DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Vrasja e Hoxhës, policia akuzon 80-vjeçarin si autor të krimit. “E qëlloi vëllai pas darkës te Lumneshët”

07:00 - 05.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

5 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Vrasja e Hoxhës, policia akuzon 80-vjeçarin si autor të krimit

“E qëlloi vëllai pas darkës te Lumneshët”

Sabri Driza nga Radostina e Fierit ëhtë ekzekutuar me 2 plumba mbrëmjen e së mërkurës. Kishte kryer ritet fetare për Rasim Lumneshin, 33-vjeçarin që u vra në Tropojë nga Zylfije Haklaj. Rrëfimi i të birit që gjeti i pari trupin pa jetë të të atit dhe pse policia dyshon se autori i vrasjes mund të jetë vëllai i moshuar i viktimës 74-vjeçare. Detajet e ngjarjes së rëndë bashkë me protestën e PD lokale

 

 

 

 

Vritet hoxha me dy plumb

Policia: I dyshuari kryesor, vëllai i tij

FIER – Vritet me dy plumba, një në gojë e një në qafë, hoxha i fshatit Radostinë. I dyshuari kryesor i policisë fierake është vëlli i viktimës, i cili vazhdon të jetë i shoqëruar në qelitë e paraburgimit. Ngjarja ka ndodhur ditën e mërkurë në mbrëmje, në orën 21.00. Dy krisma automatiku janë dëgjuar në fshatin 10 kilometra larg qytetit të Fierit.

Qetësia më pas ka vazhduar si para vrasjes, pasi asnjë nuk ka dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur. Autori i vrasjes duket se ka menduar mirë për të humbur gjurmët, pasi hoxha i fshatit ka kryer ritet fetare të të ndjerit Rasim Lumneshi. Vrasja e këtij të fundit mori ngjyra politike dhe ka të ngjarë se, si të tillë ka dashur ta trajtojë edhe autori ekzekutimin e 74 vjeçarit, Sabri Driza. Dje në mëngjes familjarët kanë gjetur në oborrin e shtëpisë Drizën të mbuluar në gjak dhe pa jetë. Menjëherë është lajmëruar komisariati i policisë së fierit, i cili ka dërguar në fshatin Radostinë ekspertët dhe grupet e gatshme. Menjëherë në komisariat janë shoqëruar vëllai i viktimës, 80-vjeçari Mexhit Driza, djali i viktimës, gruaja e tij dhe të afërm të tjerë. Të vetmit që janë mbajtur më gjatë janë: 80-vjeçari, si dhe gruaja e djali i viktimës. Sipas policisë fierake, i dyshuari kryesor është vëllai i tij, me të cilin ka pasur probleme për pronësinë e një shtëpie.

Vrasja

Hoxha i Radostinës ka qenë i thirrur në mortin e familjes Lumneshi në Fier, për t’i kryer të gjitha ritet fetare të ndjerit Rasim. Pasi e ka bërë këtë shërbesë deri në momentin e fundit, bashkë me të afërmit e viktimës ai ka shkuar për darkë në familjen Lumneshi, dhe, për të mos qëndruar aty gjithë natën, pasi kishte shumë njerëz, hoxha 74-vjeçar është nisur për në shtëpinë e vet, 10 kilometra larg. Gjithë rrugën e ka kaluar për mrekulli. Por, sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit, rreth orës 21 e 30, sapo ka kaluar avllinë dhe ka hyrë në oborr, ai është qëlluar dy herë me automatik. Deri në mëngjes ka qëndruar aty i mbuluar në gjak, pa e gjetur askush. I vrarë në mënyrë perfektë me dy të shtëna të vetme, një në fyt e një në gojë, ai e ka kaluar natën në oborrin e shtëpisë.

Policia

Kur djali i viktimës ka dalë dje në mëngjes në oborrin e shtëpisë përdhese, ka gjetur pa frymë të atin. Menjëherë ka lajmëruar policinë, e cila, megjithëse ka shkuar shpejt në vendin e ngjarjes, e ka pasur të vështirë të zbulojë autorin, pasi ngjarja kishte ndodhur disa orë më parë. Gjithsesi, në komisariatin e policisë janë shoqëruar: djali i viktimës, i cili jetonte në një shtëpi me të, gruaja e hoxhës, si dhe vëllai i tij, 80-vjeçari Mexhit Driza. Burime nga Drejtoria e Policisë së Fierit kanë pohuar se, pas deponimeve të të gjithë dëshmitarëve, i dyshuari kryesor është Mexhiti. “Kjo, pasi ai ka pasur probleme për pronësinë e një shtëpie me të vëllain, prej shumë vitesh, madje kanë pasur edhe ngatërresa”, ka theksuar i njëjti burim. Më tej ai ka bërë të ditur se dyshimet për këtë ngjarje forcohen, pasi 80-vjeçari i ka kërkuar nipit të tij, djalit të viktimës, që të mos e bëjë problematike ketë vrasje, “por ta linin me kaq dhe vrasja do të merrte ngjyra politike, pasi Driza, hoxha i fshatit, i kishte kryer ritin fetar të ndjerit Rasim Lumneshi”. Dhe duket se kishte menduar mirë për humbjen e gjurmëve, pasi vrasja në Tropojë e 33-vjeçarit Lumneshi mori menjëherë ngjyra politike. Asgjë nuk është sqaruar më tepër për çështjen e sherreve të pronësisë mes vëllezërve nga ana e policisë, por, sipas kësaj të fundit, i dyshuari kryesor për këtë vrasje mbetet 80-vjeçari, i cili vazhdon të mbahet i shoqëruar në qeli. Megjithatë hetimet kanë nisur edhe në pista të tjera.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.