Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve ka nënshkruar të mërkurën një marrëveshje me me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për të orhanizuar veprimtari riintegrimit të të miturve që vuajnë dënimin në Institutin e Kavajës.
Në Ministrinë e Drejtësisë, të dy institucionet ranë dakord për Pasurimin me libra të bibliotekës së Institutit të të Miturve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta të palëve pranë Institutit dhe Evidentimin e të miturve me talent në prozë dhe poezi, nëdër të tjera.
Njoftimi i plotë:
Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, së bashku me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, nënshkruan sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë një Marrëveshje Bashkëpunimi për iniciativa të përbashkëta në realizimin e aktiviteteve në kuadër të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve që vuajnë dënimin në Institutin e të Miturve në Kavajë.
Sipas kësaj marrëveshje, dy institucionet bien dakord për:
- Pasurimin me libra të bibliotekës së Institutit të të Miturve, Kavajë, ose të të Miturve të tjerë në konflikt me ligjin;
- Mbështetjen në funksion të botimeve të ndryshme, me fokus të miturit/të rinjtë që janë duke vuajtur dënimin, apo kanë përfunduar periudhën e vuajtjes së dënimit së fundmi;
- Organizimin e aktiviteteve të përbashkëta të palëve, pranë Institutit të të Miturve, Kavajë;
- Evidentimin e të miturve me talent në prozë dhe poezi, etj.
Znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së, dhe znj. Klaudia Hasanllari, drejtoreshë e QPKMR-së, ndër të tjera ranë dakord edhe për realizimin e një Kalendari Aktivitetesh të Përbashkëta përgjatë vitit 2022.