AKTUALITET

Si po harrohen emrat e shkollave të dikurshme. Historianët: Bashkitë të konsultohen para vendimmarrjes

17:11 - 12.02.23 E.D
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në qytetin bregdetar të Durrësit, një prej shkollave të dëmtuara nga tërmeti, “Adem Reka”, përveç infrastrukturës së re ka ndryshuar dhe emrin.




Ndonëse kjo shkollë njihet nga qytetarët durrsakë akoma si shkolla 9-vjeçare “Adem Reka”, heroi i punës, tashmë ajo mban emrin “Qemal Mici”.

“Nuk e dimë fare çfarë ka qenë ky Qemali. As na ka pyetur kush kur ia ndërruan emrin. Unë vazhdoj i them “Adem Reka”, thotë një prind që ka mbaruar edhe vetë arsimin bazë te kjo shkollë, ku tashmë vazhdojnë edhe 2 fëmijët e tij.

Vendimarrja për shkollat është kompetencë e këshillave bashkiakë. Por jo të gjitha vendimet kanë pasur konsensus.

Në periudha të ndryshme të qeverisjes, partitë politike kanë shfrytëzuar shumicën e votave në këshillat bashkiakë për të marrë vendime përmes të cilave kanë kënaqur elektoratin siç është rasti i një shkolle 9-vjeçare në fshatin Qerret të Durrësit, e cila ka marrë emrin e militantit të PD, Artan Zeka, i vrarë gjatë fushatës elektorale të vitit 2009.

Me vendim të qeverisë “Berisha”, Zeka i cili u vra në konflikt me armë nga bashkëfshatari i tij për flamujt politikë, u shpall madje “Dëshmor i Demokracisë”.

Në fshatin Qerret kjo histori mbase është harruar, por jo nga fisi i vrasësit të Zekës, të cilët jetojnë akoma në fshat dhe fëmijët e tyre po i arsimojnë në shkollën që mban emrin e tij.

Kontestime për emrat e vendosur nga regjimi komunist

Politologu Ermal Hasimja shpreh indinjatën e tij për emrin e shkollës 9-vjeçare “Sabaudin Gabrani”, ku ka marrë dijet e para dhe ka përfunduar ciklin bazë.

“Sa herë kaloj nga ish-shkolla ime 8-vjeçare “Sabahudin Gabrani” më dhemb fakti që ai vend aq i dashur për mua mban emrin e një terroristi komunist. Një shkollë që mbrun me dije brezat e rinj mban emrin e një komunisti që u bë i famshëm për rrëmbimin e një vajze 12-vjeçare. Një rrëmbyes fëmijësh përfaqëson një nga shkollat më të njohura të vendit. Një njeri që ia shiti shpirtin djallit dhe ideologjisë barbare komuniste. Që i rrëmbeu dritën e syve personit që kishte shpëtuar sa e sa komunistë prej pushkatimit nga pushtuesit, vetëm pse ishin shqiptarë”, thotë Hasimja.

I pyetur nga Gazeta “Si”, profesor Ermal Hasimja thotë se nuk ka kuptim moralisht që të mbajmë emra komunistësh për aq kohë sa e kemi dënuar komunizmin si regjim totalitar.

“Emërtimet e rrugëve dhe shkollave gjatë sistemit totalitar janë bërë në funksion të propagandës komuniste. Kjo është arsyeja përse kemi ende emra rrugësh apo shkollash që përfaqësojnë sistemin komunist dhe jo vlerat e vërteta të kombit. Nuk ka kuptim moralisht që të mbajmë emra komunistësh për aq kohë sa e kemi dënuar komunizmin si regjim totalitar. Është njësoj si të kishim në Gjermani shkolla apo rrugë me emra nazistësh”, thotë Hasimja.

Po historianët çfarë thonë?

Në një prononcim për Gazetën “Si”, historiani Marenglen Kasmi, i cili prej muajit nëntor 2016 është anëtar i Autoritetit për Informim mbi Dosjet e ish-Sigurimit, thotë se ajo çka vërehet është mungesa e mendimit të historianëve në vendimmarrjet e këshillave bashkiakë.

“Unë nuk di përveç Tiranës ndonjë bashki tjetër në vend që të ketë një grup profesionistësh mes të cilëve dhe historianë për të shqyrtuar emërtimet e rrugëve dhe shkollave para se të merren vendimet në Këshillat Bashkiakë. Në Bashkinë e Tiranës unë jam pjesë e grupit të historianëve që marrim në shqyrtim propozimet e bëra nga Bashkia për emërtesat. Kështu duhet të bëjë dhe ministria apo bashkitë e tjera, thotë Kasmi.

Ndërsa politologu Ermal Hasimja thotë se jo vetëm për emërtimet e reja, por dhe ato ekzistuese nevojitet ngritja e një komisioni për shqyrtimin e emrave, por ky komision duhet të nisë punën mbi pranimin e faktit që komunizmi ishte regjim totalitar që është dhe duhet dënuar.

“Paradoksalisht kemi rrugë dhe shkolla me emra komunistësh, por shumë pak rrugë dhe shkolla me emrat e viktimave të tyre ose atyre që luftuan kundër komunistëve për lirinë e vendit”, përfundon Hasimja.

Gazeta Si


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.