Kryesore

“Në 30 vite, kokën e kishim nga Europa, sytë nga Kabuli”, Florian Binaj: Për pashallarët e shek. 21 kryeqyteti nis tek numri i parë i llogarisë bankare deri tek shifra e fundit

22:17 - 15.04.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Aktori Florian Binaj, një nga prezantuesit e emisionit “Piranjat”, në monologun e mbrëmshëm, ka folur në lidhje me situatën e rëndë në vendin tonë, e kryesisht në kryeqytet.




Ai u shpreh se Tirana është kthyer në një grumbull ndërtesash pa rregull dhe kullash.

Binaj tha se Tirana është kthyer në një kërmë që secili do t’i hajë një copë.

“Nëse marrim një pjesë të bukur muzikore në pentagram, do shohim që notat qëndrojnë në harmoni përballë njëra-tjetrës, por edhe në harmoni muzikore kur luhen.

Dhe nëse do ta përkthenim këtë harmoni në arkitekturë, nuk ka nevojë të jesh urbanist e arkitekt që të kuptosh se Tirana i ngjan një grumbulli objektesh të rrëmujshme pa asnjë pikë harmonie me njëra-tjetrën, që janë hedhur aty si grumbull plehrash, përveç sistemimit që i bënë arkitektët italianë të shekullit të kaluar kur hodhën bazën e një qyteti europian.

Në mbi 30 vite pas komunizëm në vend që të hidheshin bazat për zhvillimin europian të kryeqytetit, me rrugë të gjera e blloqe banimi e studimi me hapësira të gjelbërta, kokën e kishin nga Europa e sytë nga Kabuli.

Sot, në 2023, Tirana ka aq shumë ish-vende të saj, saç do kishte një qytet i rrafshuar nga lufta, ish-park, ish-lulishte, ish shatërvan, ish-sheshi Skënderbej 1, 2, 3, 4 Ish uzina Dinamo, ish-Kinema 17 nëntori, ish kinema Dajti, ish-Kinostudio, ish-Ekspozita “Shqipëria Sot”, ish-stacioni i trenit, ish-muzeu i natyrës, ish-stadiumi Qemal Stafa, ish Teatri kombëtar, e sa e sa ishe të tjera.

Tani kuptoj që “Ish” paska qenë shkurtimi i fjalës “prish”.

Në emër të zhvillimit janë prishur aq shumë gjëra e kujtime, sa brezi ynë nuk ka çfarë i tregon më fëmijëve sepse nuk janë më aty.

Ata që duan të mbahet mend Tirana e tyre dhe jo Tirana e të gjithëve, bërtasin atyre që ngrenë zërin për ta ruajtur trashëgiminë qytetare e kulturore, që ju nuk e doni zhvillimin.

Këta pashallarë të shekullit të 21 janë aq dritë ngushtë saqë për ta Tirana nis tek koka e tyre dhe mbaron tek gishti i këmbës. Ka edhe nga ata që u nis nga numri i parë i llogarisë bankare deri tek shifra e fundit. Tirana nuk i ngjan më as vetvetes e nuk i dihet më kujt do t’i ngjajë nëse vijon ashtu.

Është bërë qyteti më KULL me “K” jo cool me “C”, në të gjithë Ballkanin.

Gjithçka është zëvendësuar me cool.

Aq sa edhe Pëllumb Kulla po mendon të ndryshojë mbiemrin se mos e akuzojnë për oligark ose i heqin një shkronjë si ndërtim pa leje.

Edhe ato pak lulishte mes pallatesh, në vend të ruheshin për fëmijët, u dhanë si hapësira për lokalet, sepse ato i japin lekë bashkisë, fëmijët jo, përkundrazi shpenzojnë.

E nëse fëmijët duan të luajnë në park, ju prindër me makinë çojini tek liqeni. të gjithë fëmijët e Tiranës vetëm tek liqeni.

Tirana u bë si plaçkë, si kërmë që të gjithë duan ta hanë.

Që nëse do ta gëzojë ai që i takon, mund ta bashkë-gëzojë me të tjerë, sepse mund edhe të mos ta gëzojë fare.

Por ka pasur edhe ndryshime të mira. Të gjithë e mbani mend sa u gëzua kryeqyteti sikur u pastrua Lana nga kioskat e shpifura.

Sot për nostalgjikët, kioskat i keni si nishan rreth e qark Piramidës. Mbase vërtetë vijnë 26 mijë banorë çdo vit në Tiranë, por pyetja ime është nëse vijnë që më pas të jetojnë apo që  më pas të emigrojnë?”, ka përfunduar Binaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.