Kristo FRASHËRI – Gjatë kësaj vere, sikur të mos mjaftonte vapa sahariane që na mori frymën, lexuam edhe një seri artikujsh kritikë me titull “Skandal me tekstin zyrtar Historia e Popullit Shqiptar”, botuar në gazetën ‘Tema”, në 7 numra të saj (11, 12, 13 qershor, 6, 7, 8, 9 gusht 2008). Artikujt kanë për autor dr. Teodor Karecon, një nga pjesëtarët e kolektivit të dikurshëm të profesoratit të Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës, i cili pas ngjarjeve të vitit 1990 mërgoi në ShBA. Kur sheh titullin e kritikës njeriu kujton se kemi të bëjmë me një sulm që i bëhet në tërësi tekstit të “Historisë së Popullit Shqiptar”, vëll. III, botuar nga Akademia e Shkencave, Tiranë 2007. Kur e lexon, sheh se kritika nuk i drejtohet vëllimit III në tërësi, por vetëm kapitullit me titull “Zhvillimi ekonomik dhe shoqëror i Shqipërisë në vitet 1912-1938”, (kreu V, ff. 100-120), që bën pjesë në këtë vëllim. Doktorit të shkencave ekonomike, Teodor Kareco, nuk i ka pëlqyer asnjë rresht nga këto 20 faqe. Sipas tij, çdo çështje, madje çdo rresht i këtyre 20 faqeve, janë fund e krye gabim. Natyrisht, fajtori kryesor këtu është autori, Kristo Frashëri. Si rrjedhim, botimin e këtij teksti nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë ai e quan “skandal”, kurse autorin e kapitullit, Kristo Frashërin, e cilëson pa ngurrim: “mashtrues, mafioz, gënjeshtar, komunist, enverist, historian i inkriminuar”, madje edhe “sharlatan”. Me fjalë të tjera, punimin e tij e stigmatizon “krim”, e të tjera, e të tjera. Për këtë arsye, ai kërkon që qeveria shqiptare, nëse dëshiron t’i ketë shkëputur lidhjet me komunizmin enverist, duhet ta dënojë këtë tekst “zyrtar” si një vepër “skandaloze”, kurse ndaj Kristo Frashërit duhet të mbajë qëndrim si ndaj një njeriu që e ka “çnderuar” kombin, mbasi vepra e tij është një “fyerje” për Atdheun shumë të dashur të Karecos. Unë nuk do t’i përgjigjem T. Karecos me të njëjtën monedhë. Edukata ime familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes dhe formimi im kulturor nuk më lejojnë t’i përgjigjem atij me fyerje, me sharje, me akuza as morale, as politike, as shkencore, siç ai i ka përdorur pa kursim ndaj meje. Eksperienca ka treguar se fyerjet, sharjet dhe akuzat në një debat, të paktën shkencor, janë armë e atyre që nuk kanë argumenta në torbë dhe xhepat me arsyetime i kanë të shpuara. Në një debat shkencor sharjet, fyerjet dhe akuzat përdoren zakonisht për të shkaktuar mjegullnajë dhe për të mbuluar mungesën e argumenteve. Ato u ngjajnë shashkave që trembin vetëm laraskat. Për këtë arsye, në këtë debat unë nuk do të merrem me të gjitha denigrimet që ai bën në kurriz të punimit tim. Do të ndalem vetëm në ballafaqimin e argumenteve, të dhënave, arsyetimeve, pikëpamjeve dhe analizave që kanë të bëjnë me tre-katër kategoritë kryesore të strukturës social-ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës 1912-1938, për të cilat ai flet përçart.
Këtë ballafaqim po e bëj për të bindur jo kritizerin T. Kareco, por lexuesin që ka prirje të mësojë të vërtetën.Para se të kaloj në ballafaqimin e argumenteve e shoh të nevojshme të tërheq vëmendjen e T. Karecos mbi konceptin e gabuar që ka për shkencën në regjimin demokratik. Nuk e di ku e ka psonisur termin tekst “zyrtar” me të cilin quan tekstin “Historia e Popullit Shqiptar”. Ai siç duket nuk e di ç’do të thotë tekst “zyrtar”. Në kategorinë e teksteve zyrtare hyjnë tekstet bazë të shtetit, tekstet e miratuara nga organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, të cilat janë detyrimisht të zbatueshme. Tekstet zyrtare nuk kanë autorësi personale. Autori i tyre është shteti. Në kategorinë e teksteve zyrtare hyjnë, para së gjithash, tekstet themelore të Shtetit, si kushtetutat, kodet, ligjet. Vijnë pastaj vendimet e parlamentit, të qeverisë, të gjykatave e të tjera, e të tjera. “Historia e Popullit Shqiptar” nuk është tekst zyrtar. Ai ka autorë. Përmban pikëpamje dhe jo vendime. Përgjegjës është autori dhe jo shteti. Askush nuk është i detyruar t’u bindet pikëpamjeve të një teksti. Edhe botimet e Akademisë së Shkencave nuk kanë karakter zyrtar. Madje, në sistemin tonë arsimor janë në përdorim për çdo lëndë tekste alternative, të cilat për shembull në fushën e shkencave shoqërore kanë edhe pikëpamje të ndryshme nga njëri-tjetri.
Unë nuk do t’i përgjigjem Teodor Karecos me të njëjtën monedhë. Edukata ime familjare, kodi shoqëror i mirësjelljes dhe formimi im kulturor nuk më lejojnë t’i përgjigjem atij me fyerje, me sharje, me akuza as morale, as politike, as shkencore, siç ai i ka përdorur pa kursim ndaj meje. Eksperienca ka treguar se fyerjet, sharjet dhe akuzat në një debat, të paktën shkencor, janë armë e atyre që nuk kanë argumenta në torbë dhe xhepat me arsyetime i kanë të shpuara
Gabimi i dytë i T. Karecos qëndron te kërkesa e tij drejtuar qeverisë shqiptare për ta tërhequr nga qarkullimi tekstin e “Historisë së Popullit Shqiptar” me argumentin se njërin nga kapitujt e tij nuk e “bluan” stomaku i T. Karecos. Ai akoma nuk e di që shteti demokratik nuk mund të ndërhyjë, siç ndërhynte shteti komunist, për të ndaluar botimin e një vepre dhe ca më tepër për ta tërhequr atë nga qarkullimi. T. Kareco ka më shumë se 10 vjet që ka shkuar në ShBA, në vendin më demokratik të botës dhe po e tregon veten aq të ngathët sa akoma nuk e ka kuptuar se në regjimin demokratik kanë të drejtë të qarkullojnë të gjitha idetë e të gjitha pikëpamjet. Ai që vendos nëse një tekst meriton të qarkullojë nuk është shteti, por publiku, i cili kur nuk është dakord nuk e blen.
Gabimi i tretë që bën me këtë hap Kareco është se ai ka një vlerësim jashtëzakonisht të madh për veten e vet. Ai kujton se si shkencëtar qëndron në majën e Olimpit të shkencave ekonomike, si rrjedhim qeveria shqiptare mezi pret t’i vijë një sinjal nga Teodor Kareco për të dërguar organet e policisë që të tërheqin nga gjithë libraritë e Shqipërisë dhe jashtë Shqipërisë vëllimin III të “Historisë së Popullit Shqiptar”.
Është për të ardhur me të vërtetë keq që kemi doktorë të tillë të shkencave ekonomike që edhe pse flasin ditë e natë për demokraci, nuk shkëputen dot nga llogoret e ideologjisë politike të regjimit komunist.
Para se të filloj debatin dëshiroj t’i kujtoj lexuesve edhe një rast interesant. Në fillim të viteve ’90, T. Kareco përfaqësoi Shqipërinë në një konferencë që u mbajt në Selanik mbi problemet ekonomike të vendeve ballkanike. Ekonomisti ynë e filloi referatin afërsisht me këto fjalë: “Natyra e ka dënuar Shqipërinë të ketë kryesisht male dhe pak fusha.”
Ekonomistët e Ballkanit mbetën me gojë hapur. Ata e dinin se kufijtë politikë janë caktuar nga diplomacia e madhe. As nuk u kishte shkuar kurrë ndërmend që kufijtë politikë të Shqipërisë t’i ketë caktuar natyra. Kaq sa për hyrje!
Pak histori
Kur në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar Instituti i Historisë me miratimin që mori nga Akademia e Shkencave, prej së cilës në atë kohë ishte në vartësi, vendosi të rishkruhej Historia e Shqipërisë – lindi ndër të tjera dhe problemi i hartimit në mënyrë shkencore të kapitujve që do të trajtonin historinë e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit gjatë shekujve. Me atë rast u ftuan të merrnin pjesë edhe pedagogët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Njëri ndër ta ishte dhe Teodor Kareco, i cili jepte leksione në fakultetin e tij mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë gjatë periudhës së Pavarësisë Kombëtare 1912-1939 dhe gjatë të ashtuquajturës periudhë të ndërtimit socialist në Shqipëri. Asnjë nga anëtarët e profesoratit të Fakultetit Ekonomik, përfshirë dhe T. Karecon, nuk pranoi të jepte kontributin e vet qoftë edhe për periudha të caktuara të Historisë së Shqipërisë. Kjo për arsye se shumica prej tyre merrej me historinë e zhvillimit të ekonomisë socialiste në Shqipërinë e Pasluftës së Dytë Botërore dhe vetëm pak prej tyre trajtonin në mënyrë skematike zhvillimin ekonomik të Shqipërisë gjatë periudhës së Zogut. Pothuajse të dyja palët nuk njiheshin fare me materialet e Arkivit Qendror Hitorik dhe ca më pak me bibliografinë përkatëse shqiptare dhe të huaj të problemit. Ata, në trajtimin e temës, mbështeteshin te vlerësimet e Enver Hoxhës. Edhe pse refuzuan të merrnin pjesë si autorë, disa prej tyre pranuan që të kontribuonin duke dhënë vërejtje pasi të lexoheshin kapitujt e hartuar nga kushdoqoftë.
Si rrjedhim, barra për të hartuar kapitujt mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, të paktën që nga Mesjeta e hershme dhe deri më 1938, m’u ngarkua mua, aq më tepër që me këto probleme isha marrë deri-diku në hartimin e variantit të parë të “Historisë së Shqipërisë” botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, vëllimi I (1959), vëllimi II (1965). Sipas premtimit që dhanë, disa nga pedagogët e Fakultetit Ekonomik morën pjesë në diskutimin e kapitujve përkatës. Njëri ndër ta ishte dhe Teodor Kareco. Deri atëherë T. Kareco kishte botuar vetëm një artikull me emrin e vet, më 1965, me titull “Rreth zhvillimit të forcave prodhuese në industri gjatë viteve 1920-1940” (në “Studime historike”, 1965, nr. 4). Kushdo që do ta lexojë do të shohë se kemi të bëjmë me një fotokopje të pikëpamjeve të shprehura nga Enver Hoxha në raportet e Kongreseve të PPSh-së. Veç këtij, ai kishte botuar me bashkëpunëtor kolegun e vet Besim Bardhoshi dy punime, njërin me titull “Probleme të planifikimit të ritmeve dhe përpjesëtimeve” (Tiranë, 1973) dhe tjetri me titull “Zhvillimi ekonomiko-shoqëror në Shqipëri: 1944-1974” (Tiranë, 1974). Vetëkuptohet se edhe këto dy shkrime nuk kanë vlerë përderisa trajtojnë problemet e planifikimit socialist, që sot nuk ekzistojnë.
Nga shënimet që kam mbajtur del se kur u diskutua kapitulli që ai tani ka vënë në shënjestër të sulmeve të tij, kritika kryesore e T. Karecos kishte të bënte me karakterizimin social-ekonomik të regjimit të Zogut. Siç dihet, Enver Hoxha në tërë shkrimet e tij e karakterizonte strukturën ekonomike shoqërore të Shqipërisë gjatë regjimit të Zogut si një strukturë feudo-borgjeze, si rrjedhim dhe regjimin e tij si regjim feudo-borgjez. Pra, si një regjim që mbështetej ende mbi format feudale të gërshetuara me format ekonomike borgjeze.
Përkundrazi, në tekstin e hartuar prej meje, regjimin e Zogut e kisha karakterizuar si një regjim çifligaro-borgjez. Ndryshimi ishte i madh. Quhej çifligaro-borgjez, mbasi e ruante pronësinë çifligare si pronësi të trashëguar në formë nga rendi feudal, por marrëdhëniet që tashmë vepronin në gjirin e pronësisë çifligare, sikurse do të shihet më tej, kishin përvetësuar tiparet e marrëdhënieve kapitaliste të tregut. Si rrjedhim, në sajë të marrëdhënieve të reja që kishin depërtuar në gjirin e çifligut dhe të ligjeve që drejtonin ekonominë çifligare, ai ishte shndërruar në një institucion kapitalist me mbeturina feudale.
Sikurse e kam shpjeguar qartë në trajtesën time as pronësia çifligare, as marrëdhëniet çifligare nuk nënkuptojnë marrëdhënie feudale, por pronësi private të tokës dhe marrëdhënie kapitaliste në prodhim, me mbeturina, ku më pak e ku më shumë, të theksuara feudale. Për këtë arsye, në vend të termit feudo-borgjez të shprehur nga Enver Hoxha, unë përdora termin çifligaro-borgjez.
Analizën përse marrëdhëniet çifligare nuk ishin marrëdhënie feudale, por marrëdhënie borgjeze kapitaliste me mbeturina feudale unë e kam trajtuar me aq sa më lejonte vendi në kapitullin përkatës të vëllimit II të “Historisë” botuar po atë vit, më 1984. Në këtë kapitull flitet për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri më 1912. Duket qartë se T. Kareco këtë kapitull nuk e ka lexuar. Në kapitullin që ka analizuar T. Kareco flitet vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të pronësisë çifligare dhe të marrëdhënieve çifligare pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 deri në vitin 1938.
Një ndër ata që gjatë diskutimit të vitit 1984 vuri ulërimën ndaj përcaktimit të regjimit çifligaro-borgjez të Shqipërisë së Paraluftës së Dytë Botërore ishte Teodor Kareco. Sipas tij, unë kisha bërë një “shkarje” të dënueshme për tezën marksiste-leniniste, një largim nga përcaktimi “feudo-borgjez” i Enver Hoxhës. Përkundrazi, tani më kritikon se me përcaktimin “çifligaro-borgjez” unë nënkuptoj regjimin “feudo-borgjez”. Shkurt, as atëhere kur më kritikonte për “largime” nga përcaktimi enverist, as tani që më kritikon për besnikëri ndaj ideologjisë enveriste, duket sheshazi se ai nuk e ka të qartë çfarë është pronësia çifligare dhe çfarë janë marrëdhëniet çifligare. Po ta kishte lexuar kapitullin pararendës do të kishte parë se aty flitet për karakterin borgjez të pronësisë çifligare dhe të marrëdhënieve çifligare. Nëse e ka lexuar, kuptohet qartë se ai ose nuk është në gjendje të kuptojë dhe të dallojë kategoritë shoqërore ekonomike, ose ç’është më e keqja, bën sikur nuk i kupton për të gjetur rast që të sulmojë. Në rastin e parë ai tregon padituri, në rastin e dytë ligësi.
Në fakt, deri tani që ai i ka kaluar të shtatëdhjetat dhe ka zgjedhur rrugën e largimit nga vatra e shkencës së tij, ai nuk ka botuar ndonjë monografi shkencore me temën që ka marrë përsipër ta mbrojë. Më falni! Pas 1990 ai ka botuar me bashkautor Iljaz Fishtën (përsëri me bashkautorësi) vëllimin me titull “Prona private në Shqipëri: 1924-1944: Përmes burimeve arkivore e bibliografike” (Tiranë, 1996). Vëllimi, i mbushur me akte arkivore të administratës shqiptare mbi pronësinë tokësore, nuk është punim pa vlerë.
Ndonëse në këtë vëllim mbi pronësinë tokësore ka një mori aktesh natyrisht me vlerë, por ato nuk janë të mjaftueshme. Shumica e tyre i shëmbëllejnë gjetheve të një peme, por jo trungun e temës, të cilin e përbëjnë statistikat zyrtare. Për fat të mirë ne kemi statistika tepër të imëta të botuara nga qeveria mbretërore e Zogut, të cilat pasqyrojnë në vëllime të veçanta lëvizjen tregtare të importit dhe të eksportit, firmat tregtare dhe industriale të Shqipërisë, pasurinë bujqësore dhe blegtorale, sipërfaqet bujqësore dhe prodhimin bujqësor për çdo komunë, pa dyshim me bagëtitë e trasha dhe të imëta për çdo fshat, përfshirë edhe kafshët e barrës dhe qetë e parmendës. Janë këto statistika, të cilat përbëjnë trungun e një studimi shkencor, mbasi ato tregojnë gjendjen dhe dinamikën e përvitshme të ekonomisë së Shqipërisë, të cilat siç duket T. Kareco ndoshta nuk i ka shfrytëzuar, meqenëse në kritikat e tij nuk ndeshim gjurmë të tyre. Pa këto statitika të cilat përbëjnë themelet e një studimi, gjethet nganjëherë në vend ta ndihmojnë e ngatërrojnë studiuesin.
A ekzistonte institucioni i çifligut në Shqipërinë parakomuniste?
Pronësia çifligare e tokës është, sikurse u tha, një pronësi e trashëguar në formë nga rendi feudal. Siç dihet, pronësia çifligare lindi në ambjentin e regjimit feudal-ushtarak të Perandorisë Osmane. Më saktë, ai lindi kur u shfaq institucioni i çifligut, i cili po zëvendësonte dalëngadalë institucionin e timarit. Megjithatë, nga rendi feudal-ushtarak osman ai trashëgoi vetëm formën e marrëdhënieve midis pronarit dhe bujkut, por jo karakterin e këtyre marrëdhënieve. Në fakt, ai paralajmëronte lindjen e një epoke të re social-ekonomike, epokën e ekonomisë së tregut. Madje, vetë institucioni i çifligut ishte pjella fillestare e depërtimit të ekonomisë së tregut në fshatin shqiptar. Për të qenë më të qartë, çifligu (nga turqishtja: çift-lig) në fillimet e veta, pra në ambjentin e rendit feudal-ushtarak, përbëhej nga një ngastër toke që mund të punohej nga familja e një fshatari pa tokë, pra nga një bujk-çifçi, me një çift qesh, pra me një pendë qe. Në rendin feudal-ushtarak osman bujku-çifçi merrte me qera nga spahiu feudal ngastrën e tokës së punueshme së bashku me ndërtesën dhe pajimet bujqësore, të cilën detyrohej ta punonte me kulturën, e cila plotësonte nevojat oborrtare të pronarit. Nga ana e vet, bujku çifçi, nga prodhimi i korrur, pasi hiqej e dhjeta e prodhimit që i takonte spahiut si zotërues i timarit, i jepte po spahiut si pronar i çifligut një të tretën e prodhimit. Me shthurjen e rendit feudal-ushtarak të timareve si të gjitha institucionet ekonomike-shoqërore edhe çifligu pësoi ndryshime. Me ligjin agrar (Eraz-i Kanuni) të Perandorisë Osmane, të miratuar më 1858, çifligari, deri atëhere zotërues i çifligut (kurse pronari i vërtetë ishte shteti), tani çifligari u bë vetë pronari i çifligut. Të dhjetën (yshyrin), të cilin më parë e vilte drejtpërdrejt spahiu nga fshatari-bujk – tani të dhjetën detyrohej çifligari t’ia paguante shtetit si pronar i çifligut. Veç kësaj, ndërsa më parë spahiu nuk mund të shiste çifligun, tani çifligari mund ta shiste pa pengesë çifligun. Më tej akoma, ndërsa më parë spahiu mund të zotëronte vetëm një çiflig, tani, në kushtet e ligjërimit të pronës private, çifligari mund të grumbullonte në pronësi private çifligje pa kufizim. Pra, tani mund të flitet për pronësi çifligare.
Marrëdhëniet midis bujkut-çifçi dhe pronarit në formë mbetën po ato që ishin më parë. Fshatari-bujk vazhdoi t’i jepte pronarit të çifligut (pasi zbritej e dhjeta) një të tretën e prodhimit (kur bujku e punonte tokën me pendën dhe farën e vet), ose gjysmën e prodhimit (kur tokën e punonte me qetë dhe farën e pronarit). Veç kësaj, në kushtet e reja fshatari-bujk ishte i detyruar që në bazë të marrëveshjes paraprake të tretën ose gjysmën t’ia shlyente pronarit në artikullin bujqësor që pronari i çifligut i diktonte, jo për të plotësuar nevojat oborrtare, por për të nxjerrë sa më tepër fitime në treg nga shitja e tyre. Në këto rrethana, çifligari nuk ishte një feudal, siç kujton T. Kareco, por një pronar çifligar dhe njëkohësisht një tregtar drithi (hambarxhi). Pra, edhe pse çifligu i periudhës kapitaliste i ngjiste në formë çifligut të periudhës feudale, ai nuk mund të identifikohej me të. Tek ky identifikim qëndron një nga gabimet e pajustifikueshme të T. Karecos.
Në këtë vështrim, fshatari-bujk i çifligut shqiptar të shekullit XX ka, në vijë të përgjithshme, ngjashmëri me bujqit pa tokë të viseve të tjera evropiane – si për shembull me fshatarin gjysmatar (mezzadro) të Italisë apo me parcellaire (metallier) të Francës. Ky është deficiti i dytë që ekonomisti T. Kareco ka në profesionin e vet.
Në lidhje me karakterin e marrëdhënieve çifligare, më saktë, në lidhje me marrëdhëniet midis prodhuesit bujk dhe pronarit çifligar, problemi nuk zgjidhet vetëm me pohime fluturimthi siç vepron T. Kareco, i cili i quan trillime të Kristo Frashërit, madje vetë përdorimin e termave “çiflig” dhe “marrëdhënie çifligare” i quan “krime” ndaj Historisë së Shqipërisë. Sipas tij, po të përdorësh termat “pronësi çifligare” dhe “marrëdhënie çifligare” je kokë e këmbë enverist, me fjalë të tjera je djall apo shejtan a ku di unë çfarë, por jo historian.
Ka një mori veprash të ekspertëve të kualifikuar të ekonomisë agrare, as marksistë, as fashistë por partizanë të shkollës ekonomike liberale të cilët, para se të vendosej regjimi komunist në Shqipëri, i kanë bërë radiografinë pronësisë çifligare dhe anatominë marrëdhënieve çifligare. Ka për shembull autorë të tillë si shkencëtari italian U. Rosati, i cili fill pas shpalljes së Pavarësisë u shtrua këmbëkryq në familjet e bujqve të çifligjeve të bejlerëve dhe na ka dhënë më 1915 një material shkencërisht të pazëvendësueshëm mbi ekonominë çifligare. Po kështu kolegu i tij italian G. Baudini (1915) mbi gjendjen agroteknike të bujqësisë dhe të blegtorisë së po asaj kohe. Analizë me vlerë të veçantë na ka dhënë dhe specialisti austriak E. C. Sedlmayer (1916). Një analizë dhe njëkohësisht një sintezë përmban vepra e profesorit të Universitetit të Firences, G. Lorenzoni, i cili së bashku me një ekip vëzhgoi shumë fshatra duke na dhënë në veprën e tij “Çështja agrare shqiptare” (botuar më 1930) një pasqyrë të thelluar të pronësisë çifligare dhe të marrëdhënieve çifligare të asaj kohe në Shqipëri. Një tjetër studiues që është ulur këmbëkryq në kasollet e bujqve të çifligjeve të Shqipërisë është anëtari i Akademisë së Gjeorgofilëve të Bolonjës, P. F. Nistri (1940).
T’i lëmë studimtarët e tjerë të huaj pa përmendur, mbasi do të shkonte gjatë. Le të përqendrohemi te studiuesit shqiptarë që na kanë dhënë analiza, vlerësime, sinteza, madje dhe sugjerime mbi gjendjen e bujqësisë shqiptare në vitet ’30. Përmendim për shembull, Dalip Zavalanin, doktor i shkencave agrare, Jovan Adamin po ashtu, dhe patjetër Eqrem Vlorën, i cili në monografinë e tij “Historia e bujqësisë shqiptare” një vend të rëndësishëm i ka dhënë historisë së pronësisë çifligare në Shqipëri. Të gjithë këta autorë dhe plot të tjerë flasin pa rezerva për ekzistencën e institucionit të çifligut në Shqipëri para vitit 1945, rrjedhimisht flasin për pronësinë çifligare dhe shkencërisht trajtojnë karakterin e marrëdhënieve çifligare në atë periudhë. Unë nuk besoj që ata të kenë qenë ekonomistë enveristë, siç akuzohet Kristo Frashëri, i cili, në radiografinë e çifligut pajtohet me ta dhe është mbështetur te ata. Gjithashtu, nuk besoj që ata t’i kenë trilluar “marrëdhëniet çifligare”, me qëllim që siç thotë T. Kareco për Kr. Frashërin, më vonë Partia Komuniste “të shpikë” luftën e klasave dhe të përgatisë revolucionin popullor kundër bejlerëve.
Sipas T. Karecos çdo mendim i shfaqur në kohën e Enver Hoxhës është në mënyrë absolute “krim”. Po të jetë e vërtetë kjo, të gjitha veprat e botuara gjatë regjimit komunist duhen dënuar pa përjashtim si “krime”. Jo vetëm punimet e Kr. Frashërit, por të gjitha duhen dënuar përfshirë edhe punimet e shkencëtarëve tanë të shquar të gjuhësisë dhe të historisë, penat e shquara të letërsisë dhe veprat e spikatura të artit, natyrisht edhe monografitë mbi shkencat pozitive. Sipas kësaj logjike dogmatike primitive të gjithë duhen dënuar, që nga Ismail Kadareja e deri te Eqrem Çabej, që nga Prenk Jakova e deri te Çesk Zadeja, që nga Odhise Paskali e deri te Kristaq Rama e kështu me radhë. E ç’na mbetet pastaj? Sipas T. Karecos na mbeten vetëm ata që pas përmbysjes së komunizmit e kanë dënuar komunizmin me një deklaratë formale, pavarësisht se vepra e tyre, gjithnjë sipas tij, mbetet “krim”.
Ai pranon se si “servil” i Enver Hoxhës ka bërë edhe vetë “krime” në shkencë. Ai shkruan: “Të gjithë duke folur në favor të regjimit të Enver Hoxhës – shkruan ai – kemi bërë krime, por pas vitit 1990 nga të kriminalizuar u bëmë të çkriminalizuar, mbasi hodhëm poshtë tezat që kishim mbrojtur më parë. Vetëm Kristo Frashëri – thotë ai – nuk ka ndërruar mendje. Ka mbetur – shton ai – enverist siç ka qenë.”
Jemi të detyruar të themi se deri sot nuk kemi lexuar ndonjë shkrim me të cilin T. Kareco të ketë “çkriminalizuar” veten e tij, pra të ketë goditur “krimet” që ka bërë në fushën e shkencës para ’90. Veç kësaj, jo të gjithë kanë bërë në shkencë “krime” siç thotë T. Kareco. Kristo Frashëri nuk ka nevojë të kërkojë falje se nuk ka bërë asnjë “krim” si ato të T. Karecos dhe të shokëve të tij. Kërkojnë falje ata që kanë shkruar lajka në favor të Enver Hoxhës ose që janë mbështetur në tezat e Enver Hoxhës. Pra, kërkojnë falje kalemxhinjtë, ata që shkruajnë sipas regjimit. Kristo Frashëri nuk ka folur në favor të Enver Hoxhës. Ai nuk ka qenë komunist, as anëtar partie si Teodor Kareco. Kristo Frashëri si dje dhe sot ka shkruar dhe shkruan sipas bindjeve të veta. Aq më tepër në regjimin demokratik nuk ka arsye të dënohet për bindjet e tij. Nëse ndokush duhet të dënohet, të paktën moralisht, është kalemxhiu që i ngjan zhiruetës e cila lëviz nga fryn era. Për më tepër, nuk ka arsye përse të dënohet kur flet për pronësinë çifligare dhe për marrëdhëniet çifligare, të cilat kanë qenë një realitet i hidhur i Shqipërisë së paraluftës. Nuk ka përse të dënohet për një realitet që ka qenë pranuar botërisht nga pothuajse të gjithë ekonomistët në zë të Europës. Nuk ka përse të dënohet se flet për një mbeturinë anakronike, siç ishte çifligu, të cilën e fshiu një herë e përgjithmonë nga historia Reforma Agrare e viteve 1945-1946 dhe të cilën e sanksionoi përfundimisht ligji 7501 mbi pronësinë e tokës, i miratuar më 1991 me konsensus nga dy partitë më të mëdha të arenës politike shqiptare – Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.
* Marrë nga arkiva e pasur elektronike e “Gazeta Shqiptare” – suplementi kulturor “MILOSAO”, E diel, 31 Gusht 2008