Kryesore

Erind Bejko: 140 pallate të pabanueshme në kryeqytet, shumica nuk do shemben

12:00 - 24.12.19 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Deri më tani 140 pallate në kryeqytet janë shpallur të pabanueshëm nga Instituti i Ndërtimit pas tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë në 26 nëntor. Shumica dërrmuese e tyre nuk do të prishen sepse kanë nevojë vetëm për riparime. Ndërkohë brenda 30 janarit të 2020-ës, duhet të jenë identifikuar vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit. Kjo është ajo çka ka deklaruar drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë dhe Emergjencave Civile për Tiranën, Erind Bejko gjatë një interviste në ‘Gazetën Shqiptare’. Ai ka theksuar se aksioni për heqjen e depozitave të ujit nga pallatet e pabanueshëm ka nisur në zonën e Kombinatit dhe Kinostudios dhe ky aksion po ndërmerret nga vetë Bashkia e Tiranës, me ndihmën e Task Forcës së krijuar mes Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi, Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. dhe Drejtoritë e Punëtorëve të Qytetit. Më tej Bejko shtoi se po komunikohet ditë pas dite me qytetarët për të negociuar mbi heqjen e depozitave por në rast mosbindje, organet kompetente do të veprojnë sipas ligjeve në fuqi. Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Bashkëpronësisë dhe Emergjencave Civile për Tiranën, depozitat e ujit do vendosen në ambientet e truallit përreth pallatit, qoftë aty ku mund të jetë bërë një uzurpim pa leje i pronës së përbashkët, ose në rastin më të vështirë, nëntokë, por pa dëmtuar themelet e pallatit.




Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë vendimin për heqjen e depozitave nga tarracat e pallateve. Si do të realizohet ky proces, do të hiqen nga bashkia vetëm për pallatet e pabanueshëm dhe ata të dëmtuar rëndë?

Kemi filluar me heqjen e depozitave në pallatet që janë shpallur të pabanueshëm. Në këto pallate do asistojë vetë Bashkia e Tiranës, duke qenë se banorët e këtyre pallateve nuk jetojnë më aty, pasi kanë marrë bonusin e qirasë. Këto ditë Task Forca e Administratorëve është duke ngjitur njoftime në çdo pallat të ndërtuar para vitit ’91 dhe po organizon takime të vazhdueshme me banorët. Në rastet që pallatet e banimit nuk kanë pësuar dëme, si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor 2019, me qëllim sigurinë e jetës dhe shëndetit, depozitat e ujit do të hiqen përkohësisht nga tarracat, deri në një moment të dytë që Asambletë e Bashkëpronarëve dhe Administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti i licencuar, mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi.

Cili është afati i fundit i heqjes së depozitave nga pallatet dhe vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit?
Brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë identifikuar vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit.
Sa është numri i pallateve të shpallura të pabanueshme dhe ata të dëmtuar rëndë deri më tani në kryeqytet?
Duke qenë se shifrat ndryshojnë përditë, përafërsisht numri i pallateve që janë shpallur të pabanueshme nga inxhinierët dhe Instituti i Ndërtimit, është 140 deri më tani. Kjo nuk do të thotë se të gjitha këto pallate do të prishen, pasi shumica dërrmuese e tyre ka nevojë vetëm për riparime, megjithatë duke pasur elementin e sigurisë parësor, ne i kemi evakuar banorët nga këto pallate dhe këta të fundit kanë marrë bonuse qiraje, deri në momentin që do bëhet ekspertiza e thelluar e këtyre pallateve, të merret një vendim dhe të nisë rikonstruksioni i tyre.

Në vendim theksohet se për pallatet e padëmtuar rëndë, do të jenë vetë administratorët e pallatit që do të bashkëpunojnë me banorët? Sa besoni se do të ndërgjegjësohen qytetarët?
Gjatë këtyre viteve kemi kuptuar që marrëdhënia me banorët është shumë e rëndësishme. Teksa ne i takojmë ata, gjykojmë se vendosja e Administratorëve është një proces i vështirë, por jo i pamundur. Shembulli më i mire i punës tonë bindëse është dhe nisma e Fondit të Komunitetit, i cili ka dëshmuar se ka qenë një model suksesi dhe ka dhënë frytet e veta. Siç kemi arritur të bindim 1500 pallate që të kenë Administratë, do të vazhdojmë me bindje, komunikim dhe negociata.

Çfarë do të ndodhë në rast mosbindjeje nga ana e qytetarëve, a do të ketë sanksione?
Ne synojmë të arrijmë dakordësinë, duke qenë se kjo nismë është ndërmarrë për t’i garantuar sigurinë e nevojshme banorëve. Sidoqoftë, në rast mosbindje, organet kompetente do të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

Në vendim thuhet që inxhinierët do të verifikojnë deri në janar 2020, nëse pallati ka kapacitet të mbajë peshën e depozitave. Kush do t’i paguajë këta inxhinierë? A do të jenë kosto për banorët apo do të mbulohen nga bashkia?
Pas tërmetit ne u vumë përballë disa fakteve shumë të forta dhe kjo periudhë kohore që pas datës 26.11.2019, dëshmoi angazhimin vullnetar të dhjetëra ekspertëve, mes tyre inxhinierë ndërtimi, arkitektë dhe nga fusha të ngjashme, të cilët u morën me ekspertizën e pallateve. Gjatë këtij procesi janë evidentuar veçmas edhe pallatet problematike në këtë drejtim.

Ku do të vendosen depozitat e përbashkëta dhe kush do t’i mbulojë kostot e tyre?
Depozitat e ujit do vendosen në ambientet e truallit përreth pallatit, qoftë aty ku mund të jetë bërë një uzurpim pa leje i pronës së përbashkët, ose në rastin më të vështirë, nëntokë, por pa dëmtuar themelet e pallatit. Në këtë moment, operacionin e kemi filluar në zonën e Kombinatit dhe plani vijon me zonën e Kinostudios, për heqjen e depozitave me ndihmën e Task Forcës së krijuar mes Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi, Ujësjellës Kanalizime Tiranë sh.a. dhe Drejtoritë e Punëtorëve të qytetit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.