Organizatat mjedisore në Shqipëri tashmë kanë një hapësirë të dedikuar ku mund të drejtohen për për të krijuar kontakte me njëra-tjetrën dhe për të ngritur ura bashkëpunimi, me qëllim zbutjen e fragmentarizimit që ekziston ndërmjet tyre. Platforma engona.al u realizua me mbështetjen e LevizAlbania nga konsorciumi i organizatave: EcoAlbania, ACEG dhe Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen, duke synuar rritjen e eficiencës së organizatve që operojnë në fushën e mjedisit, përmes funksionimit në rrjete tematike.
“Nëpërmjet kësaj platforme organizatat e shoqërisë civile do të kenë një mënyrë më efektive për të amplifikuar ndikimin e tyre kundrejt vendimmarrësve. Gjithashtu, kjo platformë rrjetëzimi konsiderohet si një mundësi mjaft efikase për të shkëmbyer dhe për të eksploruar mundësi bashkëpunimi dhe partneriteti mes OSHC-ve”, – thotë Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania.
Po ashtu, ai rendit një sërë avantazhesh të tjerë që vijnë nga rrjetëzimi, në krahasim me operimin e ndarë të organizatave. Mbështetje dhe solidarizim i përbashkët për kauza mjedisore, praktika të mira, ekspertizë në formulimin e politkave, planeve, legjislacionit, perceptim më pozitiv nga ana e publikut dhe mbështetje për projekte në komunitetin lokal janë disa prej këtyre avantazheve. Po ashtu, qasja e një informacioni më të madh për çështje mjedisore, mbështetje financiare më e madhe, ndikim më efektiv tek vendimmarrësit, kapacitet organizativ i anëtarëve të OSHC-ve, si dhe identifikim i politikave dhe advokim i tyre në nivelin qendror e vendor, janë të tjerë avantazhe që vinë nga rrjetëzimi i organziatave.
ANËTARËSIMI
Që prej nisjes së funksionimit të platformës numri i organizatave që janë bërë pjesë e engona.al është i konsiderueshëm. Janë gati 50 organizata që janë rrjetëzuar, duke u ndarë sipas 4 fushave të interesit e më konkretisht: “Qeverisje Mjedisore”, “Mbrojtje ndaj ndotjes së mjedisit”, “Mbrojtje e biodiversitetit dhe faunës, si dhe “Advokim dhe hulumtim mjedisor”. Ndërkohë që, anëtarësimi është i hapur në çdo kohë, ndaj OSHC-të mjedisore mund të bëhen pjesë e platformës me kërkesë të tyre, por pasi janë verifikuar të dhënat dhe përputhshmëria e fushës së veprimtarisë që ato deklarojnë. Mjafton të klikohet në platformën enogna.al, ku jepet linku për aplikim, për t’u bërë pjesë e rrjeteve tematike. Më pas, të dhëna jo konfidenciale dhe kontaktet e OSHC-së publikohen në platformë me qëllim që organizatat e tjera të shoqërisë civile, të njihen me profilin e punës së tyre dhe të mund t’i kontaktojnë.
Ndarja në 4 fusha interesi sipas rrjeteve tematike është projektuar për t’u ardhur në ndihmë OSHC-ve të marrin informacion për organizatat e tjera si partnere potenciale me qëllim rritjen e mundësive për bashkëpunime ndërmjet tyre. “Secila prej kategorive rendit OSHC-të përkatëse të fushës duke dhënë informacione të vlefshme për partnerët e mundshëm, duke përfshirë kontaktet e tyre për komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet tyre”, – bën me dije Nika. Ndërkaq, paralelisht me rrjetëzimin, në platformën engona.al, organizatat që operojnë në fushën e mjedisit mund të marrin edhe informacione mbi thirrje për projekete në fushën mjedisore për të cilat OSHC-të mund të kenë interes për të aplikuar, aktivitetet e kryera në kuadër të projektit, përmbledhje të akteve ligjore në fushën e mjedisit dhe informacione të tjera me interes për aktivitetin e tyre.