Kosova

Karta e fundit serbe: “Dëbo, vrit, digj dhe shkatërro”! Fshati Goden nuk ekziston më, ai është djegur i tëri! U vranë 22 burra, 176 banorë të tij gjenden në Shqipëri

11:59 - 27.03.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E SHTUNË ME 27 MARS 1999




Më 27 mars, filloi spastrimi i madh i Kosovëes. Lëvizja më e madhe e popullsisë nga trojet e veta që nga Lufta e Dytë Botërore, cilësuar nga kanalet e huaja televizive, ka filluar që të shtunën e 27 marsit pasdite nga Kosova drejt qytetit të Kukësit. Kuksianët kanë qenë dëshmitarë dhe kanë përjetuar tmerrin që dikur e kishin parë vetëm në ekranet e televizioneve gjatë luftës në Bosnjë apo në Zaire.

Vetëm gjysmë ore pas largimit të Presidentit të Republikës Rexhep Meidani dhe Kryeministrit Pandeli Majko, qyteti i Kukësit ka mbetur i befasuar të shtunën e 27 marsit. Dhjetëra kamionë, kamionçina e autovetura, kryesisht të tipit “Zastava”, si edhe traktorë bujqësorë kishin mbushur rrugën që nga Morini deri në Kukës. Mbi to udhëtonin kosovarët, të cilët ishin përzënë nga shtëpitë e tyre nga forcat e policisë, të ushtrisë dhe nga ato çetnike serbe. Brenda tri orësh numri i tyre sa vinte e shtohej dhe shifra, brenda natës së shtunë, ka arritur në 12 mijë veta.

Nëpërmjet televizionit lokal është sensibilizuar opinioni dhe qindra banorë të Kukësit e të fshatrave përreth kanë vërshuar drejt qendrës së qytetit. Brenda pesë orëve është bërë i mundur sistemimi i rreth 12 mijë të ardhurve nëpër familjet kuksiane. “Kërkoj t’i marr njëmijë veta për t’i sistemuar”, thoshte kryeplaku i fshatit Kodër-Lumë, Xhemë Petku. Ndërsa Kasem Ferati, banor i fshatit Bardhoc, ka strehuar në fshatin e tij 800 veta njëherësh. Të gjithë të shpërngulurit vinin nga fshatrat e rajonit të Prizrenit si nga Mamusha, Zaçishti, Randobrava, Pirana, Opterusha, Medvegja, të cilët tregonin për tmerret e luftës, ku burrat ishin ndarë veç dhe zënë peng nga serbët dhe disa ishin pushkatuar, ndërsa gratë dhe fëmijët ishin përzënë për në Shqipëri. Të dielën rreth orës 0300, ka filluar eksodi i dytë i detyruar drejt Shqipërisë. Vetëm gjatë paradites kanë mbërritur në Kukës nga fshatrat e rajonit të Vrrinit të Prizrenit, si Zhuri, fshat i madh me 12 mijë banorë, nga Dobrusha, Vermica, Shkoza e Epërme, Shkoza e Poshtme dhe nga Vlashnja.

Ndërsa fshatrave të tjerë serbët u kanë vënë flakën, fshatrat Zhur e Vermicë kufi me Shqipërinë, serbët i kanë ruajtur pa djegur, për t’u futur vetë në to në rast bombardimi të NATO-s. Në një fushë të rrethuar në oborrin e ish-Ndërmarrjes së Farnave janë grumbulluar të gjithë të ardhurit nga Kosova, të hipur nëpër rimorkio traktorësh, të cilët kishin arritur të merrnin edhe disa batanije, dyshekë sfungjeri e disa valixhe me plaçka, pasi ushtarët serbë u kishin grabitur atyre të gjithë valutën, si edhe sendet e çmuara. Të gjitha rimorkiot ishin mbushur me gra dhe fëmijë që qanin dhe burra që heshtnin. Ndërkohë që në shumë prej tyre kishte gra dhe vajza që vajtonin burrat dhe vëllezërit e tyre që ua kishin djegur të gjallë në një shtëpi në fshatin Krushë e Madhe. Pas dyndjes në Kukës, qyteti duket më shumë se kurrë pranë gjendjes së jashtëzakonshme, të cilën kanë paralajmëruar se mund ta shpallë Komisioni i Situatës së Jashtëzakonshme.

Të gjithë të ardhurit flasin për keqtrajtime, për grabitje të pasurisë dhe për shkatërrime të shtëpive. “Nga pas kemi lënë vetëm të vdekur dhe zjarr, nuk ka mbetur më asgjë”, tregojnë ata që kanë mbërritur. Mësohet se qyteti dhe rrethinat e Prizrenit janë boshatisur tërësisht nga njerëzit, ndërsa shtëpitë janë djegur. Serbia ka vënë kështu në përdorim skenarin e fundit kundër Kosovës. I mbyllur në bunkerin e tij, Millosheviçi ka urdhëruar mbrëmë spastrimin më masiv që është përdorur ndonjëherë në Kosovë, që nga fillimi i konfliktit. Ndërsa NATO, ka nisur të bombardojë garnizone të ushtrisë në terrenin kosovar, për të shkatërruar mundësinë e stuhisë për reprezalje të tjera kundër popullsisë civile, ushtria serbe ka nxjerrë kartën e fundit dhe ka nisur ta luajë atë tragjikisht.

Po djeg, shkatërron, vret dhe dëbon këdo që gjen, duke lënë pas vetëm shkretëtirë. Ideja e vjetër e serbëve, për boshatisjen e Kosovës nga shqiptarët, ka nisur të zbatohet tashmë, kur ushtria e aleatëve e ka vendosur përfundimisht fundin e makinës ushtarake të Milosheviçit dhe bashkë me të edhe të vetë Serbisë. E gjitha, nuk lë më asnjë dyshim se është një urdhër, që ka nisur të zbatohet me përpikëri. Deri dy ditë më parë, refugjatët e kishin të pamundur të kalonin kufirin për t’u futur në Shqipëri, për shkak të dendësisë së madhe të garnizoneve ushtarake serbe, që ekzekutonin këdo që u dilte përpara, si edhe për shkak të kufirit, që është tërësisht i minuar. Ndërsa mbrëmë ka nisur dërgimi i tyre me vetë makinat e ushtrisë serbe.

Kukësi është bërë një kamping i madh lufte. Mijëra refugjatë kanë mbushur gjatë gjithë natës qytetin verior. Nuk ka asnjë mundësi strehimi dhe ushqimi, ndërkohë që pushtetarët lokalë kanë paralajmëruar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kukësi mbrëmë i ngjante një kampi të vërtetë lufte. Sapo është mësuar se nga kufiri kanë nisur të futen refugjatë në mënyrë masive, qytetarët dhe pushteti lokal janë vënë në lëvizje për të bërë sistemimin e tyre. Por, ka qenë praktikisht e pamundur që ata të stabilizoheshin të gjithë. Kjo për faktin se kolonat e gjata të tyre sa vinin e shtoheshin. Ata që kanë mbërritur tregojnë se policia serbe ka spastruar 18 fshatra të zonës së Prizrenit duke i ndarë gratë nga burrat. Gratë i kanë hipur në autobusë dhe i kanë nisur për në Shqipëri, duke u thënë se “nuk e keni dashur Serbinë, shkoni në Shqipëri, kjo është tokë serbe”. Ndërkohë nuk dihet se ku kanë përfunduar burrat.

Shumë prej atyre që kanë mbërritur, mendojnë se me ta mund të jetë zbatuar i njëjti skenar që u zbatua dy ditë më parë në fshatin Goden, ku burrat u ndanë nga gratë dhe u pushkatuan në mënyrë kolektive në një përrua, ndërsa gratë pas keqtrajtimesh, përdhunimesh dhe grabitjesh janë përcjellë në kufi. Për këtë rast u “hakmor” edhe NATO, e cila bombardoi garnizone ushtarake në këtë zonë, por duket se këtë herë përmasat e tragjedisë janë shumë herë më të mëdha. Askush nga ata që kanë mbërritur mbrëmë nuk di se ç’është duke u bërë tashmë matanë kufirit, në qytetet dhe në fshatrat e tyre. Askush nuk e di se ku kanë përfunduar burrat, sa janë vrarë, sa fshatra janë djegur e sa të tjerë janë ende duke u boshatisur. Ndërkohë, qyteti i Kukësit gjendet në një gjendje tejet të vështirë. Dje zyrtarë lokalë kanë paralajmëruar se në qytet mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

Në spitalin gjinekologjik të Kukësit ka shumë vajza të reja që janë shtruar për shkak të përdhunimeve barbare që u janë bërë. Një grua vazhdon të vajtojë burrin që ia kanë djegur në shtëpi, kur i kanë vënë flakën. Ndërsa një nënë e re, kur ka ikur rrufeshëm nga shtëpia, nuk ka pasur mundësi të marrë foshnjën dhe e ka lënë brenda në shtëpi. Ajo thotë se serbët i vunë flakën shtëpisë. Të ardhurit tregojnë se rrugës kanë parë grupe njerëzish që ishin nën tytat e armëve.

Ndërsa në disa fshatra, serbët i detyronin fshatarët që të hipnin në makinat e tyre bagëtitë, të cilat do të përdoreshin për ushqim në repartet ushtarake. Pasditen e së dielës (28 mars), një kolonë e madhe autoveturash, të markës “Zastava” e deri te makinat luksoze të tipit të fundit, kanë mbushur rrugën që nga Morini deri në Kukës. Qyteti i Pejës, me rreth 80 mijë banorë, i njohur si një nga qytetet më të mëdha e më të bukura të Kosovës, është përfshirë nga flakët. – Sot jemi nisur nga Peja, pasi policë të maskuar dhe të armatosur na thanë që pas disa minutash qyteti do të granatohet, – thotë Mahir Merzha, inxhinier gjeodezie, i diplomuar në Sarajevë. – Nga Peja është organizuar shpërngulja nga vetë policia, – tregon Merzha, – dhe autobusët, kamionët e veturat shoqëroheshin me police.

Dje dhe sot qyteti i Pejës është shpopulluar tërësisht dhe një pjesë e vogël ka ikur drejt Rozhajës, në Malin e Zi. Gjatë gjithë rrugës kemi parë tmerret e luftës. Në Krushë të Madhe forcat e ushtrisë serbe kishin grumbulluar qindra burra dhe nën tytat e automatikëve i kishin ulur në gjunjë, duke i detyruar të ngrinin tre gishtat lart dhe të përshëndesnin me simbolin serb. Ndërsa pak më tutje, në Krushë të Vogël, gra e vajza i kishin grumbulluar dhe i mbanin të rrethuara mbi shinat e trenit. Rrugës kemi parë njerëz të vrarë dhe të hedhur sipër njëri-tjetrit, kemi parë kufoma të djegura. Nuk mund t’ju tregojmë dot se çfarë është duke u bërë në të vërtetë në Kosovë. Ndërsa një grua nga fshati Mamushë e Prizrenit, tregon se serbët i kanë vrarë djalin në oborrin e shtëpisë dhe e kanë detyruar që ta varrosë po vetë në oborr.

– Në hyrje të Prizrenit në fshatin Dushanovë, fshatarët shqiptarë po ngarkonin bagëtitë e tyre në kamionët serbë, të cilat do të përdoreshin si ushqim për ushtarët serbë, – tregon qytetari nga Peja. – Në Prizren, – vijon ai, – pamë kazermat ushtarake të djegura, të cilat ishin bombarduar nga avionët e NATO-s në orën 0500 të mëngjesit të asaj dite. Në pikën e kalimit kufitar të Vermicës na hoqën tabllat (targat) e autoveturave dhe na morën dokumentet si pasaporta, patenta etj. Ndërsa një ushtar serb më kërkoi cigare, policia serbe na thoshte kur na përzinte për në Shqipëri, “Idite kod Hashima Thaçi unçevam pomoçi” (“shkoni te Hashim Thaçi se ai do t’ju ndihmojë”), “Klinton udita” (“Klintoni vrasës”), “bëjini të fala Klintonit” dhe të tjera.

– Kam lënë punishten e aluminit që kushton një milion dollarë, – thotë Sali Bardhi nga Peja. – Por, jam i bindur që së shpejti do të kthehemi të gjithë në trojet tona, nga na kanë përzënë me dhunë.

– Kanë nxjerrë të gjithë të sëmurët me dhunë nga spitali i Pejës, ku babai im i sëmurë nga infarkti ka mbetur në shtëpi, – thotë e mbytur në lot Dashurie Pajaziti nga Peja.

Ndërsa një nënë e re vajtonte për fëmijën e saj tre vjeç, pasi e kishte harruar në gjumë sepse serbët i kishin lënë vetëm 5 minuta afat për t’u larguar. Ndërsa shumë gra të tjera ishin vetëm me pizhame. Të dielën pasdite, në mesin e refugjatëve ishte dhe një grup i deputetëve të PD-së.

– Që të gjithë qytetarëve që ikën nga Kosova po u grisin dokumentet, në mënyrë që kur të kthehen të mos i paguajnë më ata dhe për këtë etnocid, bota le ta marrë vesh, ku patjetër trupat në Kosovë duhet të jenë të pranishme, – tha deputeti Leonard Demi. Ndërsa njëmijë veta mbrëmë janë transportuar drejt Peshkopisë me mjetet e ushtrisë, një lumë i pandalshëm të ardhurish nga Kosova kanë vërshuar gjatë gjithë natës duke u gdhirë e hëna. Rreth 50 mijë veta, të ardhur kryesisht nga Peja, por dhe nga Prizreni e nga Suhareka e kanë gdhirë natën e ftohtë nën qiellin e hapur të Kukësit. Dje në këtë qytet me rreth 25 mijë banorë tashmë të katërfishuar, rrallë mund të identifikoje ndonjë banor vendës. Mijëra kosovarë kishin mbushur rrugët e Kukësit dhe sheshin para prefekturës, ndërkohë që fluksi vinte gjithnjë në rritje, edhe gjatë orëve të para të mëngjesit. Rreth 50 mijë të ardhur nga Peja, nga Prizreni e nga Prishtina, ishin dyndur nga ora 2100 e mbrëmjes të së dielës.

– Është një spastrim total etnik. Kanë mbetur atje vetëm “shqiptarët e ndershëm”, – thotë Vlora Shala, ekonomiste e diplomuar në universitetin e Prishtinës.

– Sa të stabilizojmë familjet, ne do të kthehemi të luftojmë. Nuk do t’i lëmë kurrë tokën dhe trojet tona në dorë të shkijeve, – thotë një i ri nga Peja.

Spitali i Kukësit mbushur me të plagosur.

– Me këtë fluks refugjatësh, spitali i Kukësit del jashtë loje, – thotë Gani Gashi, drejtor i Shërbimit Spitalor në Kukës. – Megjithatë, – thotë ai, – refugjatët nuk duhet të paraqiten vetëm në spital, por edhe në poliklinikë te mjeku i familjes, apo te mjeku i komunës. Deri tani në spitalin e Kukësit janë paraqitur 200 të plagosur si, me armë zjarri, të goditur me mjete të forta, me thika, me bajoneta

– Spitali i Kukësit po përballon të sëmurët e spitalit të Pejës e të Prizrenit, pasi ata janë nxjerrë forcërisht nga këto spitale, – thotë Ylber Vata, mjek kirurg. Ndërkaq në këtë spital kanë vdekur katër veta, midis tyre një 13-vjeçar, i plagosur me armë zjarri dhe tre të moshuar. Ndërsa mjekët e spitalit gjinekologjik në Kukes deklarojnë se “kemi të shtruara gra e vajza, mbi të cilat është ushtruar dhunë seksuale nga ushtarët serbë”. – Ushtarët serbë më kanë përdhunuar vajzën në sytë e mi, – tregon një burrë imoshuar nga Peja. Ndërkohë vazhdon evakuimi i të ardhurve nga Kosova në Kukes për në rajonet e tjera të Shqipërisë. Mbrëmë kryetari i Këshillit të Rrethit të Kukësit, ka kërkuar nga qeveria shqiptare shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, pasi sipas tij pushteti lokal nuk e ka më gjendjen nën kontroll. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Kukësit kritikoi mediat shqiptare për paraqitjen e dobët të ngjarjeve. Grupe të televizioneve më të fuqishme të botës si CNN, “Euro News”, “BBC World” etj., janë instaluar e po transmetojnë direkt nga Kukësi. Në orët e pasdites ka mbërritur edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, njëkohësisht i plotfuqishëm i qeverisë për Kukësin, i cili zhvilloi mbledhje me Shtabin e Mbrojtjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.