Kryesore

Bujar Kardashi vlerësohet me titullin “Mjeshtër i Madh” nga presidenti Meta

18:01 - 10.06.21 gsh

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit, Presidenti Ilir Meta vlerësoi me Titullin “Mjeshtër i Madh” artistin e spikatur të prodhimit të instrumenteve muzikore dhe stilistin, Bujar Kardashi.



Titulli u dha me motivacionin: “Në vlerësim të veprimtarisë së tij të spikatur në fushën e artizanatit, nëpërmjet ngritjes së repartit të prodhimit të violinave në Shqipëri, si dhe me realizimin e një kolanë të instrumenteve të harkut në vendin tonë, pjesë e fondit të Kulturës Kombëtare shqiptare. Me mirënjohje për kontributet thelbësore në zhvillimin e artit dhe kulturës kombëtare si dhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore me punën e tij të palodhur si artist dhe si stilist.”.

Në fjalën e tij përshëndetëse Presidenti Meta u shpreh se Kardashi është promovues i traditave shekullore dhe veçantive të artizanatit shqiptar.

“Jam i lumtur, që jemi sot, së bashku, në Ditën Ndërkombëtare të Artizanatit, për të vlerësuar një nga përfaqësuesit më të spikatur të artit dhe të artizanatit, zotin Bujar Kardashi. Kur flasim për trashëgiminë tonë kulturore, theksojmë shpesh rëndësinë e ruajtjes së traditave tona dhe transmetimin e tyre tek gjeneratat më të reja, por kaq nuk mjafton. Për të bërë të mundur këtë duhet të ndërmarrim angazhime konkrete si: politika mbështetëse më të mira dhe efektive, shkolla profesionale më të mira, projekte bashkëpunimi më të shumta, panaire të artizanatit dhe zejtarisë më të shumta, por edhe vlerësime të artizanëve dhe artistëve tanë të shquar në këto fusha. Vlerësimi i z.Bujar Kardashi në Ditën e Artizanatit merr kuptim të plotë për arsye të kontributit të tij thelbësor dhe të drejt për drejtë për artin dhe artizanatin.

Zoti Kardashi është një artist unik dhe shumëdimensional. I diplomuar për pikturë dhe njëkohësisht i specializuar si restaurator i instrumenteve muzikore. Çka e dallon zotin Kardashi është fakti se ai është një nga lutajot më unik në Shqipëri, pasi është i vetmi, i cili ka realizuar një seri të instrumenteve të harkut: violinë, violë dhe violonçel, që janë sot pjesë e fondit të Kulturës Kombëtare Shqiptare. Të gdhendësh me dorë një violinë apo violonçel kërkon jo vetëm mjeshtëri, por edhe shumë durim, pasion e mbi të gjitha dashuri.

Instrumentet popullore si lahuta, çiftelia, mandolina apo kitara, të projektuara dhe realizuara nga z.Kardashi janë shpërndarë anë e mbanë botës, duke shpërndarë kështu edhe kulturën tonë kombëtare. Eksperiencën e tij të madhe, z.Kardashi jua transmetoi edhe brezave të rinj, duke përgatitur me dhjetëra artizanë dhe lutajo, të cilët kanë sukses brenda dhe jashtë vendit.

Pas viteve ’90-të, kontributi i tij u përqëndrua në fushën e stilizimit, duke realizuar uniformat ceremoniale për Gardën e Republikës, si dhe duke kompozuar të gjitha uniformat, emblemat, gradat dhe simbolet për Forcat tona të Armatosura. Me dashuri e përkushtim z.Kardashi ka realizuar sfilatën më të madhe ushtarake në vend, duke sjellë në të eksperiencën dhe traditat më të mira të kostum grafisë shqiptare.

Forcat tona të Armatosura u anëtarësuan në NATO me uniformat e përgatitura prej tij. Ndihem i lumtur kur shikoj arritjet e z.Bujar Kardashi dhe punën e tij të jashtëzakonshme, për të nxjerrë në pah traditat shekullore dhe veçantitë e artizanatit shqiptar, si dhe prezantimin dhe promovimin e tij brenda dhe jashtë vendit, me sukses.

Për gjithë këtë veprimtari të spikatur në fushën e artizanatit, të artit e kulturës kombëtare, si dhe për dedikimin për ruajtjen e trashëgimisë dhe traditave tona, vlerësoj sot, zoti Bujar Kardashi me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’.

Edhe njëherë faleminderit dhe suksese juve dhe të gjithë artistëve dhe artizanëve në vendin tonë. Faleminderit!”

Në kopshtin e Institucionit Presidenti i Republikës dhe pjesëmarrësit në veprimtarinë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Artizanatit vizituan ekspozitën me punimet e lutajos dhe krijimet artistike të zotit Bujar Kardashi.”, tha Meta.

 

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.