DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Sinjalet për atentate ndaj Berishës dhe vëllezërve Haxhiaj. Takimi në Marikaj me Ismet Haxhinë

07:00 - 16.04.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

16 Prill  2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare” dy dekada më parë




 Dëshmia e Haxhisë.  Zbardhet dialogu mes Majkos e Klosit

Shefi i Shërbimeve Sekrete raporton para Qeverisë.  Çfarë tregoi Klosi për atentatin ndaj Berishës. Përgjigjet për tentativat e bëra më parë për eliminimin e vëllezërve Haxhiaj, takimi në marikaj dhe roli i personave të cituar nga Ismet Haxhia në gjykatë

Sinjalet për atentate ndaj Berishës dhe vëllezërve Haxhiaj. Takimi në Marikaj me Ismet Haxhinë

Zbardhet dialogu Majko – Klosi

Çfarë tregoi shefi i SHIK para ministrave

Po, kam pasur dijeni për ekzistencën e një plani që synonte eliminimin e Sali Berishës. Për këtë kam informuar në kohë institucionet përkatëse”, ka pohuar Fatos Klosi në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, ku ishte thirrur për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzat që janë bërë së fundmi kundër tij si nga opozita ashtu dhe nga një i pandehur i procesit “Hajdari”, bëjnë të ditur për Gazetën dy anëtarë të kabinetit qeveritar.

Në fund të kësaj mbledhje, Majko i kërkoi Klosit që raportimin, i cili zgjati rreth dhjetë minuta, ta paraqesë dhe me shkrim. Ndërkohë kryeministri caktoi Inspektorin e Përgjithshëm të SHIK-ut Bashkim Kolgjini që të verifikojë vërtetësinë e thënieve të Klosit.

 

Kreu i shërbimit informativ kombëtar ka pohuar kështu se ka qenë në dijeni për një plan që synonte vrasjen e shefit të opozitës. Këtë pohim ai e ka bërë duke ju përgjigjur pyetjes se “a keni pasur dijeni për ndonjë plan nga ndonjë grup individësh që synonin të eliminonin Sali Berishën”, Klosi pohoi se sapo ishte informuar “kishte vënë në dijeni institucionet përkatëse”. Ai tha se shteti mori të gjitha masat për të mbrojtur jetën e shefit të opozitës, por nuk ka dhënë asnjë hollësi të mëtejshme duke lënë në mjegull gjithë detajet e këtij lajmi tronditës. Të njëjtën përgjigje Klosi dha dhe për pyetjen se “nëse ka pasur dijeni për ndonjë plan që synonte eliminimin e vëllezërve haxhia”. Ai nuk tha se kush ishin ata që synonin të vrisnin Berishën, kur ka ndodhur një histori e tillë dhe një seri elementësh të tjerë që mund të zbardhnin këtë ngjarje. Madje ai nuk tha as se cilët drejtues institucionesh ka vënë në dijeni. Gjithsesi mund të merret me mend se ai duhet të ketë informuar presidentin e republikës dhe kryeministrin e atëhershëm duke pasur parasysh se SHIK-u ka një varësi të dyfishtë si nga qeveria ashtu dhe nga presidenti i republikës. Klosi hodhi poshtë akuzat që i janë bërë atij dhe institucionit që drejton se ka gisht në organizimin e atentateve. Këto janë shpifje që bëhen për qëllime politike të opozitës e cila kërkon të instrumentalizojë ndonjë të pandehur në sallën e gjyqit. Klosi ishte gjithashtu i mendimit se Ismet Haxhia duke shpifur kundër tij shpreson se me ardhjen e opozitës në pushtet mund të dalë nga burgu, ku ndodhet si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.

Me fjali tejet të shkurtra, kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar u është përgjigjur pyetjeve që i ka bërë kryeministri Majko në mbledhjen e qeverisë që është zhvilluar dje në mesditë. Klosi u ka treguar ministrave pak a shumë të njëjtin variant që kishte bërë publik dhe një konferencë shtypi. Ai ka thënë se me Ismet Haxhinë është takuar vetëm një herë me kërkesën e këtij të fundit. “Në një bisedë rreth 15 minuta që patëm në një lokal në Marikaj, Ismet Haxhia më kërkoi që të bëhesha garant për jetën e vëllait të tij Izetit në rast se ai dorëzohej para drejtësisë”.

Serinë e akuzave kundër kryetarit të SHIK-ut Fatos Klosi e nisi një i pandehur i procesit Hajdari. Në seancën e mbrojtjes, Ismet Haxhia deklaroi në sallën e gjyqit se “kryetari i SHIK-ut kërkonte t’i përfshinte në një komplot për vrasjen e Berishës”. Gjithnjë sipas të pandehurit Haxhia, një qytetar me emrin Gëzim Starova, bashkëpunëtor i SHIK-ut dhe përkthyes i shefit të shërbimit të fshehtë të ambasadës italiane i kishte ofruar një snajper me argumentimin se Berisha kishte ngritur një komando prej gjashtë vetash për të vrarë vëllezërit Haxhia. “Ndërsa vetë Fatos Klosi gjatë një takimi në Marikaj në 6 maj 2000 më kërkoi që Izeti të depononte fakte kundër Berishës. Kundrejt kësaj ne do të kishim lehtësi gjatë gjykimit”, tha Ismet Haxhia në sallën e gjyqit. Ndërkohë Klosi deklaroi dje në mbledhjen e qeverisë se të gjitha këto deklarata janë shpifje.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.