Kryesore

“Një shtet nuk rrezikohet nga politikanët e këqij, por nga…”- Kim Mehmeti: Korrupsionin nuk duhet ta luftojë SPAK, por institucioni

18:44 - 20.04.24 a.d
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Publicisti Kim Mehmeti, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, përfshirë politikën dhe sistemin e drejtësisë.




I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, në News24, ai u shpreh se një shtet rrezikohet jo kur ka politikanë të këqij, por kur pjesa më e madhe e popullit bëhet e pandjeshme ndaj fatit të saj kolektiv.

Një shtet nuk rrezikohet kur ka politikanë të këqij, por kur pjesa më e madhe e popullit bëhet e pandjeshme ndaj fatit të saj kolektiv. Nëse pakënaqësia nuk kthehet ne revoltë ajo kthehet në vajtim ose në ikje masive nga vendi. Këto po i ndodhin vendit.

Të gjithë politikanët, edhe kryeministri aktual shqiptar, më habisin për diçka. Njeriu mund të jetë edhe shenjtor, më i vlefshmi, por shkaku i popullit të vetë, nuk mundet 30 vite të jesh figura e parë. Me këtë ti thua se këtu nuk ka vlera dhe ky popull nuk di të zgjedhë. Popullin nuk e fajësoj për diçka, është një popull i varfër i sapodalë nga komunizmi që deri dje nuk ushqehej dot. Nuk ka mëkat më të madh se një politikan që keqpërdor varfërinë e popullit, të gjithë e bënë këtë.

Kur e keqpërdor këtë si politikan, të mungon diçka njerëzore. Në këtë kontekst nuk mund të jenë më të mirë se Enver Hoxha. Mendësia është e njëjtë”, tha ai.

Mehmeti ndër të tjera tha se Shqipëri nuk ka opozitë, por njerëz që duan pushtetin. Ndërsapër korrupsionin u shpreh se uk duhet ta luftoj Prokuroria e Posaçme, por institucioni.

“Këtë kryeministër me votë nuk e rrëzon dot askush. Ky është mendimi im. Ai ka shumë para, i ka gjithë të pasurit pranë vetes. Erdhi në pushtet me parimin që të bashkohen gjithë qelbësirat, vetëm të fitojë. Këtu një votues është më i lirë se një dele. Edhe në Maqedoni ndodhte e njëjta, sa më i padobishëm ishte aq më shumë vota merrte. U mbushën qytetet me protestues dhe më në fund iku dhe sot nuk është as në Maqedoni.

Në Shqipëri nuk ka opozitë, por njerëz që e duan pushtetin. Synim kanë pushtetin, jo shtetin. Përndryshe do të jepnin një platformë për shtetin. Këtu do të vijë koha kur kam frikë se do jetojnë vetëm ushtarët partiakë. Këtu partitë ende do të copëtohen. Çdo pasanik do ta ketë partinë e vetë, ka filluar ai proces. Personi që ka para i bën këtu 2 deputetë kur të ketë qejf. Nëse nuk ndërpritet ky proces kjo do të ndodhë.

Mjerë shteti që duhet ta ndërtojnë gjykatat dhe policia. Kur faktorët më të rëndësishëm për një vend janë gjyqësori dhe policia do të thotë se s’ka shtet. Korrupsionin nuk duhet ta luftojë SPAK, por institucioni. Nëse në bashki për shembull ka 4 të akuzuar për vjedhje, aty duhet të fillojë menjëherë rindërtimi. Nuk mundet SPAK të zbulojë gjithë hajdutët dhe të korruptuarit e vendit. Duhet gjithë shoqëria. Drejtësia është vetëm një shtyllë, ku është arsimi, shëndetësia, të shkatërruara.

Nuk di detaje për Metën, por mund të them se askush nuk e do SPAK sepse është pasqyrë ku të gjithë e shohin shëmtinë e vetë, në mos frikën. Dalëngadalë ata janë duke e bërë. Ne ndërtuam një shoqëri ku nuk ka vend për ndershmërinë, ky sistem nuk e duron nëpunësin e ndershëm. Shqipërisë nuk ia zgjidh problemin SPAK. E keqja e ka fundin e vetë, çdo kohë lind heronjtë e vetë.

Shqipëria duhet të ushqehet me një frymë tjetër, që edhe qytetari të ketë më shumë ndjeshmëri ndaj shtetit se pushtetit. Në Shqipëri mund të shkatërrosh shtetin, por nuk të lënë të prekësh pushtetin. Shqiptari mesatar duhet të ndjejë se shteti është i tiji, jo i PS apo i PD”, u shpreh ai.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.