Kryesore

INTERVISTA, ELVIS MALAJ/ Çobani, ujku, këpucët e ngushta dhe një tradhti për shqiptarët

12:45 - 24.07.20 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Letërsia mund të jetë një shpëtim i mirë, nga gjithçka, shpesh edhe prej peshës së vetvetes. Botimi në shqipe i vëllimit të parë me tregime të Elvis Malajt, “Nga veranda jote duket shtëpia ime” shërben si shkas për një bisedë me shkrimtarin e ri, ikur nga atdheu kur qe veçse 15 vjeç. Gjithë bota që mori me vete, kujtimet nga një fshat malor në veri të vendit, u bënë mandej, një shtrat ku tregimet e tij shtriqen për të përcjellë Shqipërinë e tij dhe tonën më shumë, e po aq, zanafille e të ikurve si ai, që morën me vete ‘Shqipëritë’ e tyre, mendësitë, paragjykimet e shpesh, kokëfortësinë e mbrapshtë të shqiptarit. Në librin e tij, dukuritë vijnë me ironi. Vepra e botuar së pari në italisht, shpërfaqi para lexuesit të fqinjëve matanë detit, komplekset tona të mëdha. Ai nuk gjykon se i ka tradhtuar. “Do i kisha tradhtuar po të rreja. Nëse s’kam rrejt, atëherë u kam ba një nder, sepse mënyra më e mirë për t’u liruar nga këto komplekse është duke i treguar dhe duke i përballuar. Por nëse shqiptarët thonë se kam rrejt, atëherë ta lëmë se në tregimet e mia nuk flas për ta, por për vedin”, -thotë Malaj në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”. Duke rrokur në perceptimin e kësaj bisede, faktin që është zhvilluar përmes e-mailit, lipset marrë parasysh që diku mund të ketë mbetur gjësend i paqartë mbi atë që është Elvisi, atë që mendon a beson dhe atë që përçon letërsia e tij. Por, nëse ka diçka të tillë, shfletimi i tregimeve nën titullin “Nga veranda jote duket shtëpia ime” do të hidhte më shumë dritë mbi atë e mbi ne. Tek e fundit, biseda është veçse një grishje drejt ‘verandës’, ku do të shohim si në një pasqyrë besnike që nxjerr ‘error’ dallditë tona, veten dhe tjetrin si ne. Përkthimi i Beti Njumës dhe logoja e ‘Pegit’ kanë sjellë shqip shqiptarin e letrave.




-Si ndodh që një djalosh i emigruar nga një fshat i Shkodrës, e gjen veten në Itali, të lidhur pas librave si pas një vetmie plotësuese, që e grish drejtë botëve letrare, mandej drejt shkrimeve?

Që do përfundoja të merresha me art është një gjë që e kam ditur gjithmonë, dhe që ishte letërsia, e zbulova nga mosha 18-vjeçare. Deri atëherë as lexoja, as shkruaja dhe në përgjithësi kisha një marrëdhënie të keqe me librat. Por më tërhoqi një lloj letërsie në veçanti, që është letërsia bashkëkohore, e cila lind nga gjysma e shekullit 19-të e mbrapa, si përgjigje e realizmit, verizmit, pozitivizmit etj. Kjo lloj letërsie mundohet të hedhë vështrimin brenda njeriut, përpiqet t’i gjejë aty shkaqet e trazirave, anktheve dhe problemeve të njeriut. Dhe më tërhoqi, sepse ishin tre vjet që isha në Itali (gjë që e kisha dëshiruar shumë), me shkollë, prindërit punonin dhe m’i plotësonin të gjitha kërkesat, demek nuk më mungonte asgjë, por isha më keq dhe më i trishtuar se kur jetoja në Shqipëri. Nuk dija ta shpjegoja këtë fakt, dhe letërsia më erdhi në ndihmë.

-Që në tregimin e parë, “Do doja të isha shqiptar” ju nisni të zbuloni jetën e një shqiptari atje, me ngjyrimet raciste, nevojën për integrim. A duhet t’i besosh paragjykimet, që të jenë të vërteta?

Racizmi dhe paragjykimet janë kallëzuese të një fukarallëku intelektual dhe shpirtëror, me një fjalë, e dimë këtë gjë dhe s’është e nevojshme ta rrahim më këtë muhabet. Por pikëpamja që dua të përcjell në tregimin në fjalë është se sjellja dhe qëndrimi i të tjerëve ndaj nesh varet shumë nga ne, nga ç’ka mendojmë. Ose të paktën, mua përvoja më ka diktuar që është kështu, në veçanti për sa i përket racizmit. Realiteti, domethënë bota e jashtme, është e lidhur ngushtë me përmbajtjen e mendjes, ose të botës së brendshme. Realiteti s’është një gjë që ekziston pavarësisht nesh dhe që ne thjesht e pësojmë, jo, ne kemi një rol aktiv në krijimin e tij.

-Një rikontekstualizim i Biblës, ku ajo përdoret më shumë për simbolikat. Sa vend zë besimi në jetën tuaj?

Unë vij nga një familje katolike, por nuk jam besimtar, ose të paktën jo në kuptimin tradicional të termit. Kam një spiritualitet të ndjeshëm, ndoshta dhe më të ndjeshëm sesa besimtari i zakonshëm. Mund të themi se jam më i prirë ndaj feve të Lindjes, domethënë mënyrës si e konceptojnë ata spiritualitetin e tyre, sesa ndaj feve abrahamike.

-Përballje me koncepte të reja, mbi të drejtat e gruas, kujdesin për trupin, një shkëputje nga patriarkalizmi, në një botë të drejtash të barabarta, ose të paktën në dukje. Ju vetë, si jeni përballur një pas një me këto dukuri teksa rriteshit në një botë ndryshe nga e fëmijërisë, por me familjen pranë?

S’kam pas telashe, jam mashkull, mund të bridhja e të bëja ç’ka të doja. Po t’i përkisja gjinisë tjetër do kishte qenë ndryshe. Nëse lind në një familje shqiptare ke leverdi të lindësh mashkull, përndryshe, po deshe liri, përgatitu të përballosh shumë beteja. Kur erdhëm në Itali, unë isha 15 vjeç dhe vëllai i madh 16; im atë thotë se po të kishim qenë goca nuk do na kishte pru këtu, sepse ajo asht mosha kur mundohesh t’i fejosh vajzat dhe t’i heqësh qafet. Në Itali është më e vështirë t’i fejosh, bile këtu vajzat rrezikojnë të dalin doret, sepse kanë më shumë liri. Dhe kjo mënyrë e t’menduarit përfaqëson shumë shqiptarë.

-“Këpucët” duke se përshkruajnë shoqërinë shqiptare të sotme, këpucë të ngushta, në baltë, para një kreu bashkie barkderr e hamës, që ka mësuar të shijojë lazanjën. Mandej janë këpucët në kërkim si tregues i nevojave jetike. Sa e njihni ju Shqipërinë e kësisojtë?

Këpucët e ngushta të Dedës mund të jenë një metaforë për shumë gjëra, por me të thënë të drejtën nuk kam pasur qëllime dhe as jam munduar të bëj kritikë shoqërore. Fakti është se po u përpoqe t’i tregosh gjërat në mënyrë të sinqertë, kritikën e bën doemos. 15 vjet që kam jetuar aty, mendoj ndopak e njoh Shqipërinë.

-Ujku (i stepës)e gjen shkatërrimin në liri…Përkrah këtij ujku, kush është Çobani? Si mund të ngjajnë kaq shumë ujku dhe Çobani?

Nuk e di se sa i ngjan Çobani Ujkut të stepës, por ndryshimi kryesor mes tyre është që: ky i fundit është një roman i ambientuar në një realitet të konceptuar idealisht dhe ka një përfundim gati utopik, ndërsa Çobani nuk e ka këtë privilegj. Prandaj Çobani është më dështak se Ujku. Dhe këtu qëndron ironia e hidhët e këtij tregimit. Një realitet si ky i sotmi, personazhet si puna e Çobanit dhe Ujkut i bën dështakë.

-Ka kaq shumë Shqipëri dhe shqiptarë në tregimet tuaja. Nëse shqiptarët i njeh mirë, sepse jeton me ta, i takon dhe merr prej tyre karaktere letrare, si e njeh Shqipërinë? Përmes vizitave, prindërve, sepse gjenden në tregime njohje jo sipërfaqësore me vendin?

Siç thashë më parë, 15 vjet nuk janë pak.

-Ndonjëherë, më dukej, se keni zbuluar para italianëve, komplekset e shqiptarëve në Itali, vështirësitë e tyre, marrjen e televizorëve në mbeturina, përpjekjet për të krijuar lidhje qoftë edhe vetëm për të pasur raporte seksuale, drojën ndaj italianëve. A ju duket se keni tradhtuar të ngjashmit?

Do i kisha tradhtuar po të rreja. Nëse s’kam rrejt, atëherë u kam ba një nder, sepse mënyra më e mirë për t’u liruar nga këto komplekse është duke i treguar dhe duke i përballuar. Por nëse shqiptarët thonë se kam rrejt, atëherë ta lëmë se në tregimet e mia nuk flas për ta, por për vedin.

-A është ironia një strehë e mirë për të thënë shumëçka?

Unë nuk do ta quaja strehë, sepse më jep idenë e diçkaje qe të vyen për t’u mbrojtur, ndërsa për mua ironia është më shumë. Për mua ironia është drama e pjekur. Kur drama arrin pjekurinë bëhet ironi.

-Kam lexuar mbi pakënaqësinë tuaj, pse në përkthimin në shqip në librit tuaj, mungojnë fjalët e pista. Megjithatë, në shumë tregime unë i kam gjetur të përkthyera me të njëjtën formë si në origjinalin italisht. “Të tradhtohesh nga gjuha jote”, shkruani ju dhe “traduttore-tradittore”. Si është qasja juaj ndaj përkthimeve, duhet të jenë besnike, të kenë të njëjtin kuptim por të përshtatura me konotacionet e gjuhës në të cilën janë përkthyer?

Po, sapo e lexova përkthimin dhe pashë se kishin censuruar të gjitha fjalët e pista u habita. Por fola me Aidën, kryeredaktorja e Pegit, që u tregua shumë e mirëkuptueshme dhe m’i plotësoi kërkesat. Ja pse në shumë tregime ke gjetur fjalë të pista. Por gjithsesi jam hala i habitur se si është e mundur që fjalët “k..i” e “p…i” (që me siguri do më censurosh) nuk i gjen kurrkund në veprat letrare. Dhe ajo që më habit më tepër është se as fjalori nuk i përmban.

Përveç kësaj, Beti Njuma ka bërë një punë të shkëlqyeshme, s’kam asgjë për t’u ankuar. Përkthimi ka dalë i rrjedhshëm, i këndshëm, i qartë dhe me një nivel të lartë letrar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.