MILOSAO

Mirë censura e dikurshme, po sot pse nuk e tregojmë dot socializmin

18:00 - 02.06.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Në një takim të pak ditëve më parë artistët vendas dhe të huaj folën për desidencën dhe përballjen e artistëve me të keqen e kohës. Si bëhej desidenca? Si paraqitej ajo? Si manifestohej ajo dhe si përshfaqej? Në fakt, nuk kishte desidencë. Shkrimtari i njohur Ismail Kadare përkundrejt përpjekjeve të mëdha që bëhen për ta shpallur si desident e ka pranuar vetë se nuk ka qenë desident. Një akt që e bën realisht të nderuar sa i përket dinjitetit. Një mori botimesh janë rrekur të nxjerrin në veprën e tij se ajo ka qenë desidente, porse Kadare ka qenë i ndërgjegjshëm se në atë kohë është përballur me kritika dhe privacione fare minore, sa që nuk ia vlen të përmenden. Sa i përket spiunllëqeve dhe elementëve të tjera të denoncimit ato kanë qenë ngado dhe të shtrira kudo në shoqërinë tonë.




Në fakt, ajo që quhet desidencë mund të merret e pastër nga fjalët e personazheve të ashtuquajtur negativë të filmave të Socializmit, që jepen realisht pa asnjë lloj para-njohje në fillim të filmit. Atëherë mesazhet ndryshe ishin të identifikuar aq në formë sipërfaqësore prej këtyre personazheve, saqë mjaftonte të fillonte filmi dhe kuptohej se cili ishte personazhi pozitiv dhe ai negativ. Nuk është se sot ka ndryshuar shumë, porse thjesht është ndryshuar kahu, teksa realisht të tregosh një ngjarje në të gjithë gjerësinë e saj është e vështirë për të mos thënë e pamundur. Sot, nuk është çudi që ne nuk kemi një film të duhur për periudhën e komunizmit, një film ikonë të përfaqësonte represionin ndaj mendimit të lirë dhe sistemin e asaj kohe, por nuk kemi një film ikonik të ndryshimeve dhe me radhë. Në një mendim më të arsyeshëm është e kuptueshme: Mungon sensi i masës, por edhe shikimi i ngjarjeve në kohën dhe momentin e duhur. Në një përpjekje të çiltër këtë u mundua t’u tregonte përfaqësuesi amerikan në mbledhjen me artistët shqiptarë sesi funksionoi presioni amerikan dhe censura pas Luftës së Dytë Botërore. E shtrirë në çdo segment të artit, ajo arriti përmasa absurde me listat e gjera kundër të ashtuquajturve artistët me prirje komuniste, ku në thelb u përfshinë dhe artistë që nuk kishin asfare këtë besim. Porse besimi i shumë prej tyre, forca dhe mbi të gjitha dinjiteti bëri që të kalonin. Një pjesë prej tyre nuk ia dolën dhe patën fate tragjike.
Duke iu kthyer Shqipërisë, mënyra e njerëzve të ndryshëm sesi sot flitet për komunizmin po bën gabimin e madh që bënë komunistët me paraardhësit e tyre. Njësoj si sot, ne çuditemi para një filmimi të viteve ’30 me protokollin dhe garderobën ashtu habiten shumë të rinj në kohën e sotme me të njëjtat gjëra në komunizëm. A pati dhe ka pasur Shqipëria një zhvillim që pas pavarësisë? Këtë nuk mund ta mohoj askush. Problemi i vetëm është sesa mundëm të përkonim me kohët. Kjo është sfida. Kjo është edhe forca që e ndalon dhe e lartëson një brez. Ne asnjëherë nuk u kemi paraprirë kohëve. Është për të ardhur keq se pjesa më e madhe e njerëzve të artit e kanë shumë të vogël sensin e masës dhe kjo e bën gjithçka të vështirë dhe gati të pamundur. Ndaj ne mblidhemi në aktivitete dhe bëjmë gabimet që bëjmë kurdoherë duke ua përveshur paraardhësve. Ne jemi vetë fajtorët për këtë gjendje të vendit, por edhe për pamundësinë e ndryshimit. (Milosao)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.