Ministria e Shëndetësisë me anë të një njoftimi për mediat shprehet se Shqipëria ende nuk është prekur nga koronavirusi.
Po ashtu, ministria thotë se janë testuar 5 raste dhe se në asnjërin prej tyre nuk ka dalë që të ketë pacient të prekur nga virusi vdekjeprurës.
Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
Informacion i përditësuar
Ministria e Shëndetësisë/ zyrtare: Shqipëria e paprekur nga koronavirusi i ri, përfundon testimi i 5 rasteve të reja
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale konfirmon se ka përfunduar testimi në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik edhe i pesë rasteve të tjera të dyshuara, me histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi COVID-19, të cilat kanë rezultuar NEGATIVE.
Deri në këto momente janë testuar 23 raste për koronavirusin e ri.
Duke ju ftuar t’i referoheni burimeve zyrtare, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën me dije se do të informojë në vijimësi për situatën në vendin tonë.