Intervista

EKSKLUZIVE/ Flet Eksperti: Rritja e pensioneve e nevojshme, gjendja financiare e skemës nuk mund të jetë pengesë

13:30 - 28.02.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Eksperti i pensioneve Prof. Assoc. Dr. Hasan Hoxha flet për problemet e evidencuara




E shkruara në ligjin e pensioneve pas reformës së fundit nuk lejon rritjen

Voltiza Duro – Pensionet në skemën publike prej kohësh janë pjesë e një debati të gjerë dhe, në momente të caktuara, mjaft intensiv, sidomos për nivelin e ulët të tyre. Herë në trajtën e diskutimeve, herë të debatit profesional, jo rrallë edhe me këndvështrime politike, me mendime e opinione, në të dy rastet, pro dhe kundër rritjes së tyre. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”  eksperti i pensioneve Prof. Assoc. Dr. Hasan Hoxha flet për çështje të kësaj fushe, në fillim për disa zgjidhje që reforma e pensioneve solli vetëm 7 vite më parë, për probleme të evidencuara në procesin e zbatimit të saj, për përmirësimet ligjore që kërkohen dhe nevojën e rritjes së pensioneve, apo dhe për disa mundësi që potencialisht ekzistojnë, si dhe për ndonjë tjetër çështje që lidhet me skemën publike.

Ashtu si prej vitesh, edhe tani vendimmarrja vazhdon me mendimin se, e shkruara në ligjin e pensioneve pas reformës së fundit nuk lejon rritjen e pensioneve, ato vetëm indeksohen me nivelin me vjetor të inflacionit për një numër të kufizuar të artikujve të shportës. Të shqetësuar, në anën tjetër, ndjehen pensionistët të cilët kanë shtuar kërkesat për rritjen e pensioneve.  Sigurisht, për shkak të nivelit relativisht të ulët, pse jo dhe për probleme të akumuluara në vite, një pjesë e të cilëve, me sa duket, nuk kanë marrë zgjidhje edhe pas reformës së fundit. Por, përkundrejt kërkesës së drejtë për rritjen e pensioneve, nuk kanë munguar edhe opinione gjithëfarllojesh dhe qëndrime kundërshtuese të qeverisë, nuk di sa reale e bindëse si: skema është në gjendje të vështirë financiare, se raporti kontribues përfitues për momentin është i disfavorshëm, se subvencionet buxhetore janë të konsiderueshme apo, sa u krye një reformë në këtë fushë e cila, zgjidhi mjaft probleme etj.

Niveli i ulët i pensioneve dhe kërkesa e disa grupeve të interesit për rritjen e tyre është më shumë se herë tjetër një çështje e ditës. Diçka më shumë rreth arsyeve të një diskutimi të tillë?

Po, është shumë e vërtetë se fusha e pensioneve, shpesh, për të mos thënë përditë e në vazhdimësi, vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve të lira, në familje, në kafe, në biseda e opinione të ndryshme televizive, në pyetjet për gazetarët, për qeverinë, për këdo që mendohet se mund të thotë diçka, ose ka në dorë shumëçka për të ndryshuar situatën. Arsyet pse në diskutime e debate është   kjo përfshirje e shumtë e qytetarëve dhe, sa vjen e më intensive, është së pari, se në skemën publike të pensioneve janë aktualisht rreth 680 mijë pensionistë, janë gati aq sa punojnë me kontribute në vendin tonë, ose pak më shumë se raporti 1 me 1.Kështu, pothuajse të gjithë familjet shqiptare, në njërën apo në tjetrën formë, janë të lidhur me skemën publike të sigurimeve shoqërore. Së dyti, pensionet janë kthyer në një çështje me shumë ndjeshmëri, sidomos në këto momente, për shkak se niveli i tyre është i ulët, dhe prej vitesh ka mbetur pothuajse në të njëjtën gjendje, me përjashtim të një lloj indeksimi të përvitshëm që shoqërohet me një shtese të vogël. Për pensionet minimale që luhaten në nivele rreth 150 mijë lekë, shtesa nga një vit në tjetrin arrin në vetëm 3-4 mijë lekë të vjetra në muaj. Ndërsa, për pensionet e pjesshme, bartësit e të cilëve për shumë arsye nuk realizuan ose nuk patën mundësi të plotësonin vitet e kërkuara të punës ose ato kontributive, shtesa mujore nga indeksimi i radhës është krejt i papërfillshëm. Së treti, ka shumë familje vetëm me dy pensionistë ose pensionistë të vetëm që, përveç pensionit mujor, nuk kanë të ardhura të tjera për t’u përballur me kërkesat e përditshme të jetës. Madje, edhe në rastet kur një pjesë syresh, ndihmohen me ndonjë të ardhur nga fëmijët në emigracion, apo të punësuar këtu brenda vendit, kjo përsëri nuk i qetëson pensionistët. Sepse, bëhet fjalë për një pension të ulët mujor për të cilin bartësi i tij ka investuar 35-40 vite punë e kontribute.

Ndaj, për t’iu kthyer përgjigjes së pyetjes tuaj: janë kryesisht, arsyet e mësipërme pse është kaq e debatuar çështja e pensioneve. Dhe, nëse do të ndiqje për shembull, zërin e qytetarëve mëngjeseve në disa televizione, do të përballesh me të drejtë me mjaft prej tyre që vazhdojnë të ankohen, që ngrenë zërin, që sugjerojnë rritjen e pensioneve, duke sjellë në vëmendjen e strukturave vendimmarrëse, sektorët e vështirë ku ata kanë punuar për shumë vite etj.

Skema e pensioneve u reformua vetëm pak vite më parë. Është thënë se përmirësimet ligjore, me këtë rast, zgjidhën mjaft problematika të krijuara. Dëgjojmë përsëri se fusha e pensioneve është me të tjera shqetësime. Çfarë mund të sqaroni rreth këtyre zhvillimeve?                   

Po, reformën e fundit të pensioneve, ndryshimet e së cilës hynë në fuqi në fillim të vitit 2015,e kam vlerësuar të nevojshme, madje, për shumë arsye, edhe të vonuar. Të nevojshme sepse, disa prej ndryshimeve ligjore që ajo prodhoi, e çliruan skemën e pensioneve nga disa ngërçe e situata që penalizonin grupe të caktuara pensionistësh. Të tilla ishin për shembull: detyrimi ligjor që qytetarit t’i akordohej niveli më i vogël i masës së pensionit ndër tre variantet llogaritëse; kufizimi apo niveli tavan i pensionit maksimal, i cili nuk lejohej më shumë se dyfishi i pensionit minimal; lidhja e dobët e kontributeve, në vite pune dhe nivelin e bazës së vlerësuar, me masën e llogaritur të pensionit, aq sa kandidatët afër moshës së  pensionit, jo rrallë, ndërprisnin punën apo kontributet, menjëherë sa plotësonin 35 vite etj.

Të vonuar, sepse vitet e shumta nga reforma paraardhëse, shtuan pensionet e penalizuara nga barrierat e mësipërme ligjore dhe formula  llogaritëse e tyre. Vetëm nga arsye të tilla, edhe sot mjaft individë vazhdojnë të trajtohen me pensione minimale e, poshtë minimales. Pensionet e këtij lloji, jo në pak raste madje, rezultojnë të jenë edhe më poshtë nga varianti me bazën e vlerësuar gjithëkohore të punës. Për shkak të ligjit të mëparshëm, ka edhe mjaft pensione të tjera që, gjithashtu, janë në kuota minimale, jashtë logjikës së pagesës së kontributeve.

Sigurisht, kjo pjesë jo eficiente e praktikës e akumuluar para vitit 2015,na ndihmon të themi se, kësaj here, nuk duhet pritur që fusha e pensioneve të ngarkohet kështu me të tjera probleme. Është rasti, gjithashtu, të themi se, ndjehet nevoja për përmirësime ligjore dhe ndryshime në dy plane: Njeri, i cili në themel të llogaritjes do të ndikonte në rritjen e arsyeshme të pensioneve, krahas me shtimin e efektivitetit dhe vënien e disa ekuilibrave të rinj në skemën e pensioneve. Këtu, do të përfshija çështje që nuk u realizuan nga reforma e shkuar, apo të tjera që evidencuan vitet pas kësaj, sikurse: niveli dhe raportet e   deformuara të pagave, të cilët sjellin efekte jo normale në pensione; përsëri nevoja për një lidhje edhe më të fortë në skemë, midis kontributeve dhe masës së pensionit, duke zgjeruar fashën e pagës së kontributeve përtej nivelit maksimal të sotëm; rritja e nivelit të pagave referuese të para vitit 1994,ose rritja e arsyeshme e koeficienteve të vlerësimit të tyre; niveli dysheme më i lartë për pensionet e plota minimale; kuotë më e lartë edhe për pensionet sociale, apo për pensionet e pjesshme me minimumin e viteve të punës; përfshirja në skemë, pas studimit dhe debatit profesional, e njërit prej varianteve më të efektshëm për të vetëpunësuarit në bujqësi etj. Ndërsa tjetri, ndryshime në ligjin bazë që rritin pensionet aktuale, në vend të indeksimit të sotëm. Sigurisht, me studime të plota për nivelin dhe arsyet. Pas kësaj, do të vlerësoja variantin e rritjes me shkallëzime të tyre, duke trajtuar me përparësi pensionet e vogla për shembull, nën 10 mijë apo dhe 20 mijë lekë në muaj. Bashkë me këto, edhe pensionet që konsiderohen të penalizuar prej kufizimeve ligjore që, në një farë mënyre, kanë zhvlerësuar kontributet reale të pensionistëve ndër vite. Vendosja e një niveli të arsyeshëm dysheme për pensionet minimale, si dhe rritjen e shkallëzuar me tarifa fikse do t’i gjykoja si më të përshtatshmet e këtij procesi. Ndërkaq, rritja e shkallëzuar dhe me përparësi e pensioneve të këtij lloji, nuk ka pse të përjashtojë indeksimin e përvitshëm, apo një rritje të arsyeshme për pjesën tjetër të pensioneve.

U shprehët për ndërhyrje në ligj që përmirësojnë qysh në llogaritje masën e pensioneve, bashkë me rritjen e arsyeshme të një pjese prej tyre. Ndërkohë që, rritja e pensioneve, siç thuhet, do të ndikonte në falimentimin e skemës publike, e cila edhe sot ajo është deficitare etj. Keni shpjegime rreth këtij opinioni?

Po, është e vërtetë se aktualisht skema publike e sigurimeve shoqërore  zhvillohet me deficite. Ndryshe, të ardhurat nga kontributet vjetore në skemë kundrejt shpenzimeve për pensione, luhaten së fundmi, rreth nivelit 65 për qind. Veçse, nëse merret në analizë vetëm skema e pensioneve, jo ajo e sigurimeve shoqërore, e cila është e ngarkuar me shpenzime që nuk janë në natyrën e skemës,(shpenzimet për kompensimin e energjisë elektrike apo ato për programe të tjera të veçanta etj),niveli vjetor i financimit buxhetor të skemës zbret nën 30 për qind.

Kësisoj, referuar niveleve të mësipërme, duke llogaritur efektin zinxhir të disa faktorëve demografike (lindjeve të rreth 60 apo 70 viteve më parë, koeficientin e rritur të vdekjeve, emigrimin ndër vite të mijëra forcave aktive të punës etj),sipas meje, nuk gjendemi në arsye të pakapërcyeshme për të rritur pensionet. Aq më tepër, për të pohuar vite fiks të falimentimit të skemës. Edhe për arsye se: prurjet demografike me ligjësinë e tyre, dhe me arsye të jashtme, janë në proces zhvillimi e në përditshmëri lëvizëse; niveli dysheme dhe ai mesatar i kontributeve për sigurimet shoqërore, vjen gjithnjë në rritje; edhe gjetkë, është e njohur praktika e mospërputhjes në kohë midis shpenzimeve për pensione dhe të ardhurave nga kontributet; financimi buxhetor i përvitshëm i skemës (me rreth 300 milion dollarë),llogaritet në rënie relative, krahasuar me shtimin e produktit të përgjithshëm shoqëror. Ashtu siç shihet dhe njëlloj stabilizimi edhe në treguesin tjetër, atë të financimit buxhetor për një pensionist; rritja ekonomike do të vazhdojë, vendet e punës janë e do të shtohen, ato gjithnjë do të mbulohen me fuqi punëtore, pavarësisht nga cilat struktura demografike e drejtime vijnë.

Nga ana tjetër, me një plan më të konkretizuar që fuqizon skemën publike me të ardhura kontributive, strukturat funksionale të qeverisjes mund të përdorin më mirë edhe disa burime të tjera sikurse: shtimi i punësimit me kontribute më së pari, përbën rezerve të të veçantë në shtimin e të ardhurave të skemës publike të pensioneve. Janë mijëra forca aktive që aktualisht mund të bëhen pjesë e skemave të punësimit të legalizuar. Për shembull, në bujqësi,  ndërsa statistikat shtetërore raportojnë më shumë se 400 mijë të punësuar, kontribuesit e këtij sektori, vitet e fundit nuk janë më shumë se rreth 50-60 mijë vetë. Punësimi pa kontribute të sigurimeve shoqërore, ose ndryshe në të zezë, shtrihet edhe në disa sektorë të tjerë, gati njëlloj si në vitet para reformës së shkuar; rritja e pagës kontributive për mijëra të punësuar, nga minimale në mesatare ose afër mesatares përshembull, do të përbënte shtesën tjetër jo të pakët në të ardhurat kontributive të skemës. Sipas të dhënave të muajit janar 2021,afro 46 për qind e të punësuarve rezultonin me pagën për efekte kontributive poshtë nivelit 30 mijë lekë në muaj (Gazeta “Telegraf” datë 3 shkurt 2022); ngritja e nivelit tavan të pagës që mund t’i nënshtrohet pagesës për degën e pensioneve, ia vlen të vendoset në një tjetër standard, së bashku e në harmoni  edhe me faktorët e tjerë kompleks që veprojnë në skemë. Sepse, të dhënat zyrtare për pagat, që u afishuan pak ditë më parë, në trajtën e një skandali, evidencuan një  fond të konsiderueshëm të pagave që jepen në forma të ndryshme, buxhetore dhe jo të tilla, i cili nuk i nënshtrohet pagesës së kontributeve për fondin e pensioneve.

Nga këqyrja e të dhënave të databazës, aty rezultonin me dhjetëra-mijëra pagesa që tejkalonin disafish nivelin e sotëm të pagës maksimale për efekt pensioni, e cila është vetëm 1.3 milion lekë të vjetra në muaj. Ndaj, nëse do të llogaritej me kontribute të sigurimeve shoqërore i gjithë fondi i pagave i databazës së afishuar, të ardhurat e shtuara kontributive patjetër do ta reduktonin deficitin buxhetor të skemës. Nuk po flasim këtu, edhe për anën tjetër me ndikime pozitive në skemë, sikurse lehtësimi i shpenzimeve për funksionimin e saj. Sepse, në vlerë absolute shpenzimet administrative vetëm shtohen, në të kundërtën e logjikës së pakësimit të tyre, qoftë dhe vetëm për arsyen e informatizimit dhe të digjitalizimit të skemës.

Pra, edhe një herë: jeni për rritje të pensioneve, ndërsa po thoni se edhe financiarisht kjo është e mundshme. Ndryshe, sipas jush, mundësitë gjenden, duke përdorur më mirë faktorët potencialë, subvencionet e buxhetit, përfshirë dhe disa ndryshime ligjore. Mund të sillni një situatë më të plotë kësaj pyetje?

Po e filloj përgjigjen me pjesën e fundit të pyetjes. Kur flasim për ndryshime ligjore kam parasysh ndërhyrjet që zhbllokojnë rritjen e pensioneve, dhe tjetra: përmirësimet në paketën ligjore, që sjellin nivele më të larta e raporte më të drejta të pensioneve qysh në momentin e llogaritjes. Deomos, dhe çdo përmirësim tjetër ligjor që ndihmon  financiarisht skemën me të ardhura nga kontributet.

Ndërsa, nevoja për rritjen e pensioneve është evidente për arsye se: një pjesë jo e pakët e tyre janë të ulta e shumë të ulta; prej indeksimit disavjeçar janë thelluar diferencat në masën absolute të pensioneve minimale ndaj atyre mesatare; për të ndjekur, në një farë mënyre, ndryshimet në rritje të pagave; për t’iu afruar sadopak rritjes së çmimeve që lëvizin relativisht shpejt, brenda shportës dhe përtej saj; për t’i mundësuar kësaj pjese të pensionistëve, të lëvizin edhe ata brenda hapësirës së lirisë së tregut; ndryshe nga të punësuarit që kanë mundësi të negociojnë për nivelin e pagës, të ndërrojnë pozicione pune e, po kështu nivele pagash, pensionistët të vetmen fushë negocimi kanë rritjen e pensioneve, të vetmin partner për këtë kanë qeverinë; dihej por, dhe u provua bindshëm, se në fushën e pagave ka manipulime, fshehje të së vërtetës, evazion të theksuar për kontributet etj, ndërsa, te pensionet nuk gjenden probleme të kësaj natyre, ato janë pjesë e njënjë databaze të informatizuar e të kontrolluar etj.

Ndërkohë që, nga pikëpamja financiare rritja e pensioneve është e mundur. Sepse, janë disa faktorë potencialë që mund të fuqizonin skemën, që mund të rritin raportin e kontribuesve konvencionalë me përfituesit, në më shumë se 50 për qind. Në anën tjetër, nuk do ishte ndonjë problem, sipas meje, nëse vlera e sotme e indeksimit, (mesatarisht në vit 20-25 milion dollarë),do të shtohej me tre apo katërfishin e këtij niveli. Pra, edhe nëse për indeksimin e pensioneve apo për një rritje të arsyeshme të tyre, financimi buxhetor do të shkonte edhe në 100 milion dollarë. Sepse, afërsisht kaq fond harxhohet për zbatimin e vendimeve të gjykatave për largime e padrejta nga puna, apo për penalitete të tjera ndërkombëtare. Pa llogaritur edhe miliona që shkojnë për investime jo efektive, për punë të pakryera apo për objekte që ndërtohen pas standarde. Ndaj, dhe debatin për indeksime të pensioneve 2.5 ose, jo më pak se 5 përqind, në fushatën e shkuar elektorale, e kam konsideruar jo të studiuar, të pakuptimtë, për të mos thënë edhe si lojë të palëve.

Nga ana tjetër, skema publike e pensioneve për disa arsye të fushës demografike, apo dhe të zhvillimit të ekonomisë po themi, nuk mund të jetë gjithnjë në ekuilibër. Kështu po ngjet edhe në vendin tonë, pavarësisht thellësisë së zhbalancimit. Gjithandej, për të vendosur balancën financiare, ndërhyhet me financime nga buxheti, sigurisht në një masë të caktuar. Janë më shumë teorike, rastet kur balanca e skemës solidare të pensioneve pra, që të ardhurat kontributive të vitit të përputhen me shpenzimet vjetore për pensione. Kësisoj, edhe në vendin tonë subvencionimi i nevojshëm i skemës publike të pensioneve, sipas dhe nenit 66 të ligjit bazë të Sigurimeve Shoqërore, përbën detyrim për organet e larta vendimmarrëse të shtetit.

Dhe në mbyllje të intervistës, dua të shtoj se ligjvënësit, së bashku dhe me të tjerë aktorë, paralelisht me këto që parashtrova, lypset të kenë studime të plota, për të mbështetur më bindshëm pensionet private, sipas kolonës së dytë, duke lënë të hapur edhe mundësinë për kolonën e tretë. Gjithsesi, për këtë çështje mbase do të kemi rastin shprehemi në një tjetër trajtesë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.