje të lumtur i është kthyer gjithë e mira.




Jeni rikthyer fuqishëm në tregun muzikor. Si ju kanë pritur fansat?
Është e vërtetë, kohët e fundit më ka dashur fati dhe kam sjellë ca këngë të bukura në tregun muzikor shqiptar dhe kam pasur një rikthim të fuqishëm falë fansave të mi që më pritën shumë mirë.
Projekti juaj i fundit “Lulija” ka rezultuar mjaft i suksesshëm. Kujt ia keni kushtuar atë?
“Lulija” m’u pëlqye shumë dhe më kanë dërguar pafund video, në të cilat është kënduar e kërcyer në shumë ambiente familjare dhe për këtë gjë më bëhet shumë qejfi. Thjeshtë tekstshkruesi ma dërgoi, mua më pëlqeu si ide, nuk është se ia kam kushtuar ndokujt.(qesh)

Çfarë ka ndryshuar në tregun muzikor që prej kohës së shkëputjes suaj?
Shumë gjëra kanë ndryshuar. Shqipëria ka përparuar shumë me prurjet në tregun muzikor. Kur kam filluar unë me muzikën merrnim këngë të huaja dhe i përkthenim në shqip, më pas i këndonim, ndërsa sot marrin ata dhe i përkthejnë këngët tona, e kam fjalën për vendet e Ballkanit. Me pak fjalë ka ndryshuar shumë muzika dhe natyrisht që për mirë.
Aktualisht cilat janë impenjimet tuaja?
Aktualisht fundjavave jemi pothuajse jashtë Shqipërisë më shumë. Tani edhe pak afron sezoni i dasmave dhe as kohë për çaste pushimesh nuk kemi.
Ju keni folur në media për raportin e ngushtë që keni me Noizyn. Na zbuloni diçka më tepër përveç bashkëpunimeve?
Noizyn jam shumë me fat që e kam se përndryshe do ta kisha shumë të vështirë të rikthehesha, duke parë që muzika ka ndryshuar shumë është modernizuar mjaft dhe ne jemi më shumë te popullorja, por fal kushëririt tim (e kam djalë daje Noizyn) unë jam këtu ku jam sot dhe gjej rastin nëpërmjet jush ta falënderoj.
Momenti më i sikletshëm në koncert apo tjetërkund kur keni qenë me Noizyn?
Në fakt, në koncerte kur je live ka raste të sikletshme pafund, për arsye teknike, por një rast të sikletshëm që mbaj mend po jua tregoj. Do iknim në mëngjes për te avioni dhe kishim gati një orë rrugë (në mos më shumë) dhe kur arrijmë në aeroport kishte harruar pasaportën në hotel dhe nuk kishte më kohë që të ktheheshim dhe kështu që na iku avioni atë ditë (se mos vetëm ai rast). (qesh)
Çfarë nuk dimë për jetën tuaj përtej ekranit?
Jeta ime përtej ekranit është shumë e qetë. Kam një familje të mrekullueshme dhe më ka gëzuar Zoti dhe me një djalë, që quhet Roal. Emrin i djalit është bashkim emrash, pasi bashkëshorten e quajnë Rolanda, mua Altin, kemi marrë shkronjat e para të emrave tanë. Familjen e kemi të madhe, jemi 7 fëmijë, 4 vëllezër e kemi 3 motra dhe sa mirë që i kam, pasi jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kemi qenë gjithmonë aty kurdo, për çdo nevojë i jemi gjendur vëllezërve dhe motrave.
Cila është e veçanta e një dite të zakonshme?
Unë të veçantë quaj kur dalë me familjen, s’ka gjë më të bukur, momente më të dashura. Familja është lumturi. Oferta më e çuditshme që keni marrë për hir të punës? Oferta më e çuditshme ka qenë kur më thanë: Jeni këngëtari im i preferuar, por lekë nuk kam dhe nuk do kishte kënaqësi më të madhe se sa të ishit në dasmën time. Normal që pranova me kënaqësinë më të madhe, duke menduar se sa gëzim do ti sillja atij personi dhe familjes së tij. Nuk hezitova fare dhe i thashë do vij me patjetër, pasi nuk është gjithçka leku në këtë jetë dhe kur bën diçka të mirë dhe nëse nuk ta din ai, ta di i madhi Zot.
Për çfarë do e linit përfundimisht muzikën?
Unë them se muzika është ushqim i shpirtit dhe do e kisha shumë të vështirë, pasi kam lindur me të. E kam trashëgimi nga babai, por ndoshta për hir të familjes dhe mund të hiqja dorë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.