DOSSIER

20 VITE MË PARË/ Gazeta Shqiptare: Dëshmia e rrallë. Zef Gjeloshi: Çfarë bëra në vitin 1951. “Misioni im sekret në emër të Mehmet Shehut”

07:00 - 06.06.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

6 Qershor 2002 – Çfarë shkruante “Gazeta Shqiptare”




 Dëshmia e rrallë

Zef Gjeloshi: Çfarë bëra në vitin 1951

“Misioni im sekret në emër të Mehmet Shehut”

Dëshmia e 69-vjeçarit Zef Gjeloshi me origjinë nga Trieshi i Malit të Zi. Si erdhi në Shqipëri në 1950-ën, misioni sekret që iu ngarkua dhe dënimi me 15 vjet në Tiranë

Historia e familjes Gjeloshi

Origjina e familjes së Zef Gjeloshit është nga katundi Nik Marashaj që ndodhet në trojet shqiptare të Malit të Zi. Familja e Gjeloshajve rrjedh nga dega e fisit të Lulnikëve ku bëjnë pjesë dhe dy fiset e tjera: Arapaj e Margilaj. Të tre këto fise të shqiptarëve të Malit të Zi që rrjedhin nga i njëjti trung, përgjatë disa shekujve kanë nxjerrë burra të shquar që kanë bërë emër të madh për urtësitë dhe trimëritë e treguara në luftërat kundër turqve dhe serbo-malazezëve. Më të njohurit ndër ta kanë qenë Tom Hasi i Gjeloshajve, Gil Doshi i Margilajve, Malot Gjeka i Arapaj, Hil Toma dhe Mark Toma të Margilajve. Përvet këtyre, një ndër burrat më të njohur të familjes së Gjeloshajve që ka qenë kapidan dhe i pari i këtij fisi, është Marash Mark Gjeloshaj. Marashi pati lindur aty rreth vitit 1830 dhe që në moshë fare të re ai ka qenë i njohur si burrë me autoritet absolut e të jashtëzakonshëm, jo vetëm në atë krahinë, por edhe më tej. Marashi mori funksionin e komandantit të vendit që e kishte si trashëgimi sepse ia jepte dera e shtëpisë së tij e cila mbante bajrakun (flamurin) në krahinën e Trieshit. Si komandant i vendit, Marashi pati marrë pjesë në të gjitha luftërat dhe betejat që zhvilluan malësorët shqiptarë të asaj krahine kundër turqve dhe serbo-malazezëve. Një rol të veçantë ai luajti sidomos në bashkimin e kompaktësinë e familjeve shqiptare të asaj krahine, duke bërë disa pajtime gjaqesh, gjë e cila ruajti në një farë mase dhe mosasimilimin e tyre nga pushtimet e gjata sllave e turke.

 

Djemtë e Dodës partizanë

Historia e familjes së njohur të Gjeloshajve, vazhdon me Dodë Smajlin, babain e Zef Gjeloshit, i cili ka qenë një nga burrat më të dëgjuar jo vetëm të atij fisi, por dhe në të gjithë malsorët e trojeve shqiptare në Mal të Zi. Doda u lind në vitin 1886 në katundin Nikmarashaj të Trieshit, në kullat e të famshmit Marash Marku që ishte dhe burri i parë i atij fisi. Dodë Smajli u martua me një vajzë nga fisi Nikprelaj të quajtur Prenda dhe nga ajo martesë atyre u lindën plot 14 fëmijë, prej të cilëve jetuan vetëm katër djem e tre vajza. Lidhur me historinë e familjes së Dodë Gjeloshi Smajlit, djali i tij 69 vjeçar, Zefi, dëshmon: “Nëna jonë Prenda është thirrur dhe ka shërbyer duke u bërë bukë dhe ushqime pjesëmarrësve të Memorandumit të famshëm të Greçës, i cili u mbajt në krahinën tonë në vitin 1911. Babai ynë Doda pati marrë pjesë në çetën e Dedë Gjon Lulit në luftërat që u zhvilluan në malin e Deçiqit dhe Urën e Lenjies në Cem të Trieshit, kurse xhaxhai Tom Gjeloshaj, ka qenë një nga mësuesit e parë të shqiptarëve në Malin e Zi, i cili fshehurazi u mësonte gjuhën shqipe fëmijëve të vegjël trieshanë dhe për këtë arsye ai u helmua në Cetinë nga njerëzit e Krajl Nikollës. Gjatë periudhës së pushtimit fashist ku u njohën dhe kufijtë etnik të Shqipërisë, familja jonë mbajti një qëndrim neutral dhe mbështeti pa asnjë rezervë lëvizjen antifashiste duke ndihmuar brigada partizane serbo-malazeze dhe ato shqiptare. Aty nga viti 1943 në shtëpinë tonë në Triesh erdhi vetë Ministri i Brendshëm Kol Bibë Mirakaj dhe iu lut babës që ai të merrte një detyrë në Tiranë, por Doda nuk pranoi. Në atë kohë dy vëllezërit e tjerë Noshi me Nikollën u bashkuam ne brigadat partizane serbo-malazeze dhe shqiptare. Nikolla u rreshtua në radhët e Brigadës së Gjashtë që komandohej nga Jaho Gjoliku dhe pasi u plagos në luftimet që u zhvilluan në Çere të Bijocit, qëndroi disa kohë në një spital partizan dhe më pas e morën forcërisht në brigadat partizane serbo-malazeze”, dëshmon Zef Gjeloshi për familjen e tij në periudhën e pushtimit fashist të Shqipërisë.

Takimi i Dodës me Titon

Në kuadrin e politikës së “Bashkim-vëllazërimit” që filloi të ndiqte regjimi i Beogradit pas mbarimit të luftës, familja e Dodë Smajl Gjeloshit në Triesh të Malit të Zi, nuk pati probleme të mëdha me komunistët që erdhën  në pushtet. Në atë kohë në kuadrin e asaj politike dy djemtë e Dodës, Nikolla me Noshin shërbenin si ushtarakë në radhët e Armatës Jugosllave. Por “muaji i mjaltit” në mes serbo-malazezëve e shqiptarëve nuk do të zgjaste shumë dhe krisja e madhe që shënoi edhe çarjen e prishjen përfundimtare të familjes së Dodë Smajlit me regjimin komunist të Tiranës erdhi në vitin 1946. Lidhur me këtë Zef Gjeloshi dëshmon: “Aty nga viti 1946-të vëllait tim Nikollës i cili shërbente si ushtarak në Armatën Jugosllave, i ndodhi një incident i rëndë në Beograd. Një kapiten serb që komandonte njësinë ku bënte pjesë dhe Nikolla, e ofendoi rëndë atë dhe në mes të tjerash e shau dhe nga nëna. Nikolla nuk e duroi dot atë ofezë të madhe dhe nxori revolen e qëlloi kapitenin serb duke e lënë të vdekur në vend.  Në atë kohë që u dha vendimi, babai Doda shkoi dhe takoi mikun e tij të ngushtë Gjoko Mirasheviçin, i cili mbante gradën Gjeeneral-armate dhe ishte me origjinë të vjetër shqiptare. Doda i kërkoi atij që ta ndihmonte  për t’i mundësuar një takim me Marshallin Josif Broz Tito, me qëllim që t’i kërkonte atij për t’i falur jetën Nilës.  Gjeneral Gjoko Mirasheviçi ndërhyri deri tek Tito i cili pranoi dhe e priti Dodën në një takim në selinë e tij në Beograd ku dhe nxorri dekretin e i fali jetën vëllait tonë Nikollës.

Vrasja e Dodë Smajlit

“Aty nga fillimi i vitit 1950 në shtëpinë e babës tonë Dodë Smajli në Triesh të Malit të Zi, erdhi dhe kërkoi strehim një oficer serb i quajtur Radomir Mirasheviç, i cili kishte shërbyer si major i aviacionit në Beograd. Kur trokiti në portën e shtëpisë ai iu drejtua Dodës duke i thënë: “Jam në besën tënde, të shqiptarit dhe të zotit”. Duke qenë se Doda njihej më familjen e tij, sepse ai ishte nipi i Gjeneral-armate Gjoko Mirasheviç, e pranoi atë në shtëpi dhe emori në besë. Majori Mirasheviç ndiqej nga regjimi i Beogradit pasi kishte dalë hapur kundër politikës së tij, pas burgosjes së xhaxhait, gjeneralit Gjoko Mirasheviç, që njihej si heroi i Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, i dekoruar dy herë Hero i Popullit,(sot ka dy monumente në Podgoricë dhe në shtëpinë e tij në Dolan) të cilin e kishin mbyllur në burgun e Goli-Otokut dhe e torturonin në mënyrë çnjerëzore. Pasi babai Doda e mori në besë dhe e strehoi majorin Mirasheviç, shtëpia jonë u rrethua menjëherë nga më shumë se 300 forca serbo-malazeze të ndjekjes të cilat erdhën me të shpejtë nga Titogradi. Pad rrethimit të shtëpisë, Doda nxori përjashta gratë dhe fëmijët e mbeti vetëm me majorin serb dhe vëllain tim Martinin. Pasi Doda nuk pranoi që ta dorëzonte mikun që i kishte shkelur në shtëpi dhe që ai e kishte marrë në besë, forcat ushtarake që kishin rrethuar të gjithë vendin filluan të qëllonin me breshëri në drejtim të kullës. Nga mbrëmja e deri në mëngjes ka zgjatur lufta ndërmjet tyre dhe thuhet se aty janë vrarë shumë ushtarë. Pa zbardhur mëngjesi Doda me majorin serb tentuan të dilnin nga shtëpia, për të çarë rrethimin, por nuk ia arritën dot. Doda mbeti i vrarë në pragun e shtëpisë nga breshëritë e plumbave që e bënë shoshë dhe vetëm në gjoks ai kishte marrë lot 17 plagë. Pas Dodës u vra dhe majori serb Mirasheviç, kurse Martini kishte mundur që të çante rrethimin natën dhe i plagosur rëndë ai u largua deri në Bardhaj të Kelmendit ku e gjetën gjysmë të vdekur disa barinj. Pas kësaj ngjarje regjimi i Titos arrestoi menjëherë vëllain tjetër Noshin, që shërbente si ushtarak në Kotorr dhe e burgosi atë në Goli-Otok.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.