BOTA

Vriten tre ushtarë izraelitë dhe një oficer egjiptian në kufirin mes dy vendeve, rrethanat të paqarta

07:27 - 04.06.23 E.P
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tre ushtarë izraelitë dhe një oficer sigurie egjiptian, u vranë të shtunën pranë kufirit mes dy vendeve. Autoritetet izraelite dhe egjiptiane thanë se po hetonin së bashku rreth incidentit, detajet e të cilit mbetën të paqarta.




 

Ushtria izraelite njoftoi fillimisht se një polic egjiptian kishte qëlluar për vdekje dy nga ushtarët e saj. Incidenti ndodhi pasi forcat izraelite arritën të pengonin me sukses një përpjekje për kontrabandë gjatë natës, në kufi.

Në deklaratë thuhej se oficeri egjiptian dhe një ushtar i tretë izraelit, u vranë disa orë më vonë, në një konfrontim brenda territorit izraelit.

Ushtria izraelite e trajtoi incidentin si një sulm terrorist.

Ushtria egjiptiane tha se tre ushtarë izraelite dhe një egjiptian ishin vrarë në një shkëmbim zjarri ndërsa oficeri egjiptian i sigurisë, ishte duke ndjekur kontrabandistët përtej kufirit.

Zyrtarët egjiptianë dhe izraelitë po hetojnë rrethanat e incidentit në bashkëpunim të plotë, njoftoi ushtria izraelite dhe dy burime egjiptiane të sigurisë.

Incidenti fatal në kufirin egjiptian gjatë Shabatit është serioz dhe i pazakontë dhe do të hetohet tërësisht”, tha Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një deklaratë.

Ushtria izraelite tha se ishte e paqartë se si oficeri egjiptian kishte kaluar gardhin kufitar.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se dy ushtarë ishin qëlluar ndërsa po kryenin detyrën në një zonë relativisht të shkretë përgjatë kufirit me Egjiptin të shtunën në mëngjes. Trupat e tyre u gjetën më vonë.

Në vitin 1979 Egjipti u bë vendi i parë arab që nënshkroi një traktat paqeje me Izraelin dhe kufiri prej më shumë se 200 kilometrash mes dy vendeve ka qenë kryesisht i qetë. /VOA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.