Viktor Cervanaku, ish-kryetari i Komunës së Frakullës, i arrestuar një ditë më parë për drogën e gjetur në oborrin e banesë së tij, aktualisht mësohet se punonte në OST. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Ervis Kuçi.
Cervanaku u vu në pranga së bashku me të birin dhe të fejuarën e këtij të fundit, ndërsa droga u zbulua nga një aksion i mirëorganizuar nga SPAK, DEA dhe policia malazeze, pas një hetimi prej rreth 3 muajsh. Droga vinte nga Kolumbia, ndërsa në Shqipëri ajo përpunohej me destinacion tregun europian.
Mësohet se një ditë para operacionit janë arrestuar te tuneli në “Rrugën e Arbrit” 4 persona të cilët ishin të armatosur me 3 pistoleta dhe armë të tjera. Një pjesë e tyre ishin nga Tropoja dhe veriu i vendit.
Hetimi për këtë çështjes ka nisur më shumë se 3 muaj më parë, pas një sinjalizimi nga autoritetet e huaja. Ngarkesa ka mbërritur nga Kolumbia në Tivar 3 muaj më parë dhe më pas është dërguar në Frakull. Kokaina dyshohet se ishte e ndarë në 600 thasë të plehut kimik.
Nikolin Gjolena është personazhi kryesor i kësaj çështjes, teksa rezulton të ketë qenë i përfshirë dhe më herët në trafikun e drogave. Prokuroria e Posaçme pritet të ketë dhe një konferencë për këtë aksion.
Me ndihmën e partnerëve të huaj, si DEA amerikane, por ditën e djeshme dhe oficerët e policisë malazeze kanë zbritur në Shqipëri, teksa hetimi do të sqarojë nëse ky aktivitet ka qenë zhvilluar dhe më herët.
Ngarkesa ishte e pajisur me GPS. Prokuroria thotë se ka pasur biseda mes protagonistëve dhe personave të përfshirë në aktivitetin kriminal.
4 personat me armë janë arrestuar një ditë para operacionit në Rrugën e Arbrit, por është mbajtur e fshehur nga Prokuroria e Policia.
Lënda narkotike është e përzier me plehun kimik dhe do ishte kolumbiani që do ta procesonte për ta pastruar.
Katër të arrestuarit mendohet se bashkëpunonin me një nga krerët e një prej grupeve më të fuqishme kriminale. Dyshohet se ka dhe persona zyrtarë të përfshirë.