AKTUALITET

Ambasadori gjerman, Zingraf: Viktimat e diktaturës kanë të drejtë të mbahen mend, demokracia në Europë nuk merret e mirëqenë

17:20 - 20.02.21 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – 30 vite nga rrëzimi i diktaturës, një pjesë e dokumenteve për ngjarjen e vitit 1991 ku u përfshinë studentët, janë ende sekret shtetëror.




Një pjesë e dokumenteve që tregojnë urdhrat që jepeshin nga pushteti ende nuk janë deklasifikuar nga institucionet shqiptare.

Me rastin e 30-vjetorin të rrëzimit të statujës së diktatorit Enver Hoxha u çel këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” ekspozita “Rënia e një diktatori”. Në aktivitetetin e organizuar nga IDMC në kuadër të “Ditëve të Kujtesës”, të pranishëm ishin ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, drejtori i drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, drejtori i ISKK-së Çelo Hoxha dhe drejtoresha e IDMC-së, Jonila Godole. “Duhet të kishim disa dokumente që të na shpjegonin më tepër atë që Byroja Politike po mendonte pas vdekjes së diktatorit, se çfarë do bëhej më tej. Por këto dokumente ende mbajnë siglen ‘sekret’, ndaj i bëj thirrje institucioneve përgjegjëse që sa më parë të deklasifikohen dhe historia të shkruhet dhe të analizohet siç ka qenë. Pas vdekjes së diktatorit në një mbledhje në prani të Nexhmije Hoxhës, u propozua që Tiranës t’i vihet emri Enver Hoxha, propozim që u duartrokit nga të gjithë”, tha Godole.

Ambasadori gjerman në Tirfanë, Peter Zingraf në fjalën e mbajtur, nxiti vazhdimin dhe intensifikimin e punës përkujtimore ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. “Viktimat e diktaturës kanë të drejtën të mbahen mend. Është e rëndësishme të kujtojmë historinë e secilit dhe të ruajmë vendet e ngjarjes si vende përkujtimore. Një kulturë aktive e përkujtimit është gjithashtu e rëndësishme, në veçanti për të sensibilizuar të rinjtë për faktin se paqja, pluralizmi demokratik, toleranca dhe pranimi nuk janë dhe nuk kanë qenë marrë si të mirëqena në historinë e Evropës”. Erblin Vukaj që ka punuar me ekspozitën, tha në ceremoni se “Ndonëse në publik është folur për forcat e rendit që ato ditë ishin më të zbutura, ende nuk dihet se çfarë diskutohej në mbledhje dhe çfarë urdhrash qarkullonin, pasi disa prej urdhrave janë ‘sekret shtetëror’. Ende nuk dihet qartë se çfarë diskutonte pushteti në ditët e levizjeve”. Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, u shpreh se “këto aktivitete janë mënyra se si ne duhet të dialogojmë pa nevojën e fillimit të gjuetisë shtrigave që merret me emra individësh apo grupimesh. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e ka deklasifikuar tërësisht dokumentacionin që ka të bëjë me periudhën komuniste, me përjashtim të shumë pak që përbëjnë ende ‘sekret shtetëror’ dhe kjo që të kuptojmë se si është ndërtuar diktatura deri në grahmat e fundit”. Në takim mori pjesë edhe Çelo Hoxha, Drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i cili kujtoi lëvizjen e 30 viteve më parë, ndërsa theksoi se rrezimi i shtatores pati efekt psikologjik.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.