Dyndja e njerëzve për tu bërë pjesë e pelegrinazhit në kishën e Shna Ndout, ka krijuar kaos në lëvizje në rrugët e qytezës së Laç. Trafiku ka nisur të rëndohet që prej orës 19.00 të kësaj të diele, bëjnë me dije burimet për Gazetën Shqiptare.
Për të ndihmuar sadopak në lehtësimin e lëvizjes, janë vendosur dhjetëra efektivë të Policisë Rrugore dhe asaj të rendit, ndërsa është kufizuar lëvizja e automjeteve në rrugën drejt kishës.
Fluksi i lartë i automjeteve ka krijuar bllokim të qarkullimit në rrugët e qytetit, konfirmojënë të njëjtat burime.
Ndërkohë, 12 dhe 13 qershori përkon me përfundimin e pelegrinazhit 13-javor në kishën e Shna Ndout.
Me mijera pelegrinë, nga e gjithë Shqipëria, por edhe jashtë saj nisën rrugën e pelegrinazhit që prej orëve të para të mëngjesit, për të kaluar natën në këtë vend të shenjte, në përpjekje për të imituar shenjtin, që sipas tyre ka kaluar në vargmalin e Kurbinit.
Per garantimin e mbarëvajtjes së ritualit fetar dy-ditor, janë angazhuar policia dhe spitali, si dhe pushteti vendor në Kurbin.