Ola Mitre – Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, 30 organizata mjedisore ngritën shqetësimin se mbi 70% e partive politike të regjistruara në garën zgjedhore nuk kishin bërë publike programet e tyre për zhvillimin e ardhshëm ekonomik, social dhe kulturor të vendit. “Në deklaratat dhe premtimet publike të liderëve të këtyre partive, neglizhohen, thuajse nuk përmenden fare, politikat mjedisore, të cilat udhëheqin vendin drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik në linjë me vendet e Bashkimit Evropian”, – shtohej më tej në deklaratë. 4 vjet më pas duket se pak ka ndryshuar në këtë drejtim, duke qenë se partitë kryesore në vend nuk kanë paraqitur programe të mirëfillta për politikat mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste, gjen vetëm manifestin 2017-2021, i cili përbënte edhe programin e kësaj partie për 4-vjeçarin, ndërkohë që nuk ka asnjë dokument për 4-vjeçarin e ardhshëm që synon të qeverisë. Ndërkohë që, Partia Demokratike që shpreson të vijë në pushtet pas 8 vitesh në opozitë, i ka dedikuar një faqe online ofertës politike për zgjedhjet e 25 prillit. Nëse klikon në platformën shqiperiafiton.al mund të gjesh programin për disa sektorë, sikurse janë: ekonomia, arsimi, kultura, bujqësia, rinia, mirëqenia, gruaja, pronarët, anti-korrupsioni, turizmi apo energjia. Por, një program të tillë nuk mund ta gjesh për mjedisin. Të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, përfaqësuesit e zyrës së shtypit, thanë se programi për mjedisin është prezantuar së bashku me atë të turizmit, por në programin e këtij sektori nuk flitet aspak për këtë politikë mjedisore apo për zhvillimin e qëndrueshëm. Ndërkohë që, në programin për sektorin energjetik, duket se ka një ndërthurje edhe me mjedisin. Kështu, Partia Demokratike premton uljen e çmimit dhe rritjen e cilësinë së karburantit për qytetarët. “Jo vetëm që do të kurseni para, por edhe Shqipëria do të jetë më e gjelbër, më e shëndetshme dhe më e pastër”, – thuhet në program. Ndërkaq, sa u takon burimeve gjeneruese të energjisë, PD-ja premton “rritjen e sigurisë e furnizimit me energji në vend, përmes investimeve në burime energjie të gjelbra e të pastra”. “Shqipëria do të përfitojë nga pozicioni i saj i shkëlqyer gjeografik, duke u kthyer në një qendër për furnizimin e mbarë Ballkanit, po edhe më përtej, me gaz natyror, i cili është më i pastër, më pak i kushtueshëm dhe do të forcojë ekonominë tonë”, -thuhet në program. “Ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbra dhe të pastra me fokus energjinë hidrike dhe atë të erës”, – shtohet më tej.
Partitë e vogla
Ndërkaq, Partia Agrare Ambientaliste, një parti në koalicion me Partinë Demokratike, ka hartuar një dokument, mbi ofertën e saj politike për qytetarët që do të votojnë në datën 25 prill. Sipas dokumentit të vënë në dispozicion të “GSH” nga kjo parti, që synon të përfaqësohet në parlament e të ketë fuqi negociuese, 2 nga objektivat kryesorë për periudhën 2021-2025 janë: mjedisi i pastër dhe i shëndetshëm për të gjithë shqiptarët dhe rritja e peshës dhe kontributit të ekonomisë së gjelbër. Për arritjen e këtyre objektivave PAA premton hartimin e një strategjie kombëtare për ambientin, si një prioritet i së ardhmes së shëndetshme të shqiptarëve. Sipas dokumentit, PAA do të angazhohet të iniciojë politika dhe projekte pro aktive dhe rritje financimi për mbrojtjen e mjedisit, resurseve natyrore dhe biodiversitetit. “Kjo do të arrihet nëpërmjet: Mbështetjes së ndërgjegjësimit, sensibilizimit për rritjen e pjesëmarrjes aktive të popullsisë rurale dhe urbane ndaj ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit si faktor kryesor për krijimin e avantazheve ekonomike afatgjata dhe punësimit të qëndrueshëm”, – thuhet në programin e PAA-së. “Ndërgjegjësimi i individëve dhe bizneseve private për të kryer investime që mbrojnë dhe pasurojnë biodiversitetin dhe trashëgiminë natyrore, siç janë: mirëmbajtja e pyjeve ekzistuese si dhe nxitja e krijimit të pyjeve private (me përparësi zonat e degraduara), ruajtja dhe shtimi i florës dhe faunës”, – thuhet më tej, duke premtuar edhe promovimin e ekonomisë së gjelbër si ekonomia e së ardhmes. Ndërkaq, për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit do të garojë edhe Nisma Thurje, që ngjashëm me partitë e mëdha, nuk ka një program specifik për mjedisin. Kjo parti vendosi në dispozicion në “GSH” programin e quajtur “33 Projektligjet – platforma ‘lësho tepsinë’”, por në këtë dokument mjedisi nuk përfshihet. Vetëm në pikën 13, ku flitet për shfrytëzimin e burimeve natyrore, që jo pak herë shkaktojnë dëme në mjedis, thuhet se “pasuritë natyrore që i janë dhënë në administrim privatit, rikthehen nën administrim publik kur konstatohet keqadministrimi i tyre, apo provohet se kontrata koncesionare është produkt i veprës penale”.
AKTUALITET
Programet elektorale, partitë lënë pas dore politikat për mjedisin PS s’ka dokument. PD: Prodhim energjie nga burime të gjelbra
Shfaq Komentet (0)