OPINION

Lamtumirë Moikom, mendimtari e krijuesi me përmasa të papërsëritshme!

08:52 - 17.06.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më datën 15 qershor 2020, në orët e para të mëngjesit, u nda nga jeta Moikom Zeqo, një nga personalitetet më të rralla e më të veçanta të kulturës e të botës shqiptare. Lindi më 3 qershor të vitit 1949 në Durrës dhe ndërroi jetë në këtë qershor, për shkak të sëmundjes së leucemisë. Ndarja e tij nga jeta ishte e papritur, por jo e paparashikuar. Kishte vite që luftonte me sëmundjen dhe pavarësisht vështirësive fizike, pati një prodhimtari të shkruar dhe angazhime publike, shumë të frytshme.




Ndër këto angazhime kanë qenë dy aktivitete të zhvilluara me studentët dhe stafin akademik të Akademisë së Sigurisë, takime këto, me mbresa të veçanta për të gjithë pjesëmarrësit. Këtyre aktiviteteve u shtohen edhe pjesëmarrjet në promovime librash të Akademisë së Sigurisë, ku në çdo aktivitet ai ka pasur fjalë rasti të pasura me mesazhe të forta e me sinteza filozofike, të vlefshme jo vetëm për policinë, por për filozofinë e sigurisë e të shtetit në tërësi.

Të shkruash në mënyrë të përmbledhur për një erudit të tillë është e pamundur. Por, nëse do të përpiqeshim që të gjenim disa fjalë të thjeshta për të si njeri e si krijues, mund të themi se: e donte jetën, e donte njeriun, e donte të vërtetën dhe e donte Shqipërinë! Një shpirt i tillë, i madh, dhe një mendje me dimensione sa të thjeshta, aq edhe të thella e të parrokshme nga gjithkush lë pas boshllëk. Lë boshllëk ikja e një Moikomi, sepse si komb, kemi shumë pak mendje të tilla. Ky postmodern i madh shqiptar, i përmasave evropiane, la një vepër që zor se do tejkalohet në të ardhmen. Dhe nuk është volumi i stërmadh i faqeve të shkruara, por një volum edhe më i stërmadh i mendimit që ai zhvilloi në faqet e shkruara: lëvizte nga arti te shkenca me një zhdërvjelltësi që nuk e gjen askund.

Si një tjerrës i pashoq i simbolikës, letërsisë e filozofisë, edhe ikja e tij duket si një simbol i stërmadh i veprave të tija postmoderne. Do të na pëlqente ta mbyllnim me stilin e tij lakonik këtë lamtumirë. Një nga ngjarjet më të hershme, antike, që mban datën 15 qershor, ka qenë dëshmia e parë historike e një eklipsi të regjistruar më 763 p.e.s. në Mesopotami, i cili është “nyja” ku fiksohet e gjithë kronologjia historike e historisë së Mesopotamisë. Nëse do të përdornim analogjinë e datës, edhe 15 qershori 2020 është një eklips për botën e dijes shqiptare. Por, në të njëjtën kohë, është edhe një pikë referimi për të, ashtu si ai eklipsi antik. Që në çastin e parë që u mor vesh humbja e Moikomit, pati një reagim shoqëror që mbështillej nga dy fije: hidhërimi dhe respekti për dijen. Lamtumira fizike u shoqërua në çast me vetëdijen e përgjithshme se, ky njeri la një trashëgimi të vyer mendimi e arti për shqiptarët. Lamtumirë Moikom dhe mirë se u ngjite në panteonin e pavdekshëm të kombit!

Dedikim në emër të Akademisë së Sigurisë

 

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.