DOSSIER

Arratisja e famshme që u frymëzua nga “Konti i Montekristos”/ Rrëfehet Pjerin Noga: I bënë presion Ilir Dajës. Babain ma hoqi nga puna Xhelil Gjoni!

07:30 - 11.11.22 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

INTERVISTOI: UVIL ZAJMI




Rrëfimi i Pjerin Nogës për arratisjen nga Shqipëria është kaq i detajuar, saqë të duket si një film i denjë për “Hollivud”. Madje, me humor përmend se ishte frymëzuar nga historia e librit të famshëm “Konti i Monte Kristos” para se të merrte vendimin ekstrem.

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, ai tregon se si ia pushuan prindërit nga puna dhe presionin që i bënë pas kthimit në Tiranë shokut të dhomës, Ilir Dajës, që sot është një nga trajnerët më në zë të trojeve shqiptare.

Pjerin, pyetjen e parë e kam pak ndryshe: Çfarë do të ishte bërë Noga, nëse jo futbollist?

Ka qenë im atë, ai që më mungon më shumë se kushdo tjetër sot, që më shtynte të luaja futboll. Si ish-notar i Vllaznisë, tifoz i këtij klubi, ndonëse me profesion agronom, ngulte këmbë që unë të luaja futboll. Isha djalë i vetëm, mua më pëlqente arti më shumë se sporti, doja të bëja shkollë arti. Por edhe një arkitekt shumë i mirë apo një shahist. Shahun e luaj me kënaqësi gjithë ditën.

Një fillim nga Seferaj, pastaj përcaktimi i Resmes… Si e nisët karrierën?

Po, e vërtetë, gjithçka e nisur me fëmijët e Partizanit, ku trajner ishte Sotir Seferaj. Pas një viti që luaja me këtë ekip, një ditë aty vjen Refik Resmja, e ndërsa ndiqte stërvitjen, “si e ke emrin? – më pyeti – Ti do të bëhesh lojtar i Kombëtares”. Isha 10 vjeç, por këto fjalë, nuk i harroj. Pastaj një tjetër hap, nga Shkëndija në Burrel me 31 Korrikun… Shkollën e mesme të futbollit e çuan në Durrës. Aty kam luajtur me të rinjtë e saj për tri vite. Vitin e fundit e kthyen sërish në Tiranë. Pastaj një vit stazh. Kujtoj që ishte Hysen Shahu Sekretar i Parë në Burrel, shumë mik i babait dhe më merr me 31 Korrikun, ku trajner ishte Robert Jashari i jashtëzakonshëm, Dali Faruku, etj. Aty fituam 1-0 me Partizanin. Isha 18-19 vjeç. Vijova ILKF “Vojo Kushi”, por si lojtar i Dinamos. Ishte përsëri Hysen Shahu, një njeri shumë i mirë, pasionant, dashamirës i sportistëve, që më rekomandoi te ky klub. Këtu nis cikli dinamovit imi, ku si trajner kam pasur nga Ishka, Dauti Frashëri, Birçe, ku gjeta e luajta me lojtarë të shquar, nga Luarasi, Bregu, Stafa, Dauti, Çoçoli, Demollari, Marko, etj.

Një debutim europian, pak ndryshe për Nogën apo jo?

Ka qenë ajo në Kupën e Kupave në shtator të 1982-shit, ndaj Aberdinit në Tiranë. Në të parën, për motive josportive, nuk më morën. Asokohe ndodhte shpesh kjo. Në kthim, në “Qemal Stafa” trajneri Ishka më aktivizoi në të 46’-ën duke zëvendësuar Dautin. Isha shumë i ri, me pak eksperiencë dhe pak kohë te Dinamo me plot lojtarë cilësorë. Barazuam 0-0 duke u eliminuar, pasi kishim humbur 1-0 në Skoci. Kujtoj se u prezantova mirë, si mbrojtës i djathtë. Kam peng që nuk luajta ndaj Sportingut të Lisbonës, edhe në këtë rast, pa asnjë motiv, por me disa justifikime absurde. Kam qenë i matur, korrekt, asnjëherë problem për skuadrën dhe arbitrat, edhe kur jam goditur padrejtësisht.

Në Londër, në “Uembli” keni luajtur në takimin Angli-Shqipëri. Çfarë mbani mend?

Ka qenë 26 prill, 1989, EKB “Italia 90”, Londër, Angli-Shqipëri 5-0. Mbetet e paharruar. Ende sot e kujtoj “Uemblin”, spektatorët, atmosferën, kam pasur fatin e madh të luaj aty. Emocione pa fund. Pastaj çastin kur trajneri Rreli më thotë: “Noga bëhu gati”. Nuk e prisja. Minuta 34 ka qenë kur jam futur në vend të Hasanpapës. Pastaj golin e Demollarit, i anuluar padrejtësisht nga arbitri anësor. Unë ia kam pasuar topin. Po ta kishin vlerësuar golin, rezultati shkonte 2-1, mundet që në fund të kishim një përfundim tjetër. Anglia ishte një skuadër me emra të njohur si Shilton, Steven, Pearce, Ualker, Butcher, Gascoigne, Robson, Uadle, Ueb, Lineker, Beardsley, trajnerin Bobi Robson dhe padyshim që do ta fitonin ndeshjen. Po atë vit, në tetor, në Stokholm, në Suedi-Shqipëri 3-1, minuta 77, sërish nga stoli u aktivizova në vend të A. Lekbellos.

Pjerin, flasim pak për sfidën marsejeze, cila ishte atmosfera?

Një qytet me një ngjarje dhe me një detaj që më lidhte me adoleshencën. Në një kështjellë “Ifi”, edhe sot e kujtoj këtë emër, që ndodhet në një ishull të vogël, përballë gjirit të Marsejës, patën burgosur Edmod Dantesin. Shikoja detin, kërkoja të gjeja ishullin, duke fantazuar më pas arratisjen e tij, një histori shumë Në “Uembli”, Noga i pari nga e majta Me Nju Jork Sentauërs, Noga në këmbë, i treti nga e majta Dinamo kampione, 1990, me trajnerin Birçe: Noga në qendër në këmbë tërheqëse, që e kemi lexuar te libri i famshëm “Konti i Monte Kristos” i Dumasë. Më pas e kemi parë gjithashtu edhe në film. Një ditë më parë bëmë stërvitjen njohëse në stadium. Takimi u luajt në mbrëmje, kishte shumë emigrantë. Isha i qetë dhe gjatë ndeshjes nuk kam reflektuar asnjë moment pasigurie, hutimi, madje kam qenë shumë normal, asnjë emocion. Kujtoj kur Uodëll më tha: “Të mbaj mend nga ndeshja në Uembli” dhe qeshi. Edhe unë gjithashtu iu përgjigja. Pas takimit u kthyem vonë në hotel. Në dhomë kam qenë me Ilir Dajën.

E kishit menduar tjetër herë largimin?

Mendimin për të ikur e kam pasur që në Ballkaniadën në Turqi më 1981-shin me Kombëtaren e të rinjve, ku isha edhe kapiten. Ndonëse 17-vjeçarë, bisedoja me Demollarin, pasi kuptonim gënjeshtrat e këtushme. Pra, ishte e sigurt që një ditë do të largohesha. Por sigurisht frika dhe zhurma që u bë pas arratisjes së L. Bërshënit e A. Hoxhës u bënë shembull i ashpër që të mos largoheshin futbollistët e tjerë. Duhej të mendoheshe dy herë nëse do të merrje një vendim të tillë.

E dinte njeri tjetër planin?

Në dhomë isha me Ilir Dajën, siç ju thashë. Planin e kisha bërë që në Tiranë, të cilën ia kisha treguar Ilirit para nisjes, askujt tjetër. As familjes nuk i kisha thënë, vetëm diçka mamasë. Largimin do ta bëja jo duke ikur fshehurazi pas mesnate nga hoteli, kur lojtarët qëndronin në dhomat e tyre, por kur të ishim në aeroport, në kthim. Dhe ashtu veprova. Ajo që më shtynte, përveç mendimit personal, ishte se 2 muaj përpara, ikën ata të ambasadave dhe kur pashë që nuk i bënë gjë, mendova se edhe unë nuk do të kisha pasoja, në veçanti familja. Por me mua ndodhi e kundërta.

Orët e fundit me skuadrën dhe nisja për në aeroport. Çfarë ndodhi saktësisht?

Atë natë, pak orë na kishin mbetur, pasi nisja do të bëhej herët. Hipëm në autobus, morëm rrugën drejt aeroportit. Isha ulur qëllimisht në fund dhe me Dajën shkëmbeja ndonjë fjalë. Bluzën time me numrin 5 ia kisha dhënë atij ta dorëzonte. Klubi i Marsejës, duke parë mungesat tona kryesisht në materiale sportive, na dhuroi uniforma, të cilat do t’i sillnin kur të vinin në Tiranë. Për këtë arsye, me ne në autobus ishte edhe një përfaqësues i tyre, që na pyeste për masat trupore, numrin e këpucëve, etj. Kur m’u afrua, unë nuk tregova interes, i fola diçka në anglisht me zë të ulët, duke bërë kujdes. Vetëm Demollari që ishte para meje, ktheu kokën dhe më pa. Kisha mendje tjetër, shumë gjëra nuk më hynin në sy, më priste një vendimmarrje jo e lehtë dhe isha jashtë nga çdo mendim. Isha 27 vjeç, isha i bindur për atë që po bëja. Ka qenë mëngjes, e enjte, 20 shtator 1990.

Dhe pastaj…?

Unë dola i fundit, e ndërsa lojtarët, drejtuesit morën drejtimin për te “check in”-i pa e kthyer kokën. Unë rrëmbeva çantën time dhe në heshtje pa më vënë re askush, me shpejtësi, pa humbur asnjë sekondë u largova pas autobusit. Dola jashtë dhe mora një taksi, të parën që erdhi, duke i thënë shoferit të më dërgonte të zyrat e klubit të Marsejës, të cilin e gjykova si të vetmin vend qëndrimi si fillim. Tashmë vendimi ishte marrë dhe ishte bërë realitet, kthim mbrapa nuk kishte.

Po me skuadrën tuaj çfarë ndodhi?

Vetëm kur kanë qenë në avion, ndërsa ai po nisej, ishte mbyllur dera, e kanë kuptuar se u mungon një futbollist. “Ku është Noga?” filluan të pyesnin, por ishte vonë. Dalja për të më kërkuar ishte e pamundur. Ndërkohë, unë isha larguar nga aeroporti. Me vete kisha çantën, dy ndërresa dhe një sasi të vogël me dollarë. Në avion vetëm heshtje, asnjë bisedë apo koment i lojtarëve dhe drejtuesve për ikjen time. Ishin të befasuar, siç më ka treguar Daja më vonë.

Reagoi shtypi dhe ju kërkuat ndihmë apo jo?

Qëndrimi në Marsejë bëri bujë të menjëhershme. Lajmi u bë publik nga gazetat e ditës të nesërmen, kur më shumë flisnin për mua dhe arratisjen time sesa për ndeshjen. Në faqet e para të tyre shkruhej: “Një futbollist shqiptar largohet pas ndeshjes O.Marsejë-Dinamo”, ishin titujt, shoqëruar me komente, informacione. Kujtoj se nuk dhashë asnjë intervistë për to dhe televizionet.

E vërtetë është që informohet dhe kërkohet ndërhyrja e Bernard Tapisë?

Po, atë mëngjes shkova te klubi i Olimpik Marsejës, takova një zyrtar. Komunikova me të dhe po prisja. Bernard Tapi nuk ishte në zyrë, dikush i bën një telefon, “na ka ardhur qendërmbrojtësi i Dinamos, kërkon azil politik, kërkon ndihmë, do që të qëndrojë në Francë”, i thanë Tapisë. “Do të merrem unë me çështjen e tij”, u përgjigj ai. Fillimisht më futën në vilat e tyre. Ndërkohë filloi procesi i dokumenteve. Tri javë aty, pastaj më sistemuan në Istres, një qytet i vogël, ku më dhanë një apartament, në të cilin qëndronin lojtarët e ekipit të dytë. Pas disa javëve vjen një zotëri, senator asokohe, por edhe tani, Patrik Menuci, njeri i jashtëzakonshëm, i cili u interesua dhe më ka ndihmuar në sistemimin tim. Edhe sot vazhdon të jetë senator, ruaj ende miqësinë me të. Në atë periudhë shkoja në shkollë për të mësuar gjuhën franceze. Një pjesë të kohës e kaloja i ftuar nga familja e senatorit. Por edhe Tapi nuk harronte, duke më ftuar të ndiqja ndeshjet e Olimpikut të Marsejës.

Po në Tiranë çfarë ndodhi me familjen?

Idenë për arratisje ma dhanë ambasadat, pra shqiptarët që ikën pak kohë para se Dinamo të luante në Marsejë. Më shumë më nxiti fakti se familjet e tyre nuk patën pasoja dhe mendova se kështu do të ishte edhe me mua e familjen time. Prandaj vendosa të ikja. Por largimi im u bë problem dhe unë u cilësova si tradhtar. Im atë e përjetoi shumë keq, nuk i largohej hidhërimi, kur me urdhër të Xhelil Gjonit, për ta bërë shembull, e hoqën nga puna si drejtor i drejtorisë së blegtorisë së Shqipërisë, madje u bënë gati ta denonconin. Edhe mamanë e larguan nga puna. Mënyra se si e trajtuan babanë ndikoi që ai të sëmurej. Me familjen flisja nga një telefon makine.

Thatë se fanellën tuaj e mori Daja për ta dorëzuar…

Edhe ajo u bë problem. Kur u thyhen në Tiranë dhe Daja e dorëzoi në klub, u mblodhën, duke e provokuar dhe duke e akuzuar, “pse ta dha ty, pra ti e ke ditur që ai do të ikte. Pse nuk na ke treguar”, etj., etj. Këto m’i ka treguar Daja vite më vonë. Një qëndrim shumë korrekt e njerëzor ka mbajtur edhe Faruk Sejdini, zv/ trajneri, që edhe kur e pyetën për jetën time personale, ai foli me shumë burrëri, pa dhënë asnjë informacion të tepërt.

Reagon edhe FIFA, cili ishte motivi?

Fillova stërvitjen me klubin ISTRES, në Kategorinë e Dytë, që ishte satelit i Marsejës. Kur papritur vjen një njoftim i FIFA-s që më pezullonte gjashtë muaj nga çdo aktivitet zyrtar. Një vit pa ndeshje kam qëndruar, pa ndeshje miqësore, që më prishi shumë punë, humba formën, kujtoj që ka qenë situatë e rëndë dhe e vështirë duke mos luajtur. Kujtoj rastin tim, si dhe largimin e futbollistëve të tjerë shqiptarë disa muaj më vonë, pas takimit me Francën. Ishin shtatë futbollistë, 3 u larguan në Gjenevë, në tranzit dhe 4 pas ndeshjes në “Parc de Prince”. FIFA e shfrytëzoi për ta bërë shembull që të mos largoheshin lojtarë të tjerë nga vendet e Lindjes. Për këtë arsye aty u aktivizova shumë pak. Doja të luaja. Ndërsa të bëhesha trajner nuk e kam menduar asnjëherë.

Takimi surprizë me Abazin dhe Neptun Bajkon, na tregoni pak çfarë ndodhi?

Tri vjet kam qëndruar në Francë. Asnjë kontakt me shqiptarët e tjerë, vetëm kujtoj krejt rastësisht në Marsejë, jam takuar me Eduard Abazin. Duhet të ketë qenë 1993-shi. Kishte ardhur aty pasi ishte në bisedime me drejtuesit e Marsejës, për të kaluar më pas drejt Portugalisë. Ishim shokë skuadre për shumë vite. Tjetri ka qenë Neptun Bajko, që gjatë qëndrimit në Paris, gjeti mundësinë të vinte në Marsejë, më kërkoi dhe u takuam. Ka qëndruar një javë në shtëpinë time. “Me çfarë dëgjova këtu, sa mirë flasin për ty, ke lënë mbresa të jashtëzakonshme”, më tha para se të largohej.

Në një shkrim, Gëzim Sinemati, me një titull befasues shkruan: “Tradhtari që nderon vendin”.

Gëzim Sinematit, pasi kishte takuar Bajkon e sapokthyer nga Franca, Marseja, duke e pyetur për mua, Neptuni i kishte treguar se “isha kudo në bisedat me njerëzit në Marsejë. Ndërsa në vendim tim më kishin etiketuar si tradhtar, duke dëgjuar opinionet e tyre, ata me humor shpreheshin: “I arratisuri është një zotni”; “Çfarë tradhtari, ai është një njeri i mrekullueshëm” apo “Tradhtari që nderon vendin”, të cilat Gëzimi i shkroi në gazetën e tij.

Cili ka qenë takimi i parë me familjen, pas arratisjes?

Ka qenë viti 1993, kur kishte rënë komunizmi dhe në Marsejë erdhi babai im, Mark Noga, një njeri shumë i sjellshëm. Ka qenë një takim në aeroport, shumë emocionues, si asnjëherë më parë. E ndërsa prisja edhe ndonjë reagim të tij, përkundrazi, pasi u përqafuam më tha: “Ishte një vendim yti, asgjë më shumë”. Qëndroi një muaj. Pastaj kam ardhur unë në Tiranë, me pasaportë franceze. Edhe sot, sa herë që kthehem aty, kam pa fund kujtime, shumë nostalgji. Veçanërisht kur takoj shokët e skuadrës, Demollarin, Dajën, Tahiri, Jançen, etj. Edhe Italia më pëlqen, Roma ku ndalem, qëndroj disa ditë, sa herë vij në Shqipëri.

Po me trajnerin Bejkush Birçe a jeni takuar?

Në një rast, duke qenë me disa futbollistë të Dinamos, ata i bënë një telefonatë trajnerit Birçe duke i thënë që kemi një surprizë për ty, të presim. Ai erdhi dhe mbeti kur më pa. Trajneri Birçe më ka trajtuar me respekt e më ka vlerësuar shumë, ndaj atij nuk do t’i ikja asnjëherë, por ai qëlloi në atë moment. Birçe ndërtoi një Dinamo të fortë, atë sezon morëm gjithçka.

Pastaj në Amerikë, në Nju Jork, skuadrën ku luajnë edhe shqiptarë?

Fillimisht në Amerikë shkova si vizitor, pa idenë se do të qëndroja. Pastaj më 1994-ën ndryshova mendim dhe vendosa të jetoja atje. Dy vite u aktivizova me Konektikatin, në ligën amatore, skuadrën e qytetit ky jetoja. Ndeshjen e parë e kujtoj, kemi fituar 3- 0 dhe një gol e kam realizuar unë. Atë vit u hap MSL (Major Soçer League), me 7 ekipe, 5 amerikane dhe dy kanadeze. Pas një seleksionimi, u aktivizova me Nju Jork Sentauërs. Luanim në stadiumin ku ka luajtur Kozmosi i famshëm i Pelesë, Bekenbauerit, Kinaljes, etj. Kam qenë në një skuadër me dinamovitin Naun Kove, si dhe dy shqiptarët, njerëz të mrekullueshëm, Mirsad Hysenaj, Sadri Gjonbalaj. Kam 25 vjet në Nju Jork.

Më thatë një detaj, kur ju konsideronin si një lojtar francez…

Pak më njihnin dhe nga informacioni që kishin më dinin si një lojtar francez. Vite më vonë, një shok, asokohe lojtar i një skuadrës tjetër, më thotë: “Të kujtohet kur luanim, sa futbollist i mirë ishte ai francezi?” E pashë, dhe duke iu përgjigjur i them: “Ai francezi, kam qenë unë, ‘Nogi’, – se kështu më thërrisnin, – por nga Tirana, Shqipëria”. U befasua. Më 1994-ën, kam ndjekur disa takime të Botërorit amerikan, madje deri pak kohë më parë, ruaja edhe biletat e ndeshjeve.

Largoheni dhe ndaheni përfundimisht me futbollin, a ndieni keqardhje?

Vetëm dy vite luajta, pasi pata një ofertë pune, isha i detyruar të ndahesha me futbollin. Në 25 vite në Nju Jork, isha 18 vjet i angazhuar në një kompani të njohur, ku ndihesha mjaft mirë. Ishte gjuha franceze, që u bë shkak, më ndihmoi, kur fola dhe u njoha me pronarin. Kam djalin 25 vjeç, Tyler John, pasionant i futbollit amerikan, si dhe NBA-së, e mjaft takime i shohim bashkë. Kur mundem, ndjek kampionatin shqiptar, ndeshjet e Kombëtares dhe Dinamon time.

Si e gjykon sot Noga atë arratisje?

Janë 32 vite. Koha dhe energjia ishin dy faktorë që nuk duheshin humbur, që edhe më nxisnin çdo ditë për të pasur një liri të munguar. Ai sistem, ajo diktaturë nuk t’i ofronte, përkundrazi, t’i kufizonte. Nëse do të rikthehej historia dhe nëse jeta do të fillonte edhe një herë tjetër, nuk do të kisha ikur. Kurrë nuk do ta merrja atë vendim, të kryeja atë veprim. Aq më shumë duke parë si u trajtua familja ime, do të kisha zgjedhur një moment më të sigurt për t’u larguar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.