Kryesore

Marrin fund provimet për mësuesit me 20 vite përvojë/ Për të marrë gradën e kualifikimit dhe rritje page, aftësitë do t’i demonstrojnë me orë të hapura mësimore

15:33 - 09.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

BESARTA BASHA/ Një barrë më pak për mësuesit me përvojë të gjatë në arsim. Nga ky vit, për të fituar shkallën e parë të kualifikimit që i bën “Mësues mjeshtër”, mësuesit që kanë mbi supe 20 vite punë në arsim nuk duhet t’i nënshtrohen më testit klasik, provimit në mjediset e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.




Pas akumulimit të kësaj eksperience që i bën të jenë mësues model, ata duhet të demonstrojnë përpara një komisioni të posaçëm aftësitë e tyre në mësimdhënie dhe jo një provimi. Këtë e komunikoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi, në një takim me drejtuesit e zyrave arsimore. Do të jenë këta të fundit që vendosin për dhënie gradash për mësuesit në karrierë.

 JO PROVIM

Nuk do të ketë një provim si ai tradicionali që bëhet dhe për kualifikimin 5-vjeçar apo 10-vjeçar për mësuesit e vjetër, por do të jetë zyra vendore arsimore që e administron këtë proces dhe mësuesi apo kandidati për të marrë kualifikimin 20-vjeçar i duhet të japë një orë mësimi të hapur në prezencën e përfaqësuesve të rrjetit profesional, të drejtuesve të shkollës, përfaqësues nga këshilli i prindërve, ekipi lëndor e të tjerë.

Ekspertët e Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar kanë bërë gati procedurën dhe paketën e dokumenteve të lehtësuar që duhet të ndjekin mësuesit për të fituar kategorinë e parë të kualifikimit.

E gjitha kjo, nënvizon Kushi, nuk do të prekë cilësinë e mësimit, por veçse motivon mësuesit në përmbushjen e misionit të tyre.

 “Është fjala për të lehtësuar mësuesin, por jo për të dëmtuar cilësinë, jo për të cenuar cilësinë. Por përkundrazi, për ta ngritur mësuesin në një nivel të ri. Ne kemi plotësisht besim te mësuesit tanë që dhe këtë procedurë të re, këtë mënyrë të re do ta vlerësojnë siç duhet dhe do të përfaqësohen, do të prezantohen me dinjitet”, deklaroi ministrja.

Përveç përmbajtjes, që do të jetë orë mësimore e hapur dhe jo testim, asgjë nuk ndryshon në skemën e vlerësimit. Tridhjetë pikë do të merren nga portofoli profesional dhe shtatëdhjetë nga ora mësimore, e cila do të fokusohet në disa pika të përmbledhura në tabelën përbri këtij shkrimi: planifikimi i orës mësimore, mjedisi i të nxënit, metodat që përdor mësuesi në shpjegim, vlerësimi dhe arritjet e nxënësve dhe përdorimi i mjeteve.

Ky është ndryshimi i dytë në harkun e një viti në profesionin e mësuesit. Nga lehtësirat janë prekur edhe mësuesit që sapo dalin nga auditorët, të cilët nuk duhet të humbin një vit shkollor në praktikë profesionale, por vetëm tre muaj e më pas mund të konkurrojnë në portal për të fituar një vend pune. E gjitha kjo, për të shkurtuar kohën që i duhet një studenti, një kandidati për mësues deri në punësimin e tij pas konkurrimit tek portali “Mësues për Shqipërinë”.

PËRFITIMET

Me testin apo orën mësimore në kuadër të provimit për kualifikimin 5, 10 apo 20-vjeçar, mësuesit përfitojnë përpos rritjes në gradë edhe shtesë mbi pagë, e cila është prej vitesh e pandryshueshme. Më konkretisht bëhet në masën 5, 10 dhe 20% të pagës bazë prej 14 mijë lekësh. Kështu, pas një provimi mësuesit përfitojnë një masë krejt të papërfillshme mujore mbi pagën që kanë, 700, 1400 apo 2800 lekësh./panorama


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.