KULTURË

“ONUFRI REMADE”/ Ekspozita në ekzil e artistëve antiestablishment

12:02 - 13.02.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është çelur dje në mbrëmje në Galerinë Kombëtare të Arteve të Prishtinës, ekspozita “ONUFRI REMADE”. E rindërtuar në një hapësirë tjetër ajo sfidon Ministrinë shqiptare të Kulturës që e mbylli ekspozitën dhe konkursin ndërkombëtar pas një tradite 20-vjeçare në Tiranë. Procesi i mbylljes së “Onufrit” shqiptar zgjati rreth 2 vjet dhe shënoi debat publik mes artistëve dhe zyrtarëve të Ministrisë, njëherësh edhe kritika ndaj qeverisjes së majtë në pushtet që reshti një traditë. “Onufri remade” e kuruar nga Ardian Isufi e Elton Koritari, është frymëzuar nga Marcel Duchamp. Vetë titulli sipas materialit për median, kërkon të evokojë një spostim të masës kritike në favor të artistëve, duke i vendosur ata në një pozicion ambivalent: është koha për të dalë nga rreshtat, është koha për të bërë zhurmë, për të bezdisur, për të reflektuar, për të dialoguar, për të krijuar hapësirë, për të zaptuar hapësirën e munguar. Është koha për të tentuar. Onufri e ka këtë mision, e ka pasur përherë dhe është koha për ta rikthyer. Ekspozita u çel në kuadër të projekteve artistike të Galerisë Kombëtare të Kosovës. 18 projekte artistike u përzgjodhën nga kuratorët për t’u shfaqur nga dje deri më 25 Shkurt 2020.
Artistë pjesëmarrës në të janë: Vladimir Myrtezai (Grosha) – Ergys Krisiko – Sadik Spahija – Eliza Hoxha – Fatos Lubonja – Albes Fusha – Yllka Gjollesha – Eugenio Tibaldi (Kuruar nga Ajola Xoxa) – Harri Aleksi – Olsi Qazimi – Ervin Bërxolli – Penelop’s webs (Beskida Kraja / Clioevi/ Petrova Margarita / Hanioti Dimitra) – Osman Demiri – Ylli Xhaferri – Florian Haxhihyseni – Altin Lika – Rubin Kadija – Elvis Dako – Edmond Gjikopulli – (Safo Marko / Ilia Terpini / Shyqyri Sako – Kuruar nga Genti Gjikola).
Por edhe në këtë ekzil në Shqipërinë matanë kufirit, ka një risi shqiptare. Kuratorë të dy prej projekteve që shfaqen janë dy emra që aktualisht punojnë për qeverinë shqiptare (Genti Gjikola), ose kanë lidhje familjare me emra të spikatur të së majtës në pushtet si Ajola Xoxa.




“ONUFRI REMADE”
“Nuk është e lehtë të jesh sot një artist në Shqipëri. Galeritë e pakta të artit, hapësira kulturore që hapen dhe mbyllen njëra pas tjetrës në mungesë të mbështetjes dhe sidomos mungesës së vizionit, klishetë që shoqërojnë botëkuptimin mbi artin bashkëkohor, mungesa e publikimeve dhe revistave të artit, mungesa e programeve, rezidencave dhe në përgjithësi klima e krijuar dhe klientelizmi i përhapur bëjnë që tashmë artistët shqiptarë të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe botën e artit bashkëkohor, vetëm pothuajse nëpërmjet internetit me rrjetet e tyre sociale”, thuhet në materialin për mediat.
Nga ana tjetër, për kuratorët, pushteti dhe organet menaxhuese të artit në vend, paraqiten në të njëjtat rrjete sociale vetëm me një makinë të fuqishme propagandistike; një transmetim të vetvetes pothuajse në kohë reale dhe të vazhdueshme duke u distancuar më tej nga artistët dhe duke bjerrur ëndrrën e një grupi të përbashkët, gjë e cila do të sillte lindjen e një ideologjie dhe natyrshëm do të kërkonte më pas të “zaptonte” hapësirat ekspozuese ose alternative dhe të krijonte hapësira paralele. Në këtë klimë, vjen sipas kuratorëve, edhe mosorganizimi i ekspozitës vjetore “Onufri” me një precedent të mëparshëm, konkursin e fotografisë “Marubi”, i cili tashmë prej vitesh në të njëjtën mënyrë është i zhdukur nga skena e artit shqiptar, ashtu si edhe “Qendra e Realizimit të Veprave të Artit”, etj. Isufi dhe Koritari shënojnë se historia e “Onufri”-t për artet pamore në Shqipëri dhe rëndësia e tij për artistët shqiptarë, nuk mund të kalojë me një mospërfillje të thjeshtë, edhe pse, askush përveç artistëve shqiptarë nuk mund të ndihet në një farë mënyre zot i kësaj ekspozite. “Qëllimi ynë është të krijojmë premisat për rikthimin e ‘Onufri’-t në skenën e artit shqiptar, duke e dërguar atë nga institucionet që e krijuan në kohë në një konkurs dhe ekspozitë ndërkombëtare, tek vetë artistët, si dhe duke e transformuar në një eveniment, i cili heton gjendjen e artit bashkëkohor shqiptar dhe dialogun mes artistëve dhe sistemit global të artit”, vërejnë dy kuratorët e Onufri Remade, Ardian Isufi e Elton Koritari.

Me temën #OPEN, për ta, ekspozita heton me sy kritik dhe nxit një reflektim mbi marrëdhënien dialektike ekzistuese midis artit dhe publikut, ku nyja lidhëse e veprave dhe artistëve të përzgjedhur është marrëdhënia ndërmjet tyre dhe art-establishment-it. Pra, është një aktivizim i artistëve shqiptarë, të veçuar ose në grup, ndërmjet konceptit të “kontestimit dhe vetëdijes” për ngjarje të freskëta shoqërore, politike etj. (të përzgjedhura në liri të plotë nga artisti) e gjithë kjo nëpërmjet artit bashkëkohor.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.